Kafja e ftohur në Beograd

Opinione

Kafja e ftohur në Beograd

Nga: Fadil Lepaja Më: 28 prill 2015 Në ora: 10:43

Askush nuk e di kah do të shkojë Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës! Premtoi se do të jetë në Beograd e përfundoi në Stamboll, më saktë në “Canakkale”, ku edhe e kaloi ditëlindjen e tij , në ambiente krejt festive, pasi me 25 prill, turqit po e festonin betejën e tyre të madhe, nga lufta e parë botërore! Atëherë, kur në aleancë me gjermanët, kishin mundur koalicionin Angli, Francë....!

Me një fjalë, Europa kundër Europës! Kështu ishte atëherë!

Ndryshe prej serbëve, të cilët u shqetësuan nga vizita e tij, e paralajmëruar, turqit ishin krejtësisht të relakësuar edhe pse për dallim, paraardhësit e tyre të famshëm “na kishin nderuar me prezencën e tyre, në trojet tona” për jo më pak se rreth 500-600 vjet. Gjynah që asokohe, si do të thoshte kryeministri Rama, nuk kishte celularë dhe internet, pa do të kishim aq shumë fakte për këtë lumturi shumë shekullore! Kështu, disa zëra historianësh që tash merren me cikërrima, se ne ishim të pushtuar, i mbulon zhurma e perandorisë së re, e cila po na bindë se me të parët tonë nuk ankoheshin. Për 500-600 vjet nuk bënë zë! Pra, ishin të lumtur! E ne, nuk pranojmë të ketë ndodhur asgjë për çka nuk e gjejmë të dokumentuar në “google” apo në “Youtube”.

Nejse, tema e sotme është vizita e vetë paralajmëruar në Beograd, kryeqendra kjo e njërit prej dy vendeve me të cilat përgjatë historisë dhe sipas disa historianëve, na lidhin kujtime të “ëmbla”! Si i shkrepi , Ministrit tonë të Jashtëm, aq papritmas të deklaroi se me 24 prill do të jetë pikërisht në Beograd? A do të festohej ditëlindja e tij në “Beogradin mbi ujë” apo në ... kush e di ku e kishte planifikuar të këndonte serenatën e vet, politike, ministri i jashtëm serb?!
Tash ka mbetur goxha e paqartë, në kishte apo jo, ndonjë ftesë! Për zv.kyeministrin dhe ministrin e jashtëm, ky udhëtim, më tepër simbolik, gjithsesi do të ishte një hap i madh, drejt ...Europës! Se rruga e tij për në Europë, kalon nëpër Beograd. Sllogani “Dielli lindë në perëndim” i cili përmbledhë në mënyrë metaforike orientimin qytetërues të shqiptarëve tash është zhvendosur në veri. Jo me dëshirën tonë natyrisht, por është, pak a shumë një kusht i perëndimit! Ejani nga veriu, jo nga perëndimi, po na sugjerojnë! Eh, sapo e mbaruam rrugën e kombit! Andej mund të shkojmë veç në det!

Por i refuzuar dhe i kërcënuar publikisht, e madje edhe zyrtarisht me arrestim nëse shkon në Beograd, pa ftesë të vlefshme, pra formale nga qeveria e këtij vendi, z.Thaçi vendosi me i ra rrugës së moçme, për në Europë! Përmes Stambollit. Me 14 prill ai tashmë ishte në festimin e betejës së famshme të luftës së parë botërore ku aleatët tonë luftuan kundër ... aleatëve tonë! Se tashmë, nuk ka më armiq! Të gjithë i kemi aleat! Madje edhe Serbia, vetëm se ajo ende nuk po e kupton këtë!

Si njoftojnë mediat, ato të informuara mirë, në vend të ftesës zyrtare, për të vizituar Serbinë, në adresë të Qeverisë së Kosovës, nga ana e Zyrës së Republikës së Serbisë në Prishtinë, arriti një letër tjetër zyrtare ku përpos që përmendej emri i z. Thaçi, përkujtohej “fakti” se në Serbi ende ekziston një vendim i plotfuqishëm, i një gjykate të rregullt, me të cilin zëvendëskryeministri ishte shpallur i fajshëm për terrorizëm dhe ishte dënuar me një dënim afatgjatë, me burg! Në mungesë!
Të shqetësuar, nga vizita e mundshme, qeveritarët serb u ngutën të flasin për shtetin ligjorë, pavarësisht se çdoherë kur përmendet shteti ligjorë dhe Serbia e viteve të 90-ta në të njëjtën fjali, kjo edhe te diplomatët e përmbajtur, shkakton një (për)qeshje të ftohtë!

Nejse, u komplikua situata! Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm, nuk shkoi në Beograd, por shkoi në Turqi. Kjo për të kujtuar serbët se, ne nuk jemi hidhëruar me ta. Kur kemi falur 500 vjet robëri, as që bëhet fjalë për 100 vjet! Fundja çka janë 100 vjet, krahasuar me 500-600! Matematikë”logjike”! Politike!
E në Beograd, pas hutimit të parë, filloi zënka publike! Kush e ka thirrur “gjarprin”? Mediat, të frikësuara se një vizitë e tillë edhe mund të ndodhë e kërcënuan me vetiniciativë ministrin e jashtëm të Kosovës, me arrestim! E në Qeverinë serbe po e pyesnin njëri tjetrin: e ftove ti? Po ti? Përgjigjja e zakonshme ishte: Unë jo! Për zotin, jo!
Kryeministri serb, thuhet të e ketë pyetur aq ashpër ministrin e vet të jashtëm sa ai edhe publikisht u detyrua të deklarohet se nuk ishte pikërisht ky ai momenti i duhur kur dy ministrat e jashtëm të pozonin përpara gazetarëve kureshtarë të cilët nuk po ngopen duke parë dy ish armiqtë duke quar dashuri verbale, pra politike, e duke pirë kafe. Përfundimisht, kafeja ...bënë punë!

Pra, ministri Daçiç, njihet si qejfli! Merakli i verës dhe muzikës, dhe thuhet se ai nuk pret që të e lusin shumë për të kënduar serenata! Edhe për qefin e kryeministrit Rama, thuhet të ketë kënduar “O sole mio”! Patjetër se edhe për kolegun e vet kosovarë, do të këndonte! Tash, se çfarë do të këndonte nuk mund të dihet, e ne nuk duam të lëshohemi në nivel spekulimesh! Por, do të këndonte! A nuk është kjo vetvetiu, mjaft?
Serbët, thonë: “Kush këndon, të keqen nuk e mendon“!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat