Reflektim jopolitik mbi një kapërcyell paslufte në Kosovë

Opinione

Reflektim jopolitik mbi një kapërcyell paslufte në Kosovë

Nga: Mentor Tahiri Më: 31 gusht 2015 Në ora: 22:23

Dimensionet e shtrirjes së disa dukurive në Kosovë, në shikim të parë mund të duken copëza të ndara pa ndonjë lidhje mes tyre, megjithatë e tëra ka një gjenezë. Është pikërisht ai pështjellimi i madh i të kaluarës së trazuar historike plot sundime të huaja, sisteme dhe nën-sisteme të imponuara, që në këto troje, këtij populli nuk i mundësoi të përmbyllë kufijtë dhe formën e atdheut të tij. Sidomos vështirësoi substancën duke privuar nga zhvillimi i përgjithshëm social dikur, e që sot përveç kësaj shpaloset tmerrshëm në dekadencë në spektër të gjerë të segmenteve që karakterizojnë botën moderne, shembull në teknologji.

A është ky një proces i vetëm? Sigurisht jo, por më parë ka të ngjarë të jetë vazhdimësi defektesh të shkaktuara nga çalimi në kohë, në kuadër të garës që popujt natyrshëm bëjnë mes tyre, shpesh edhe pa vetëdije për vetë garën, por thjeshtë si nevojë për të siguruar apo përmirësuar kushtet e jetesës. Më parë kishte kuptimin lufta për kullosa, sot territoret kanë tipare të tjerë të rëndësisë, rrjedhimisht nuk do të thotë të jenë vetëm tokësore. Rezervoari i Ujmanit dhe përpjekja për relativizimin e sovranitetit të Kosovës mbi të, flet vetvetiu për rëndësinë strategjike të ujit. Në rastin konkret, jo se rezervoari në fjalë i duhet aq shumë fqinjit tonë veriorë, por thjesht duke na sabotuar një aset të çmuar, realizon në masë të madhe planin për t’i krijuar Kosovës sa më shumë varshmëri. Vazhdimisht është duke u ndryshuar edhe koncepti mbi shtetësinë, në këtë drejtim tani nuk cenohet sovraniteti vetëm me kalim kufiri nga ana e invaduesit potencial, por edhe me aranzhime perfide të tilla që të bëjnë jofunksionale shtetësinë.

Disa popuj arritën të krijonin diferencën me kohë, kur udhëheqjen ia besojnë vizionarëve, strategëve, atyre që perceptojnë rrethanat dhe përdorin mishmashin e dijeve dhe fuqisë, por gjithsesi jo vetëm këtë të fundit. Batoni, kryeheroi i kryengritjes ilire dhe shekuj më vonë në të njëjtën frymë Gjergj Kastrioti, përdornin si pjesë të dijeve edhe artin e luftës, e që në mitizimet e ditëve të sotme, të ngarkuara plot emocione gati komike, nuk është studiuar sa duhet. Së paku jo nga ne si popull i rënduar me peshën negative të patriotizmit folklorik të imponuar nga autoritarët, thjeshtë për faktin se autoritarët kanë nevojën për këtë mbështetje, folklorizmi i kamuflon. Sidoqoftë elitat përcaktohen nga një serë faktorësh, kurse në shoqëritë e përparuara, tani shfaqja e muskujve para trurit nuk ka vend. Shoqëritë normale nuk funksionojnë me frikën nga individë të gjithëpushtetshëm, në esencë një frikësim si ky nuk është asgjë tjetër përveç një dhunë interesash që vret barazinë.

Nuk ka shumë moralizim këtu, siç edhe është dominuese ndër shekuj, individë që bënin udhëheqjen e popujve ishin të shtyrë edhe nga ambicia për të përparuar së pari vetë ata, duke e menduar këtë përparim jo vetëm brenda pasionit të njeriut që përmbledhurazi mund ta quajmë pasuri materiale. Pa harruar se jo të gjithë këta udhëheqës, në kuptimin e ekuivalentit të nocionit të sotëm ‘’lider’’, ishin të dhënë pas pasurisë. Dhënia pas pasurisë përtej asaj që njeriu mund të shfrytëzoj dhe të privimit të tjerëve nga nevojat elementare, ishte dhe mbetet shprehje e kombinimit të mangësive etike dhe egoizmit. Ky i fundit është gjithsesi jokompatibil për të qenë i vendosur në një thes me atdhetarizmin, e atdhetarizmi në Kosovë njëmend është mbyllur në thesin e kapërcyellit të pasluftës.

Mund të shtrohet pyetja nëse duhet patjetër një vend në pasluftën e tij të katandiset keq ? Dikujt edhe mund të mos i duket se ka një katandisje në Kosovë, mbase është normale t’i duket ashtu. Por, duke qenë si dëshmitarë i ambientit rrethues ku shpresa gradualisht i lëshon hapësirë pezmatimit si një ndjenjë e papajtueshmërisë më shumë emocionale por gjithsesi edhe për shkak të vendimeve që zbehin gëzimin e lirisë, atëherë është katandisur, ja se çka me të. Populli, ajo masë e njerëzve të zakonshëm të një trualli, nuk arrin të prekë ëndrrën që kishte. A e mohoi dikush këtë ? Apo sikur të korrurat e lirisë nuk arritën të distribuohen proporcionalisht jashtë rrethit të vëllezërve, kushërinjve, e kush e di kujt tjetër.

Njeriun duhet ta çudis mirëkuptimi për distribuuimin e pushtetit sipas modelit të Kosovës së pasluftës, megjithëse përdoret shpesh një logjikë e çuditshme për ta arsyetuar. Për dikë është legjitime. Mund të ketë të bëjë me shfrenimin e pavetëdijshëm në përpjekjen për të kompensuar vitet e shumta me plotë ndjenjë inferioriteti . Lehtë kjo krijon taborët, që janë rrezik në rast se dikush sinqerisht nuk promovon një lloj “pajtimi kombëtar”. Asnjëherë nuk duhet pëlqyer logjikën sipas të cilës, ai i cili nuk mendon krejtësisht sipas vijave të dëshiruara apo edhe atyre që imponon sistemi, nuk mund të jetë “i yni” apo “i atyre”. Megjithëse duhet pranuar ky ishte element i fuqishëm i përshkrimit individual të njerëzve në Kosovën e pasluftës dhe atë në shumë pore të jetës. Nuk u bë ky etiketim thjeshtë për kurtuazinë që dikush të mos mbetej pa fjalë gjatë ndejave, por ai u ngrit në preferencën më vendimtare që përcaktoi depërtimin e individit dhe ndërtimin e karrierës. Mendësi diktatureske e shfrytëzuar perfekt nga notuesit e e kohërave të mjegullta, të cilët betohen mbi manifestot partiake, madje jo se janë kanë ndonjë bindje politike, por thjeshtë besojnë në to vetëm kur kanë interesin financiarë.

Dikur me mburrje përsëritej në jehonën e zërave plot entuziazëm për liri, se koha punon për shqiptarët. Qartazi, kjo ishte e saktë në raport me rreshtimin gjeostrategjik që na karakterizon tani e gati rreth një çerek shekulli, kurse në anën tjetër ballafaqoheshim me një kundërshtarë që sado që ishte i fuqishëm, ishte i zënë në grackën e anakronizmit dhe të mendjemadhësisë së qasjes që kishte me vetveten. Megjithatë pavarësisht se vazhdojmë në parim të jemi stabil rreth orientimeve gjeostrategjike, kur diçka mbështjellët kaq keq si ëndrra e atdheut të lirë, janë sërish ligjet e fizikës të cilat nuk lëkunden, andaj edhe kur gjendja komplikohet, ekziston një fill që nisi lëmshin, e i njëjti na tregon zgjidhjen. Lypset vullnet dhe reflektim.

Të ngopurit e “të fuqishmëve” mund të jetë shkallë e kryesore e konstruktivitetit të cilën duhen kaluar në tatëpjetën e vështirë të këndelljes nga momentumi traumatik, si varianti maksimalisht më i keq kur kolektivi pajtohet me gjendjen e krijuar, si dhe e arsyeton të njëjtën. Në një stad të evoluimit të oligarkisë rishtazi të krijuar, vetë pjesëtarët e saj do të kenë nevojë për një shoqëri ku barazia përcakton konditat e ekzistimit brenda saj, ndryshe s’mund të ketë as edhe siguri fizike, kurse do të na mbetej të jetojmë në një vend që lihet qëllimshëm nën mëshirën e arbitrarizmave. Në vende të tilla nga të cilat qohet dora, publikisht të gjithë janë të barabartë dhe ajo copë letër ku është e shkruar kushtetuta e duron këtë, por në esencë dikush është më i barabartë se të tjerët. Shoqëria falë, Kosova falë, shumë herë e ka dëshmuar se di të bëjë këtë. Tani nuk ka nevojë për muskuj të gjithëpushtetshëm, së paku jo ata pa tru, si dhe assesi jo të gjithëpushtetshëm, përveç nëse tentohet përjetësisht që të tjerët të trajtojnë Kosovën si shtetin-laborator ku eksperimentohet me shoqërinë.

M.T.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat