Edhe Një Urim për kombëtaren "Bota sot"

Opinione

Edhe Një Urim për kombëtaren "Bota sot"

Nga: Gani Qarri Cyrih Më: 26 qershor 2015 Në ora: 09:57

Bota sot, është Bota jonë, Bota ime, e jotja, Bota e të gjithë shqiptarëve kudo ata ndodhen. Atyre në Atdhe, e veçanërisht e bashkëkombësve në Diasporë dhe ngado flitet e jetohet shqip.

Në këtë përvjetor festiv dhe çaste solemne me rastin e 20 vjetorit të daljes së kësaj gazete prestigjioze dhe ndër më të adhuruarat në vend e diasporë, urojë përzemërsisht të gjithë Stafin e saj drejtues, për punën e palodhshme dhe sukseset e arritura si dhe një vazhdimësi të mbarë e të pandalshme informative edhe për shumë vite të tjera.
Atëbotë, ashtu si të gjitha kombet edhe shqiptarët kishin nevojë për informim të shpejtë, të saktë dhe të drejtë ku do të raportohej në mënyrë reale dhe mbahej qëndrim korrekt e i arsyeshëm ndaj të vërtetës sonë.
Kështu që kombëtarja "Bots sot", lindi si nevojë e kohës, në ditët më të vështira për ne dhe për vendin, si një gazete e re dhe serioze e cila solli ndryshim në qasje dhe të menduar, si dhe një reflektim më real, mbi gjendjen dhe ngjarjet që zhvilloheshin atëbotë në vend e rreth tij.

Ndaj, që nga dalja e saj para 20 vitesh, kjo e përditshme u dëshmua si një ndër dritaret më të fuqishme e cila me rrezatimet e saj të veçanta, solli dritë edhe në shtëpitë e banesat tona, në shkolla e vend-punime dhe kudo përpiqej e veprohej me mend e dije, për të mirën e atdheut dhe çështjes shqiptare.

Madje përkundër presioneve dhe kalkulimeve të pareshtura, për dallim nga disa mediume tjera, faqet e kësaj gazete, mbetën gjithmonë vetëm kombëtare, pa u shndërruar për asnjë moment në trakte të politikave ditore.
Kjo e përditshme, për dallim nga gazetat tjera, në vazhdimësi mbajti një derë të hapur edhe për ne mërgimtarët dhe krijuesit në Diasporë, duke na mundësuar gjithmonë shprehjen e brengave dhe paraqitjen e mendimeve tona, mbi zhvillimet më të reja në vend dhe jashtë tij.

Që nga themelimi i saj, siç dihet pati edhe shumë sfida, por sado të shpeshta e të rënda që ishin ato, ajo përherë i kaloi me sukses.
Ndaj, të gjithë bashkatdhetarët, sot më shumë se kurrë, kanë arsye të forta që ta urojnë përzemërsisht këtë gazetë të madhe dhe prestigjioze, e cila përkundër të gjitha vështirësive, pandërprerë informoi drejt, saktë dhe shpejtë mbi çdo risi dhe zhvillim të rëndësishëm kombëtar e botëror.
Si një laborator i rezervuar për "kultivime rilindëse", të shumë ideve përparimtare nga personalitetet më të shquara të jetës politike, intelektuale, arsimore e shkencore shqiptare, historia e “Botës sot” kurdoherë ishte e lidhur ngushtë me historinë e Kosovës, perspektivën dhe rrugëtimin e saj, si dhe peripecitë e të gjithë shqiptarëve kudo.
Madje, ajo gjithmonë u dëshmua për misionin e saj fisnik në promovimin e vlerave kombëtare, duke u kthye në një zëdhënëse edhe të njerëzve të letrave shqipe, artistëve, intelektualëve dhe figurave madhore shqiptare që përherë ofruan dhe mundësuan jetësimin e shumë të arriturave për vendin dhe kombin në përgjithësi.

Gazetarët e saj, sakrifikuan shumë edhe për hulumtimin e padrejtësive dhe zbardhjen e së vërtetës, herë, herë, duke gërmuar thellë edhe në nëntokën misterioze që gërryente atdheun nga brenda, shkaqe për të cilat bashkëpunëtorët e saj më të mirë dhe më të guximshëm u sanksionuan me vrasje, plagosje e kërcënime të vazhdueshme, të cilat ani pse më të rralluara, dëgjohen ende edhe sot.

Si medium informativ që vazhdimisht u veçua për trajtimin me guxim dhe paraqitjen reale, të drejtë e pa-ekuivoke, të zhvillimeve politike e kombëtare në këto hapësira, kjo gazetë që atëherë paralajmëroi ardhjen e një “bote” vërtetë të re për vendin, mediat, opinionin publik dhe shprehjen e mendimit të lirë, veti me të cilat përvetësoi lexuesit kudo.
Promovimi i shkrimeve të guximshme e pa censurë, dhe emërtimi i fakteve dhe fenomeneve me emrin e tyre të vërtetë, e shndërruan këtë të përditshme në pasqyrë reale për paraqitjen besnike të ngjarjeve dhe zhvillimeve më aktuale te shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe të gjitha trojet tona etnike, deri te diaspora mbarëkombëtare kudo gjendet ajo.
Nëse dhënia me kohë dhe e drejtë e informacioneve trajtohet si interes publik, për gjithë këto vite, këtë më së miri e ka realizuar “Bota sot“ me shkrimet e saj dinjitoze dhe të paanshme duke ofruar shpesh edhe propozime konkrete për gjetjen e zgjidhjes së shumë çështjeve me rëndësi jetike për vendin dhe kombin tonë
Me punën e guximshme dhe profesionale, ajo, tha atë që të tjerët nuk guxuan apo edhe nuk deshën ta thonin, derisa politika pati shtri rrënjët në shumë mediume tjera në vend.

Ndaj, kjo edhe u kthye në dritare të shpresës për të gjithë shqiptarët, që i bënte dritë përparimit me sjelljen në vepër të së vërtetës, mbi gjendjen e rëndë të bashkëkombësve tanë, kudo ata ishin.

Dalja e saj ishte një moment ri për jetën e bashkëkombësve në vende të huaja,në faqet e së cilës,vazhdimisht gjetën vend brengat e bashkëatdhetarve larg atdheut dhe mendimet e njerëzve të letrave edhe në mërgim" ku ngjarjet dhe zhvillimet në atdhe, gjatë gjithë periudhës së saj 20 vjeqare, gjithmonë kanë zënë vend prioritar në këtë gazetë të guximshme kombëtare, duke raportuar në mënyrë përmbajtësore edhe mbi jetën dhe sukseset e mërgimtarëve në diasporë.
Ndaj si medium i cili gjatë gjithë kohës, ka kryer me sukses ,misionin fisnik të informimit jo vetëm të shpejtë, por edhe të drejtë e të paanshëm publik, të opinionit vendor e ndërkombëtar, ata që në këto momente duan ta urojnë "Botën sot" vërtetë janë të shumtë dhe të gjithanshëm, të cilës edhe në të ardhmen,i dëshirojnë punë të palodhshme, suksese të pandalshme, jetëgjatësi dhe festimin e shumë përvjetorëve të tjerë, bashkë me lexuesit e panumërt dhe besnikë që ka kjo gazetë.
Në shenjë falënderimi për gjithë ndihmesën e pakursyer e të gjithanshme, punën e tyre të palodhshme, informimin me kohë, të drejtë e real dhe bashkëpunimin korrekt, për vite me radhë me kombëtaren tonë „Bota sot“ Stafit të respektuar, Editorit, Kryeredaktorit dhe gjithë gazetarëve e bashkëpunëtorëve të nderuar të saj edhe unë u shprehë URIMET e mia më të përzemërta me rastin 20 vjetorit të lindjes dhe rritës së kësaj të përditshme, duke u dëshiruar shëndet e mbarësi dhe shumë suksese edhe në të ardhmen. Gëzuar!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat