Përse Angela Merkel duhet ta pranojë shkurtimin e borxhit

Opinione

Përse Angela Merkel duhet ta pranojë shkurtimin e borxhit

Nga: Nga Wolfgang Münchau Më: 8 korrik 2015 Në ora: 08:21

Karrierat politike vendosen në momente si ky. Paralajmërimet e vazhdueshme për një Grexit të mundshëm nga ana e Sigmar Gabriel e bëjnë tani të pamundur për SPD-në të distancohet nga politika katastrofale europiane e Angela Merkelit. Në planin e politikës ekonomike socialdemokratët janë deklasuar vetë në një element të tretë të Bashkimit, njëfarë apendiciti lëvizës ndërmjet CDU-së dhe CSU-së.

Alternativat e vërteta tani gjenden vetëm në krahët ekstremë, të djathtë apo të majtë. E vetmja mundësi e vogël për t’u kthyer në një qëndrim racional ndodhet pikërisht në duart e vetë Merkelit, e cila mund ta shmangë débâcle-n duke dhënë pëlqimin e saj për zhvillimin e një konference për borxhin grek.

Mund të shërbejë në pjatë një fshirje e borxhit përballë reformave rigoroze: asnjë masë kursimi, por reforma të vërteta strukturore. Politikisht, një propozim i këtij lloji do ta vinte Aleksis Tsiprasin në vështirësi; tekefundit për të do të ishte tejet e vështirë të dilte kundër. Në planin ekonomik fshirja e borxhit nuk ka alternativa. Është e rrallë për mua ta përdor këtë shprehje sepse politika – dhe mbi të gjitha politika ekonomike – qëndron në të zgjedhurin mes alternativash të ndryshme. Dhe, megjithatë, në këtë rast shprehja është e përshtatshme.

Shkurtimi i borxhit, fryt i bisedimeve apo i njëanshëm, është një rrjedhojë matematike e parametrave ekonomike të përcaktuara për Greqinë. Vendi do të qëndrojë në euro vetëm nëse do të përmbushen saktësisht katër kushte: falja e borxheve, një rifinancim i sistemit bankar, reformat e vërteta strukturore dhe përfundimi i politikës së masave shtrënguese. Nëse Gjermania dhe financuesit e tjerë japin miratimin e tyre, atëherë Grexit-i mund të shmanget. Përndryshe do të ndodhë, është një e dhënë faktike.

Pyetja është: a mundet dhe a do që ta bëjë Merkeli? Mes radhëve të saj ka turbullira dhe ajo e di se edhe Volfang Shauble e konsideron tashmë Grexit-in si rrugën e duhur. Duhet t’i tejkalojë rezistencat dhe ta pranojë indirekt se politika e saj për t’i rifinancuar borxhet e vjetra me të reja ka dështuar.

Një studim i historisë ekonomike do ta kishte bërë sipërfaqësor këtë pohim të vonuar. Leksionet që mund të nxirren nga ekonomia janë rrallëherë të pangatërrueshme, por historia na mëson padyshim se kriza e borxhit duhet zgjidhur shpejt. Kush vjen me vonesë ndëshkohet nga rrethanat.

Penalisht programet e mbështetjes ndaj Greqisë të bëra më 2010 dhe 2012 do të kishin përbërë padyshim një vonesë në prezantimin e distancës së pashlyeshmërisë, nëse do të ishte bërë fjalë për sektorin privat. Ajo që ka ndodhur këtu, është në vetvete një vepër penale edhe pse formalisht nuk i përmbush kërkesat juridike për t’u konsideruar si krim. Bëhet fjalë për moskallëzim faktesh ekonomike për arsye të dobëta, pra për përfitimin politik të Kancelares në dëm të rëndë të kontribuuesve. Fakti që në Gjermani, përballë kësaj katastrofe askush nuk kërkon dorëheqjen e Angela Merkelit është shenjë e një kulture politike të sëmurë.

Batërdia e politikës së bërë nga Merkeli ndaj Greqisë shfaqet tani në mënyrë të dyfishtë. Në rastin e një Grexit, Greqia nuk do të lëvrojë asnjë kacidhe të borxheve të veta zyrtare, me rrezikun për Gjermaninë që të humbasë në mënyrë absolute plot 90 miliardë euro, së cilës i shtohet një shifër e pallogaritshme në terma dëmesh anësore.

Nëse Merkel pranon të marrë pjesë në një konferencë për borxhin, humbja materiale zvogëlohet ndjeshëm, por turpi mund të rritet. Në rastin e parë mund t’iu vihet faji grekëve dhe të përkufizohet si viktimë e pafajshme. Në rastin e dytë do ta pranojë indirekt rolin e vetë në krizë. Shkurtimi i borxhit do të ishte racional në planin ekonomik, por jo domosdoshmërisht në atë politik. Personalisht nuk jam optimist, sepse deri më tani instinkti i Merkelit e ka shtyrë gjithnjë të zgjedhë opsionin që paraqiste rezistencën më të vogël.

Për një gjerman si unë që ka 30 vjet që jeton jashtë, është gjithnjë e habitshme të shohësh se si një vend me shkencëtarë dhe inxhinierë të mëdhenj, që i ka rrënjët të ngulura thellë te humanizmi dhe racionalizmi, të përmbytet nga emotiviteti sa herë duhet të përballet me një debat të rëndësishëm. Ashtu sikurse më 1914 gjyshërit tanë gëzoheshin përballë perspektivës për një luftë afatshkurtër, sot konservatorët gjermanë pretendojnë një Grexit.

Disa prej tyre e dinë shumë mirë se një dalje e Greqisë do ta destabilizonte euron për një kohë të gjatë dhe nuk dihet ende saktësisht deri në cilën pikë. Rreziku i ngjitjes direkte është i kufizuar. Por unë e shoh rrezikun më të madh në suksesin e një vendimi të tillë. Nëse dy vjet pas një Grexit të mundshëm ekonomia greke do të rinisë rritjen, debati do të marrë një kthesë tjetër, sidomos në Itali.

Nga ajo që dikur ishte një rrezik do të shpërthejë një çlirim që do të lërë pas një monedhë euroje europianoveriore, me një këmbim të mbivlerësuar. Atëherë efektet e kësaj politike ekonomike mund të krahasohen me zinxhirin e vendimeve dramatike të marra përpara 100 vjetësh: një luftë e nënvlerësuar, e shoqëruar nga një Traktat Versaje, i cili në dogmatizmin e tij nuk është edhe aq i ndryshëm nga parimet e politikës ekonomike gjermane.

Vendimi racional për Gjermaninë do të ishte të pranonte një shkurtim të borxhit. Aleksis Tsipras po jep sinjale se dëshiron të bisedojë. Dhe Merkel duhet ta bëjë një gjë të tillë.

Corriere della Sera

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat