Pushteti “ i çmendur” që të vret!...

Opinione

Pushteti “ i çmendur” që të vret!...

Nga: Nga Dionis Xhafa Më: 25 korrik 2015 Në ora: 11:47

Peter Celeman shpjegon se pushteti të “çmend”, e lidhur kjo me psikozën pushtetare, e njerëzve që duan të zotërojnë pushtet, të cilët kanë tendencën të shkëputen nga realiteti.

E, duket se kjo lloj psikoze për të qenë të pushtetshëm ka çuar në një zënkë në BDI, që rezultoi me vrasjen fatale të kandidatit të mundshëm për kryetar të një zone lokale të partisë në Kumanovë.

Kështu, disa persona deri më tanimë janë arrestuar për plagosjen e Gani Demirit dhe të Shefki Rexhepit, si dhe për vrasjen e Xhemail Rexhepit, ish-pjesëtar i UÇK-së, i njohur gjatë luftës si “Komandant Shqiponja”.

Një vrasje e tillë, për arsye të dyshuara të forta politike, është më së pari vetëvrasje ndaj vëllazërisë mes shqiptarëve dhe fundosje e shpresës për shuarjen e çdo lloj konflikti të mundshëm.

Kjo vrasje nuk ishte një akt kriminal si rrufe në qiell të hapur, por vazhdimësi e luftës së brendshme brenda Bashkimit Demokratik për Integrim.

Kjo dëshmon edhe atë që e përmend gazetari nga Shkupi, Ramadan Ramadani, moskompentencën dhe mos efikasitetin e BDI-së për të organizuar si duhet degët e partisë.

E, në të drejtë ai shton se BDI-ja nuk ka mundur ta parandalojë dhunën brenda partisë, e se dhuna kurrë s’mund të jetë e tolerueshme.

Lufta e brendshme brenda BDI-së, dhe për më tepër, deri në këtë veprim kriminal është më shumë se e turpshme.

Ajo ç’ka thuhet tjetër mbi incidentin është se një luftë e brendshme mes dy kaheve është e ndezur prej kohësh në BDI, mes atyre që përfaqësojnë idealin e luftës dhe krahun burrokratik.

“Lufta ideore” asesi s’duhet të shkojë deri në veprime të tilla kriminale. Kjo flet për një demokraci të dobët brenda partive shqiptare në Maqedoni dhe një klime tensionuese brendapartiake.

Mesazhi, që sot duhet të përcillet, edhe nga politika, është që mbi të gjitha të jemi njerëzor, të jemi kundër çdo lloj veprimi kriminal.
Por, sa duket politika, sidomos në Maqedoni, vështirë se mund të ketë lidhje me moralin e pastër, drejtësinë dhe ndershmërinë.

Këta parime vetëm sa zhyten e thellë e më thellë, e ndoshta duhet luftë e madhe, jo me armë, por vetëm ideore, për ta zhytur një politikë të tillë amorale dhe kriminale.

Idealet e drejta gjithnjë e më tepër po zhyten, e sa duket këtij ideali të UÇK-së iu dha një goditje e fortë, një vrasje e rëndë plumb.
E, kushedi sa mund, djersë, sakrificë e gjak do të duhen deri në triumfin e idealeve të drejta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat