Pastrimi i njollave tek “jak bardhët rajonal”!

Opinione

Pastrimi i njollave tek “jak bardhët rajonal”!

Nga: Genc Xërxa, Sociolog Më: 28 prill 2015 Në ora: 18:44

Pse duhet shikuar më larg pak pozitën e Kosovës jo vetëm nga aspekti i brendshëm politik, social, ekonomik por të tentohet të shihet pozicioni pak më larg, të një programi, vizioni që do përfshijë edhe aspiratat rajonale apo integrimet e tilla, qofshin ato të afërta, të cilat domosdo do e integronin këtë vend edhe më gjerë në rrjedhat euro-atlantike?! Pra, pa një integrim të afërt rajonal ne assesi nuk do mundemi të integrohemi në sisteme më të gjera ndërkombëtare, pa i kaluar dallimet me fqinjë, pa marr parasysh vështirësitë të cilat do na shfaqen drejt integrimeve, qofshin ato regjionale apo më të avancuara.
1. Së pari duhet që ky rajon, apo vendi jonë në përputhje me vendet fqinje të bëjë një “detoksim” apo dehistorizim të rajonit. Vendet në rajon ende po ballafaqohen me histori glorifikuese dhe imponim identitar karshi tjerëve dhe që janë determinues për dallime në komunikim, ku njëra palë, apo subjekti në fjalë detyrimisht mban primatin ekskluziv në tentim dominimi ndaj palës tjetër duke u thirrur në mos-tolerancë “mite, histori dhe vokabular nacionalist”, kjo gjendje e pengon detyrimisht afrimin mes veti dhe njëkohësisht zgjeron dallimet, keqkuptimet mes veti. Nevojitet një debat i brendshëm dhe rajonal me qëllim të kalimit të naracioneve të tilla konfliktuoze, nacionale, etnike, religjioze me qëllim të krijimit të një klime stabile për hapat e parë që të ndërmerren dhe projeksioneve afirmuese zhvillimore në dobi të secilës shoqëri në korelacion të ndërveprimit të përbashkët, e jo kthimit në histori dhe tentimit që të përmirësohen gabimet e bëra dikur. Nuk jemi duke jetuar në rrethana të tilla të dikurshme. Unë mora një nga disa aspekte në të cilat vëra theksin që nevojiten përmirësime dhe vizion të qartë drejt rrugës integruese, por njëkohësisht çlirimit nga ndjenjat arkaike patriotike.
1(a) Sot patriot mendoj se quhet ai person i cili nuk është i përfshirë në krim, paguan taksat e vendit dhe njëkohësisht ndihmon në ruajtjen e rendit dhe qetësisë civile, si një qytetar i integruar në shoqëri dhe gjithnjë kontribuon që vendi dhe shoqëria e tij të ketë ditë më të mira. Pra patriotizmi sot nuk është fjalë abstrakte, ngjyra simbolesh, retorik, diskurs popullistë ose “imponim muskulor”, por matet me vlera konkrete të cilat çdo pjesëtar i shoqërisë duhet t’i përmbush, nomeni përshtatet gjithmonë me rrethana ekzistuese dhe ato tani në raport me kontekstin në të cilin ne jetojmë tani, mund të themi se shume kanë ndryshuar. Duhet shmangur kurtheve nacionaliste shoviniste të cilat ky rajon ka barrë mbi supe dekadat e fundit, njihet sidomos nacionalizmi ekspansionist serb, të cilit i vihen të gjitha dëmet e shkaktuara ndaj popujve në fjalë, në ish RSFJ.
2.Rruga apo trasim i dytë duhet të jep sinjale të forta liberale apo avancim i drejtave dhe lirive të njeriut pa marr parasysh gjininë, preferencat private, religjioze, etnike, nacionale duke e ngritur shoqërinë si artikulues i shprehjes së lire, por detyrimisht duke respektuar ligjin rendin ekzistues dhe jetën e mirëfilltë institucionale, e cila do burojë nga mekanizmat më të avancuar në aspektin administrativ, siguri publike, ekonomi e dekriminizuar dhe lëvizje e lirë mes faktorëve relevante, me një fjale, shoqëri e hapur ndaj të mirave të mirëqena dhe kalimi i koncepteve nga ato feudale apo bashkësive kolektive, në një stad më të avancuar në një shoqëri shumë dimensionale, ku pikë referimi do ishin vlerat më të avancuara të jetës bashkëkohore në përputhje me intelektin, kultin dhe komunikimin reciprok aktual!
3.Qeverit apo shoqëritë në pakt me qëllim te avancimit të kësaj pjese evropianë, njëkohësisht ju nevojitet edhe një bashkëpunim i paprecedent institucional në luftimin e krimit dhe korrupsionit “legjitim qeverisës”. Me një demokratizim apo pavarësi institucionale do luftohej në të gjitha të këqijat që një qeveri mund t’i ketë në përbërje, nepotizëm, konflikt interesi, korrupsion, shpëlarje parash, shpërdorim i detyrës, etj, fenomene të cilat e ngadalësojnë zhvillimin e vendit dhe e kthejnë atë në një cikël vorbe të një “kodi mafioz” në të cilën diskursi i vetëm që imponohet në teren është jo ligjshmëria dhe frika nga klanet e caktuara të grupeve të interesit, që do i udhëheqin vendet e tyre në rrugë të mos perspektivës. Pra, luftimi i” jak bardhëve” krijimi i një klime të favorshme për tejkalime të situatave problematike dhe meritokracia institucionale në vende kyçe apo të përcaktuara udhëheqëse e përcjellë me një bagazh të mire, së pari kulturor e intelektual dhe me një sedër, moral profesional të paluajtshëm, ose me një ekip apo elitë të tillë udhëheqëse, parim që nuk do bënte që të gjunjëzoheshin asnjëherë ndaj, lakmisë, smirës, grykësisë dhe në asnjë situatë duke mos u bërë pre e retorikave nacionale, folklorike apo glorifikime të së kaluarës në qëllim të ruajtjes së pushtetit. Mendoj se me një grup të tillë që shohin para e jo mbrapa të zhytur në kurthe indoktrinuese historike, duhej që vendi dhe rajoni me një ekip/e plotësisht vizionare në përgjithësi mund të kishte gjasa të ecte para!
4. Integrimi si do fillohej? Pikënisja më e mirë do ishte nga tereni, aspekti i sigurisë së përbashkët, luftimi i krimit të organizuar dhe bashkëpunimi i resorëve përkatëse, komunikimi i ndërsjellët administrativ, lëvizja e lirë mes shteteve vendeve rajonale, lehtësira rrugore të komunikacionit apo transportit të mallrave dhe tregtisë në mënyrë reciproke. Nisje e përbashkët ekonomike, bashkëpunim korporatash, tregjesh, me qëllim imponimi në suaza ndërkombëtare, duke rritur kualitetin dhe standardet e kërkuara me konventa të paracaktuara në bazë të stimulimeve të ndryshme ekonomike nga institucionet vendore relevante. Komunikim edukativo-arsimor, kulturor si dhe njohje reciproke me qëllim të rritjes së resurseve të tregut të punës, dhe avancimin e mobilitetit social. Bashkëpunim në segmente energjetike, komunikuese, resurse të ndryshme, qofshin ato përpunuese apo lëndë të para etj.
Përmendëm vetëm disa aspekte të disa segmenteve sociale politike, të cilat duhet sinkronizuar në mënyrë të vazhdueshme, konsistente, në raport me gjeostrategjinë unifikuese të rajonit i cili si tërësi mund të injektohet apo kyçet në rrjedhat e përbashkëta evropiane, gjithsesi duke iu shmangur ambiguiteteve politike apo animeve dualiste në tentim integrimi apo derivimi tek pakti kundërthënës ndaj politikave euro-atlantike, të cilat disa vende të rajonit ende luajnë në “kartën” e tillë dy kuptimësh, pra përcaktimi duhet të jetë i drejtë pa hile dhe duke ndjekur rrugën sa më të lehtë dhe të shpejtë drejt shoqërive të avancuara bashkëkohore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat