Ndryshimet sociale dhe diversiteti fetar në Kosovë

Opinione

Ndryshimet sociale dhe diversiteti fetar në Kosovë

Nga: MSc. Ferdi Kamberi Sociolog Më: 6 korrik 2015 Në ora: 11:13

Diversiteti fetar, etnik dhe kulturor, padyshim se konsiderohen si ndër vlerat më karakteristike të një shoqërie. Sidomos diversiteti ka një rëndësi të veçantë, për faktin se pasqyron në vete një mozaik, art dhe komunikim, por mbi të gjitha një bashkëjetesë ndërmjet konfesioneve fetare të cilat janë prezente në atë shoqëri. Në përgjithësi tek shqiptarët edhe pse dallimet fetare janë normale të kenë ekzistuar edhe më parë kjo falë ndryshimeve sociale dhe rrethanave shoqërore, politike, ekonomike e të tjera që kanë mbretëruar. Megjithatë, vlen të cekët se dallimet fetare kanë qenë më shumë latente se sa të ekspozuara, edhe pse ato herë pas herë kanë pasur një kryeqenësie nga zona në zonë. Mirëpo, me ndryshimet dhe zhvillimet sociale të cilat ndodhën së pari në Shqipëri pas rënies së komunizmit, më pas shpërfaqja e luftërave në Ballkan, me theks të veçantë në Kosovë (sidomos me përfundimin e saj), krijimi i një fryme nga ajo socialiste në atë demokratike, kishte edhe disa ndryshime që u vërehen më tej. Ndryshimet sociale të cilat apriori nënkuptohen si ndryshime të përgjithshme në çdo sferë, dhanë një produkt se diversiteti fetar është në lëkundje. Kjo më së miri u vërejt me ardhjen e një sërë organizatash si nga lindja po ashtu edhe nga perëndimi, ku qëllimi i këtyre organizatave ishte që të instalohej një “virus” i cili do të ndikonte që ky diversitet të prishej. Gjendja e Kosovës pas vitit 1999, dëmet e luftës në njerëz dhe infrastrukturë, mungesa e ligjshmërisë, mos kontrolli adekuatë mbi hyrjet dhe daljet e organizatave, individëve të ndryshëm, pastaj faktorët socio – ekonomik, mungesa e vetëdijes shoqërore mbi mikro dhe makro kulturat e ndryshme, pasiguria sociale, por edhe faktorë të tjerë bënë që organizatat në fjalë të shfrytëzojnë shumë mirë rastin për të mbjellë ndoshta një farë e cila do të lulëzonte më vonë. Kjo u pa më vonë sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku kishim disa tendenca mbi një fundamentalizëm fetar. Pasuria e madhe e cila kishte mbretëruar qysh herët, tani më kishte rrezik të fundosej sikurse thesaret e anijeve në oqean. Ndaj, në përgjithësi mund të themi se ndryshimet sociale që sot nga sociologët iu referohen ndryshimeve të rëndësishme shoqërore me forma të modeleve të sjelljes, vlerave kulturore dhe normave sociale, kanë pasur një ndikim edhe në gjendjen anomike thënë kështu në gjuhën e Dyrkemit tek diversiteti fetar. Sot, gjendja aktuale tregon se ky diversitet, kjo pasuri e madhe e trashëguar ka divergjenca të mëdha si për nga bashkëpunimi ndër konfesional, po ashtu edhe për nga qasja dhe studimi i problemeve të cilat i preokupojnë qytetarët (besimtarët e tyre), e kështu me radhë. Në fakt, këto ndryshime kanë bërë që sjellja e njerëzve të ndryshon karshi diversitetit fetar, të ketë paradokse të mëdha kulturore, anti – vlera, mungesë të komunikimit dhe bashkëpunimeve ndërmjet organizatave fetare, duke i etiketuar njerëzit në bazë profilit, dukjes, imazhit, zhargonit, e të tjera, gjë që dikur këto nuk kanë qenë të pranishme. Madje, kjo ndarje ka shkuar deri në atë masë që njerëzit vetëm pse i takojnë një religjioni të caktuar në këtë rast islamit të paragjykohen apo të krijohen stereotipa të ndryshëm për ta. Nga kjo del se shoqëria kosovare është duke shkuar nga ajo që të ketë një ndarje të tri grupeve: a) religjiozet – ku në këtë grup bëjnë pjesë besimtarët e konfesioneve fetare që janë në Kosovë, në veçanti mazhoranca islame, b) religjiozo – fobët, në këtë rast kanë të bëjnë me pjesën e njerëzve që në një apo tjetrën mënyrën janë fobik në religjion sidomos në islam, dhe c) fanatikët, ku në këtë drejtim janë personat që për qëllime të ndryshme mundohen që të shkatërrojnë ikonën e galerisë shqiptare që është diversiteti fetar.

Toleranca apo bashkëjetesa fetare

Shpeshherë në diskurset publike flitet për tolerancën fetare tek shqiptarët, sidomos në Kosovë. Sipas Habermasit toleranca fetare shihet si një stimulues (paqësor mbajtës) në kuptimin adekuat të multikulturalizmit dhe të bashkëjetesës së komuniteteve drejtë formave të ndryshme kulturore të jetës brenda një bashkësie demokratike. Hulumtimet dhe studimet e shumta që janë bërë nga ana e Shoqatës së Sociologëve të Kosovës, vënë në pah se kjo tolerancë për të cilën flasim nuk është ashtu sikurse ka qenë dikur. Madje, tek shqiptarët më shumë ka pasur bashkëjetesë fetare se sa tolerancë fetare, sepse në kuptimin primar tolerancë jep kryesisht grupi (shoqëror) i cili ka një mazhorancë më të madhe. Prandaj, shihet se si rezultat i shumë ndryshimeve sociale, kjo bashkëjetesë ka filluar të zbehet, kjo më së miri vërehet në gjuhën e artikuluar të cilën shpeshherë e përdorin klerikët fetar, pastaj kjo vërehet përmes medieve por edhe përmes rrjeteve sociale dhe grupeve që debatojnë aty, jo vetëm që kanë mungesë të kulturës së debatit, por kanë edhe urrejtje ndër fetare, gjë që të gjitha këto e zbehin këtë pasuri shekullore. Këto elemente kanë pasur edhe efekte tjera, ku shpeshherë kanë prodhuar edhe elemente të de-bashkëjetesës apo të in-tolerancës kryesisht verbale sidomos me rastet kur ideologjia dhe religjioni janë bërë së bashku. Raste të tilla ka pasur me rastin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në luftërat e huaja si: ato në Irak, Siri, së fundi edhe në Ukrainë, sidomos është vërejtur një qasje jo konstruktive e debateve dhe diskurseve shpeshherë të irrituara, emocionale dhe jo racionale, duke ia atribuar fajin më shumë faktorëve të brendshëm se sa atyre të jashtëm, pastaj rastet lidhur me politizimin e faltoreve fetare siç ishin rastet me ndërtimin e xhamive dhe kishave (bashkësive fetare), e kështu me radhë.

Faktorët që quan krizën e diversitetit fetar

Në këtë analizë të shkurtër në pika të shkurta do t’i nxjerrim edhe disa faktor që kanë ndikuar që ky diversitet fetar, mozaik dhe kjo bashkëjetesë fetare shekullore të ndryshon ndoshta jo në atë masë sa të ketë ndonjë konflikt fetar, megjithatë zbehja, ndryshimet, sjelljet, qëndrimet vërehen shumë tek konfesionet fetare në raport me njëra – tjetrën. Andaj, në këtë drejtim padyshim se bëjnë pjesë faktorët që kanë rrjedhë si pasojë e ndryshimeve sociale, që i cekëm edhe më lartë, ku këta faktorë kanë ndikuar që ithtarët e besimeve fetare të kenë jo vetëm qëndrime të kundërta, (gjë që është normale në një shoqëri demokratike), por të kenë edhe nxitje për urrejtje ndër – fetare e cila pastaj do të reflektonte në atë mbarë kombëtare. Faktorë tjetër që duhet përmendur është edhe mos zgjidhja e statusit të bashkësive fetare me kohë, mos organizimi adekuat i bashkësive fetare në Kosovë, kriza e vlerave e cila ka pasur ndikim tek krizat tjera, si: ajo morale dhe ajo e identitetit. Faktorët socio – ekonomik (papunësia e lartë dhe varfëria), kalimi nga kolektivizmi në individualizëm, si dhe faktorë të tjerë.

Pasojat

Kur flasim për pasojat vetë fjala “pasojë” nënkupton që për një fenomen të caktuar nëse nuk ndërmerren hapa të nevojshëm, atëherë efektet do të jenë kronike. Në këtë kontekst, pasojat kryesore do të reflektojnë në pasiguri sociale, që kjo pastaj mund të ketë edhe ndikime të tjera ndër to edhe mundësia e shpërfaqjes së ndonjë konflikti fetar që askush nuk e dëshiron.

Përfundime dhe rekomandime

Diversiteti fetar është një mozaik dhe dhuratë të cilën na ka dhënë Perëndia, andaj në promovimin e tij dhe përmirësimin e zbehjes së bashkëjetesës fetare duhet që të gjithë akterët të japin kontributin e tyre. Fillimisht të bëhet ligji për bashkësitë fetare, të kenë diskurse publike mbi religjionin, bashkëjetesën fetare, të organizohen konferenca, seminare, workshope të ndryshme për këto tema, klerikët fetar duhet që jenë më të vëmendshëm në ligjëratat e tyre, mediet po ashtu duhet i japin një rëndësi pozitive raporteve ndër fetare që mbretërojnë në Kosovë, por edhe elita akademike, intelektuale duhet që të ketë zërin e saj në dhënien e mesazheve të ndryshme për fuqizimin dhe krijimin e një kohezioni social sa më të frytshëm për riparimin e zbehjes së bashkëjetesës fetare tek shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat