“Zyra për ankesa”!

Opinione

“Zyra për ankesa”!

Nga: Fadil Lepaja Më: 5 maj 2015 Në ora: 14:41

“Alo, alo ...!” Duke e kujtuar këngën e dhimbshme e cila përflet “zemrën e sëmurë” të Don Zhuanit tonë lokal, do të thoni me vete se filluan temat verore! Do ti, vajton ai fatin e tij të mjerë në dashuri! Për të shprehur krejt këtë dhembje të mbledhur duq në zemrën e tij të lodhur nga emocionet që nuk marrin përgjigjen e pritur, ai përdorë metaforat nga më të krisura! Sikur opozita, nganjëherë! Çfarë nuk bënë për të i rënë në sy të dashurës së llastuar! E ajo, e preokupuar me rreshtin e pafund të “zemrave të thyera”, nuk po e vërente pikërisht atë! Ah! Poshtë qeveria, klithë ai, pa e kuptuar as vet se si vreri i jetës së përditshme përzihet me helmin e dashurisë! Definitivisht politikën tonë e ka zënë dashuria!

Për me e ruajt qetësinë në shpi , duhet qartësuar se nga të gjitha organet e trupit, në shkrimet tona mund të flitet vetëm për zemrën! Gjithsesi duhet të jetë në lidhje me dashurinë, duke u ikur të gjitha kombinimeve të tjera (para)politike të cilat kumbojnë nga raporte sekrete , trafiqesh, të formësuara tashmë edhe në dosje penale të gjykatave “glokale” të cilat kurrsesi nuk po arrijnë të marinë formë institucionale. Kanë mbetur , ende, veç poli(e)tikë! Politika nuk ka zemër mor vëlla, do të thoni, pse çuditesh? Ka veç sahat me zile, e cila bien çdo katër vjet.

Por, jo! I vetmi organ i cili kësaj radhe ka të bëjë me temën tonë është zemra! Dorën në zemër, pra, zemra si organ, në asnjë raport nuk përmendet si problematike! E kam fjalën për ato raporte të cilat herë pas herë e kërcënojnë qeverinë e cila, sidomos një pjesë e sajë, vazhdimisht është në ikje, por, sipas një formule që nuk po e kupton askush këndej, prapë e ke aty. Madje kur të tjerët nuk duan të e përzënë, ata “vetërrëzohen” për të u ngritur sërish edhe më të fortë! Sa më shumë që e “shpërlajnë” fuqinë, aq më të dukshëm po bëhen!

Këta veç fuqia dhe pesha e vet i rrëzon, po mendoja , duke mos arritur të gjeja formulë tjetër për oligarkinë tonë të shurdhër, e cila po bënë një jetë simbiotike me burokracinë tonë përplot merita, të cilën fundja vet e formësoi. Të gjitha levat e pushtetit,i drejton burokracia, e vendosur njëherë e mirë. Ministrat shkojnë e vijnë pa e kuptuar se si kaluan aq shpejt katër vite. Sistemi punon vet, edhe mos me pas qeveri fare!

Por, të kthehemi se e harruam zemrën! Por mos u bëni merak! Pastaj ku burokracia zemër or vëlla. Ajo ka vetëm xhepa. Politika sahat me zile, e burokracia ka veç xhepa! Kombinim që funksionon!

Por, lajmi i mirë është se, mund të dashuroheni pafundësisht! Derisa politika dhe pakujdesia e sajë brenda dy fushatave zgjedhore ka mbetur problem i përjetshëm i demokracisë tonë të brishtë, problemi i dashurisë, është zgjidhur! Qoftë në kuptimin kuantitativ dhe kualitativ.

Uh, po thosha me vete duke kujtuar ditët kur nuk i dalloja kualitetin prej kuantitetit dhe patatet prej domateve. Ishte ajo një kohë e largët. Tashmë patatet, falë politikës i kuptuam dhe i dalluam, se me domatet nuk kemi probleme politike, ndërkombëtare, por puna e kuantitetit dhe kualitetit ende ka mbetur e paqartë. Ke shumë lek, ky është edhe kualitet do të thoni, pra sasia e ndreqë jetën. Nganjëherë edhe madhësia, por... po flisnim për politikën dhe qytetarin!

Pra kujdes, me konotimet! Nganjëherë njëjtë i bie edhe imtësia! I keni parasysh ato rrotat e imta të mekanizmit social të quajtur burokraci, të cilët me rrotullimin e tyre të përditshëm dhe këmbëngulës rreth xhepave tonë, e kanë “mbështjellë veshkën” dhe jetojnë me gjithë të mirat kur qytetari i ynë, mezi e lidhë muajin me muaj, edhe pse kurrë nuk ndalon! Por, kjo nuk është temë verore, dhe bie kresë sikur dielli i sotëm.

Pra, zgjidhja për dashurinë dhe zemrat e thyera u gjet! Edhe zgjidhja doli të jetë , askush tjetër përpos, ...derri! “Estekfurullah”!

Mediat po thonë se, një grup mjekësh francez tashmë e zbuloi zemrën artificiale , e cila dikur refuzohej nga organizmi i njeriut për shkak të përbërjes së sajë plastike. Pastaj, vet materiali është krejtësisht “out” prej lojës së dashurisë! Provoni të i dhuroni vajzës një lule plastike?!

Por, tash me material të bërë nga lëkura e derrit ajo jo vetëm që nuk refuzohet, por pacientët e moshuar kanë filluar të shijojnë jetën e tyre të re, që ua fali ...derri. Kishte dhe ka ende dyshime për paraardhësit, kushërinjtë e largët humanoid, prej të cilëve flitet se e kemi origjinën, por zemra e “majmunit’ nuk e mban, presionin e emocioneve njerëzore. Derri po!

“Derr i kënaqur, apo Sokrat...i vuajtur” kjo po që ishte një dilemë shumëshekullore, ku fitues i padyshimt ishte derri. Sokrati si gjithnjë, në mënyrë metaforike e pi helmin e komunitetit.

Derisa po e ngisja veturën drejt zyrës në njërën nga kodrat e Prishtinës, po e dëgjoja me një vëmendje të përgjysmuar “Zyrën për ankesa”, një emision ky radiofonik, ku qytetarët thërrasin për të përplasur problemet e tyre te moderatori! Shumica prej tyre edhe mbesin aty, duke humbur në një përsëritje të herëpashershme sikur eho në një shpellë të thellë! Thjesht humbet edhe valëvitja e fundit e zërit nëpër “shkëmbinjtë” e burokracisë shumëkokëshe e cila dihet vetëm ku fillon e kurrsesi ku e mbyllë ditën duke numëruar lekët e zhvatura nga qytetari!

“Alo qeveria”, “Alo kryetari”, thërrasin në “zyre”qytetarët me ndjenjën se po flasin me të përzgjedhurit e tyre, të cilët pasi i morën votat, ikën secili punës së vet, me sloganin tradicional: “Shihemi pas katër vitesh”

Eho e zërit të lodhur të qytetarit valëvitet trishtueshëm nëpër përditshmërinë tonë dhe përzihet me filikaqën e policit të komunikacionit i cili as vet nuk e di pse po i bjen. Po kalon dikush me tabela të koduara, të cilat veç ai si duket i kupton!

Alo,alo...a është kush andej?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat