Çfarë është diplomacia ?

Opinione

Çfarë është diplomacia ?

Nga: MSc. Eraldo MEÇALLA Më: 29 qershor 2015 Në ora: 17:00

Diplomacia përbën “shtyllën kurrizore” të shtetit dhe kombit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Bazuar tek fjalori i Oxfordit, diplomacia konceptohet si menaxhimi i marrëdhënieve ndërkombëtare me anë të negociatave. Ndërsa diplomati brtitanik Ernest Mason Satow në librin “A Guide to Diplomatic Practice”, e përkufizon diplomacinë si: “Aplikimin e inteligjencës dhe taktit, në zhvillimin e marrëdhënieve zyrtare ndërmjet qeverive të shteteve të pavarura”.

Përkufizimi më i pranuar mbi diplomacinë është: Diplomacia është arti ose praktika e realizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare nëpërmjet negociatave, traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Metoda me të cilën këto marrëdhënie ndreqen dhe menaxhohen nga diplomatët pra Ambasadorët dhe të Ngarkuarit me Punë, cilësohet si puna ose zehja e një diplomati. Në këtë kuptim diplomacia është instrumenti themelor në zbatimin dhe përfaqësimin e shtetit në politikën e jashtme, kjo realizohet nga diplomati i cili përfaqëson shtetin dërgues dhe zbaton politikën e jashtme në shtetit e akredituar.
Diplomati britanik dhe teoricienti Sir Harold Nicolson, deklaron: “Diplomacia nuk është shpikje e as kalim kohe për ndonjë sistem politik të veçantë, por është element thelbësor në çdo marrëdhënie të arsyeshme ndërmjet njerëzve me njerëzit dhe kombeve me kombet”.

Cila është origjina e fjalës diplomaci ? Në aspektin historik fjala “diplomaci” vjen nga greqishtja e vjetër, që nënkupton një dokument me dy fletë, këtë koncept e morën dhe e zhvilluan romakët e vjetër, e cila mori formën e një leje pra dokument udhëtimi metalik i hollë i palosur në dy fletë. Kjo leje evoloi dhe u quajt “Diploma”, më vonë me ruajtjen, shpjegimin dhe arkivimin e këtyre dokumenteve vijmë në shekullin e 17-të, ku quhet “Res Diplomatica” dhe më pas në futjen e termit në diplomaci që nënkupton traktate dhe marrëveshje të ndryshme që nënshkruhen ndërmjet shteteve. Termin “Diplomaci” për herë të parë e ka përdorur në vitin 1796, Edmund Buke në Britaninë e Madhe.


Ku dhe kur lindi diplomacia ? Diplomacia ka pasur një rrugëtim të gjatë historik si teori dhe praktikë që lidhet me thellësinë e shekujve e me shtetet antikë si Kina, Roma e vjetër, Greqia e lashtë. Vetë diplomacia ka lindur nga lufta, nevoja për paqe, komunikim, kompromis për çështje jetike si territoret dhe uji në komunitetet primitive parashtetërore. Ndërsa formën e saj më të qartë dhe të konsoliduar ajo e merr me krijimin e qytet-shteteve Greke, konkretisht në vitin 432 para erës së re që mund të quhet edhe si lindja e diplomacisë. Në këtë periudhë Sparta përveç luftës, përdori diplomacinë dhe krijoi aleancën e parë të quajtur “Liga e Peloponezit”, lindi lidhja shtet me shtet, bisedimi, komunikimi dhe përpjekja për ngritjen e një sitemi diplomatik. Në këtë kohë kishim edhe përfaqësuesit e parë diplomatik në Greqi në formën e lajmëtarit, negociatorit dhe konsullit që ishin: 1.) Angeles – Prezbys. 2.) Keryx. 3.) Proxenos.

Zhvillimi historik i diplomacisë erdhi nga “Greqia e Lashtë”, “Roma e Vjetër” ndërsa në mesjetë kontributi erdhi nga “Perandoria Bizantine”, vazhdoi në mesjetën e vonë me “Rilindjen Europiane” që lidhet drejtëpërsëdrejti me Italinë, Fierencën dhe Milanon. Në këtë kohë lindi edhe termi “Ambasador” dhe u bë dërgimi i ambasadorit të parë nga Duka i Milanos në vitin 1455, sigurisht u zhvillua edhe teoria dhe praktika e diplomacise nga Nicolo Machiavelli i cili në vitin 1515 shkroi “Princin” dhe njihet për shprehjen “qëllimi justifikon mjetin”. Në fund të shekullit të 16 dhe fillim të shekullit 17, filloi etape e re për diplomacinë me kontributin e Francës së Luigjit 13-të dhe me Cardinalin Richalieu që njihet si sinonimi i “Raison d'etat” (Arsyeja Shtetërore).

Richalieu për herë të parë krijoi institucionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe pas Francës u krijua në Britanine e Madhe dhe SHBA. Në gjysmën e shekullit të 17 në vitin 1648 në “Kongresin e Vestfalisë” përfundoi edhe lufta 30-të vjeçare dhe u shënua fillimi i “Diplomacisë Klasike Europiane”, e cila vendosi funksionin e misionit diplomatik të përhershëm. Në vitin 1789, Franca përjetoi “Revolucionin Francez” i cili ishte në kundërshtim me parimet e “Kongresit të Vestfalisë”, ndryshimet për diplomacinë vazhduan në vitin 1850 me “Kongresin e Vjenës”, Aleancën e Shenjtë, Koncertin e Europës të cilët u përpoqën për krijimin e Rendit të Ri Europian. Shekulli i 19 ishte i qetë, por kjo mori fund me fillimin e Luftës së I-rë Botërore në vitin 1914, këtu “Diplomacia Klasike” njeh lulëzimin e saj më të madhë dhe njihet si Diplomacia e Vjetër, Tradicionale ose e Oborreve.

Etapat kryesore të zhvillimit të diplomacisë janë: 1.) Diplomacia klasike nga viti 1648 me Kongresi i Vestfalisë deri në Luftën e I-rë Botërore. 2.) Diplomacia Moderne nga mbarimi i Luftës së I-rë Botërore në vitin 1918, vazhdon me Luftën e II-të Botërore në vitet 1939 – 1945 deri në fillimin e viteve 1980 – 1990 , pra me përfundimin e Luftës së Ftohtë. 3.) Diplomacia Postmoderne filloi pas vitit 1990, pikërisht me “Rendin e Ri Ndërkombëtar”.

Ligji ndërkombëtar për kodifikimin e së drejtës moderne diplomatike dhe për mbrojtjen e diplomatëve u sanksionua përfundimisht në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961 dha në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore në vitin 1963. Aty përcaktohen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet shteteve, specifikohen priviligjet dhe imunitetet e diplomatëve dhe misionit diplomatik që të jenë të lirë në ushtrimin e profesionit. Qartësisht kjo konventë është guri themelor për diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Tre janë kategoritë e Krerëve të Misioneve Diplomatike sipas studiuesit Ralph G. Feltham në librin “Diplomacia”, si më poshtë: 1.) Ambasadorë, nuncë apostolike krerë të tjerë misionesh në rang të njëjtë. 2.) Të dërguar, ministra të jashtëzakonshëm dhe ministra fuqiplotë. 3.) Ministra resident. 4.) I ngarkuar me punë. Këto kategori të mësipërme janë përcaktuar që nga Kongresi i Vjenës, i cili themeloi shërbimin diplomatik.
Në bazë të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961, këto janë funksionet e diplomatit: 1.) Përfaqësimi i shtetit dërgues në shtetin pritës. 2.) Mbrojtja në shtetin pritës e interesave të shtetit dërgues dhe e shtetasve të tij, brënda kufijve të lejuar nga e drejta ndërkombëtare. 3.) Negocimi me qeveritë e shtetit pritës. 4.) Informimi me të gjitha mjetet e ligjshme për kushtet dhe zhvillimet në shtetin pritës dhe raportimi lidhur me ato të qeverisë së shtetit dërgues. 5.) Nxitja e marrëdhënieve miqësore ndërmjet shtetit dërgues dhe shtetit pritës, si dhe zhvillimi i marrëdhënieve të tyre ekonomike, kulturore dhe shkencore.
Aparati i posacëm shtetëror për zbatimin e diplomacisë përfshinë Politikën e Jashtme të shtetit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Shërbimet Diplomatike dhe Shërbimet Konsullore. Format dhe llojet e diplomacisë kanë evoluar, por disa nga më të rëndësishmet janë këto:

1.) Diplomacia Klasike. 2.) Diplomacia Moderne. 3.) Diplomacia Postmoderne. 4.) Diplomacia Tradicionale. 5.) Diplomacia e Fshehtë. 6.) Diplomacia e Hapur. 7.) Diplomacia Dypalëshe. 8.) Diplomacia Shumëpalëshe. 9.) Diplomacia e Samiteve. 10.) Diplomacia Bërthamore. 11.) Diplomacia Ushtarake dhe e Mbrojtjes. 12.) Diplomacia Parlamentare. 13.) Diplomacia Ekonomike. 13.) Diplomacia Kulturore. 14.) Diplomacia Personale. 15.) Diplomacia Tranzitore. 16.) Diplomacia Shtërnguese. 17.) Diplomacia e Qetë. 18.) Diplomacia Zyrtare. 19.) Diplomaci Publike. 20.) Diplomaci Qytetare.

Diplomati amerikan Leon B. Poullada, bënë këtë klasifikim të funksioneve të diplomacisë: 1.) Menaxhimi i konfliktit. 2.) Zgjidhja e problemeve. 3.) Ndërveprimi ndër-kulturor për një gamë të gjërë çështjesh. 4.) Negocimi dhe marrëveshja. 5.) Menaxhimi i programit dhe i vendimeve të politikës së jashtme të një shteti tjetër.

Sudiuesit Hans J. Morgenthau në librin “Politika ndërmjet Kombeve” i vitit 2008, përcakton tre funksione bazë të diplomatit për qeverinë e tij përgjatë shërbimit diplomatik:

1.) Funksioni Simbolik. 2.) Funksioni Ligjor. 3.) Funksioni Politik.

Diplomati është personi që emërohet nga shteti dërgues për të përfaqësuar dhe zbatuar Politikën e Jashtme në shtetin e akredituar me mision diplomatik. Këtu përfshihen Shtetet, Organizatat Ndërkombëtare, Institucionet Ndërkombëtare, Organizatat Rajonale, Organizatat Jo-Qeveritatare dhe Organizatat e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Për shkak të rëndësisë së detyrës diplomati duhet të posedojë dhe zotërojë njohuri shumëdimensionale në këto drejtime:

1.) Njohuri eksperti për gjeografinë, historinë, kulturën, institucionet, politikën, ekonominë, demografinë, burimet njerëzore, bujqësinë, financën, industrinë. 2.) Aftësi profesionale intelektuale për analizë, raportim, bisedim, negocim, përfaqësim, drejtim misioni, komunikim, prezantim në televizione dhe gjuhën e huaj përgjatë zbatimit të politikës së jashtme. 3.) Cilësi vetjake i sjellshëm, i qetë, i përshtatshëm, kurioz, i shkathët, kërkohen cilësi dhe njohuri të rralla për të qënë një diplomat i përkryer. Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961, e përcakton në këtë mënyrë përbërjen e personelit të misionit diplomatik:

1.) Kreu i misionit. 2.) Pjesëtarët e misionit. 3.) Pjesëtarët e personelit të misionit. 4.) Pjesëtarët e personelit diplomatik. 5.) Agjenti diplomatik. 6.) Pjesëtar i personelit adminisrativ dhe teknik. 7.) Pjesëtar i personelit të shërbimit. 8.) Punonjës privat.

Së fundi, mendimtarët e mëdhenj si Nicolo Machiavelli, Francesco Gurcciardini, Hugo Grotius, Cardinal Richalieu, Abraham de Wicquefort, Ernest Mason Satow, Sir Harold Nicolson dhe Henry Kissinger kanë lënë një ndikim të rëndësisë epokale për zhvillimin e diplomacisë, secili kontriboi në konceptimin teorik dhe praktik të diplomacisë. Sidoqoftë diplomacia është përshtatur, përshtatet dhe do të përshtatet me të gjitha zhvillimet dhe të papriturat që rezervon e ardhmja e marrëdhënieve ndërkombëtare. Siguria dhe paqja ndërkombëtare bazohen fortë tek diplomacia sepse me anë të diplomacisë mund të forcohet sistemi ndërkombëtar, e drejta ndërkombëtare dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në të gjithë globin. E ardhmja e diplomacisë është Diplomacia Globale, Diplomacia Kolektive, Diplomacia e Samiteve, Diplomacia Publike gjithmonë me hapin e kohës, sepse siç shprehet Hans J. Morgenthau: “Diplomacia është truri i pushtetit shtetëror”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat