Pse duan ta shuajnë Kosovafilmin?

Opinione

Pse duan ta shuajnë Kosovafilmin?

Nga: Gani MEHMETAJ Më: 31 mars 2015 Në ora: 12:34

Kosovafilmi është shtëpi për prodhimin, distribuimin e shfaqjen e filmave. Kinematografia shqiptare e Kosovës në dyzetë vjetet e fundit identifikohet kryekëput më këtë shtëpi filmike, e cila u bë emblemë dhe sinonim i suksesit.

Në periudhën pas luftës (1999), Kosovafilmi megjithëse prodhoi disa filma të suksesshëm, që u shfaqën e morën çmime ndërkombëtare me peshë, në vend se të mbështetej me të gjitha mjetet e me të gjitha mundësitë, qarqe të caktuara ia nisën goditjeve të njëpasnjëshme.

Në ligjin për kinematografi (2004), i aplikuar pas vitit 2008, veprimtaria prodhuese e Kosovafilmit u kufizua, ndërsa ministrat e papërgjegjshëm ligjin gjysmak e të dështuar ende pa nis aplikimi i tij, e morën për sinjal që ta shuanin tërësisht produksionin më të vjetër e më të suksesshëm të Kosovës.

Në draft ligjin e ri (2015), emri i Kosovafilmit është shlyer sikur të mos kishte vepruar kurrë! Nuk përmendet prodhimi i filmit, nuk përmendet kinoteka e Kosovafilmit, apo arkivi filmik, madje nuk përmendet as në dispozitat kalimtare. Kundërshtimet e pjesës më të madhe të kineastëve, në debatin që e organizoi MKRS-ja, dëshmuan se ata nuk pajtohen me këtë veprim arbitrar të kreut të ricikluar të komisionarëve të caktuar nga MKRS-ja. Asnjëri nga debatuesit (producentë, aktorë, skenaristë, regjisorë, organizatorë), nuk u pajtuan dhe nuk e pranuan aktin e shuarjes së këtij institucioni. Asnjëri nuk e kuptoi pse synohet zhbërja e institucionit më të suksesshëm kulturor të Kosovës. Kreu i përpiluesve që kishin dështuar në ligjin për kinematografi (2004), ndërsa e plotësojnë ligjin e ri, nuk e tha asnjë arsye pse duhet të shuhet Kosovafilmi. Pati përpjekje të arsyetohet kinse Kosovafilmi është ndërmarrje si të gjitha ndërmarrjet për prodhimin e patateve, bie fjala, por ky institucion ka prodhuar filma, pra të mira kulturore e jo patate.

Kosovafilmi ka një objekt 3000 metra katror, ka katër hektarë tokë në rrethin e parë dhe njëzetë hektarë në rrethin e dytë, që ende figurojnë në emër të këtij institucioni. Pse të mos shfrytëzohet kjo hapësirë për veprimtari kulturore? Kinoteka, arkivi i filmit, prodhimtaria e të gjitha shtëpive filmike në vend, mund të futet në një kulm, madje këtu mund të gjejnë vend edhe një ose dy kinema, meqë së shpejti nuk do ta kemi asnjë kinema në Prishtinë. Pse të privatizohet ndërtesa e pasuria e Kosovafilmit që është me vlerë të veçantë, vetëm se këtë e duan një grup biznesesh që e privatizuan Kosovën me çmime simbolike. Pse të mos bëhet thirrje publike që të lirohet objekti i Kosovafilmit, i cili është paguar ma paratë e taksapaguesve të Kosovës.

Në kohën kur prodhimi i filmit origjinal ka rënë si asnjëherë më parë, në kohën kur distribucioni e shfaqja e filmave po shuhet, në kohën kur e vetmja kinema e kryeqytetit është në fazën e falimentimit, sepse ashtu do Agjencia e Privatizimit, pse duhet ta shuajmë edhe Kosovafilmin, emblemën e kinematografisë së Kosovës. Pse t’ua falim tregtarëve objektin prej 3000 metrash katrore me privatizim, kur mund ta bëjmë qendrën më të madhe filmike e multimediale në Ballkan.

Kosovafilmin e ka themeluar Kuvendi i Kosovës me 1969. Draft ligji i ri do t’i paraqitet qeverisë, e qeveria do t’ia paraqesë Kuvendit. A thua do të bëjë ballë qeveria e Kosovës ta propozojë shuarjen e institucionit më të rëndësishëm kulturor të Kosovës? Po Kuvendi i Kosovës do ta pranoj këtë propozim ligj? Cilët deputetë do të ngrehin gishtat që të shuajnë Kosovafilmin? Ku është interesi i shtetit dhe i Kuvendit për këtë gjenocid kulturor? Duhet t’ua kujtojmë qeveritarëve dhe kuvendarëve se Kosovafilmin një herë e shoi qeveria e S. Milosheviqit. Por, prapë u ringjallë si feniksi nga hiri pas vitit 1999. Veprimi i një qeverie okupatore kuptohej, por si ta kuptojmë veprimin e qeverisë sonë? Pse duhet të ndjekim hapat e njëjtë për një institucion tonë kulturor kombëtar? Pse ta tjetërsojmë një objekt kulturor, duke e shitur si fabrikat e dështuara, në kohën kur nuk e kemi asnjë objekt kulture për të qenë?
Ps. Autori është drejtor i Kosovafilmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat