“Bombat e Zaevit” që duhet të plasin për shpëtim te Kosovës

Opinione

“Bombat e Zaevit” që duhet të plasin për shpëtim te Kosovës

Nga: Nijazi Muhamedi Më: 28 prill 2015 Në ora: 09:41

Takimi i dy karabullakëve politikë në Prishtinë, ministrit të punëve të jashtme të Kosovës, Hashim Thaçit, që i pëlqen të thirret me dy emra postesh, dhe nuk kujton se del i qeshur, dhe i Ali Ahmetit, kryetar i partisë së mercenarëve shqipfolës në qeverinë e Maqedonisë, ka turbulluar ligsht ditën e parë të javës të qeverisë kosovare, duke lënë shumë pështjellime në opinion se çfarë gajleje kanë patur këta të dy për ta kurdisur turrshëm një pjekje këso dore.
Në konferencën për shtyp, këta të dy rrotulluan e mbllaçitën ca akradabra që shtien gërditje dhe mërzitje ndër shqiptarë, nga të cilat lanë me kuptue ,për ata që i njohin punët në të dyja këto anë shqiptare, se më tepër ka qenë zori prej pengu i të dyve që i kish trazuar për t’u pjekur dhe mbaruan konferencën ,duke e mbështjellë këtë pjekje me çarçafin e “shqetësimit mbarëshqiptar”, që, në të vërtetë, me edhe me foto u doli se ata i ka bashkuar dhe i bashkon “shqetësimi për idealet kominteriste-promaqedone dhe proserbe, ndaj edhe për merak të këtij shqetësimi flamurin prosllav e vunë në anë të djathtë të flamurit shqiptar , dhe duke vazhduar me fjalë se ata të dy ndjehen mirë në këtë zhdredhje politike shqiptare, dhe ashtu duhet të ndjehen edhe delet shqiptare që kanë bërë zgjedhjen e tyre”, se do fërkojnë zgjeben e tyre politike mbi shpinën e shqiptarëve në Maqedoni ,duke u dhënë “mbështetje të fortë” hajdutëve dhe mercenarizmit të tyre politik në qeverinë e Maqedonisë”, e që vjen me thënë-hajdutët do mbështesin hajdutin dhe do jenë të fortë. Folën e thanë kështu, si tash dhe si përherë, papagallçe e pa turpe, dhe ndoshta kujtojnë se lanë mashtrimin e ri mbi “opinionin mbarëshqiptar”(!).
Kjo pjekje “shokësh idealesh të huaja”, përveç protokollit çorroditës bërë për pritjen e një deputeti “shqipolës” me nishane shtetërore joshqiptare, i la hije turpi edhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, se u tregua se edhe ky faktikisht nuk është kryeministri i vërtetë i Kosovës, as edhe i LDK-së ,kur nuk mund të fshihet më fakti se punët e tij qeveritare i bën , i pështjellon dhe i turpëron “zëvendëskryeministri” Hashim Thaçi. Ky rast duhet të nxisë LDK-në për reflektim ,se a i duhet një kryeministër që ha turpin e nënshtrimin me bukë vetëm për të qenë kryeministër.
Shqiptarët në Maqedoni, ky zotni popull , si e ka nderuar me fjalë Eqrem bej Vlora, krekosjen me shtirësi, krekosjen kallpazane “mbarëshqiptare” të Thaçit se “do mbështesë fuqishëm” xhambazin e interesave të tyre kombëtare, Ali Ahmetin, i pritën ftohtë si fjalë shëmtie dhe poshtërimi, si fjalë që lëndojnë dinjitetin e vullnetit të tyre të mëvetësishëm demokratik, ndaj edhe s’do ta lënë pa ia dhënë mesazhin e tyre të dinjitetshëm se nuk i fërshëllejnë fjalë-shëmtitë e zaptuesve dhe të përçudnuesve të këtij dinjiteti, nga cilado anë shqiptare që të vijë dhe që yshtet e nxitet për interesa të huaja, apo nga zori i peng zënies së kallpazanëve “kombëtarë” në kurthe të huaja.
Të indinjuar nga kjo shëmti kombëtare që ndodhi dje në Prishtinë, shqiptarët në Maqedoni, me të drejtë të madhe morale do t’i shtyjë të kërkojnë nga Zaevi i opozitës maqedonase plasjen e “bombave” të përgjimeve që lidhen “në orë jashtë pune”, të cilave Zaev, si përmendi “ua ka hequr fitilin për arsye gjoja korrektësie”, por që dihet se janë në orë “xhambazllëku” të Thaçit për bashtina ndërtimi në Cair të Shkupit dhe në Gostivar dhe xhambazllëqe cigaresh në doganën e Bllacës, etj, me njerëzit e Ali Ahmetit dhe të tjera xhambazllëqe dhe punë të pahijshme saunash të paguara nga qeveria e Maqedonisë për ndonjë ish ministër të tij të ,mbrojtjes të tij ,etj, etj. Dhe, kjo trimni për t’i plasë bombat e shkrehura mund t’i kërkohet bie fjala ta bëjë pikërisht në ditën e “mbledhjes së përbashkët’ që do ta bëjnë, dhe kështu shqiptarët në Maqedoni me këtë sebep, si do ta shpëtojnë veten nga zhambazët e tij të ligshtë, do ta shpëtojnë edhe Kosovën, ashtu si e kanë ndihmuar dhe shpëtuar me madhninë e tyre të ndjenjës kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat