Cilat bomba (s’)do ta forcojnë PDSH-në e vitit 2015?

Opinione

Cilat bomba (s’)do ta forcojnë PDSH-në e vitit 2015?

Nga: Shkruan Musa Lamallari (Tim Shkupi) Më: 3 mars 2015 Në ora: 17:47

Zoran Zaevi po e amneston BDI-në dhe po mundohet ta kërcënon PDSH-në me fushatë parazgjedhore, pa prova dhe fakte!
A janë përfaqësuesit e BDI-së të përfshirë në kriminalitet, nuk kemi nevojë ta dëgjojmë nga Zoran Zaevi? A presim nga bombat e tij të dëgjojmë se cilët prej përfaqësuesve të BDI-së janë të involvuar në kriminalitet, nuk ka dyshim se secili shqiptar me padurim pret të dëgjojë zërin e tyre si kanë abuzuar, frikësuar, shantazhuar, viktimizuar dhe kriminalizuar për 12 vjet rresht me segmentet më të rëndësishme të interesave shqiptare në Maqedoni.

A është PDSH-ja si parti opozitare nënkontrol të VMRO-së, nuk kemi nevojë ta dëgjojmë nga Zoran Zaevi? Nuk është diçka e re. Një akuzë e këtillë, tash një kohë të gjatë, sillet e pështillet në formë të orkestruar nga BDI-ja dhe sehirbazët e tyre mediatik Alsat Makedonski, Zhurnal, Koha, Almakos, Portalb, që janë urëlidhëse mes BDI-së dhe LSDM-së, sikurse një akuzë e këtillë e njejtë vjen edhe nga ish-funksionarët e dikurshëm të korruptuar të PDSH-së, që sot janë përjashtuar dhe larguar nga partia pikërisht për shkak të korrupcionit dhe devalvimit të përcaktimeve programore. A presim nga bombat e Zaevit të dëgjojmë si e kanë përgjuar Menduh Thaçin, kërcënuar dhe shantazhuar, nuk ka dyshim se presim, por kurrë nuk do t’i dëgjojmë prej Zoran Zaevit, sikurse nuk do ta pranojnë as LSDM-ja, as VMRO-ja dhe as BDI-ja kërkesën e PDSH-së për një Komision hetimor në Parlament të udhëhequr prej saj!

Nëse ka diçka që do ta argumentonte me prova dhe fakte satanizimin e skajshëm të kryetarit aktual të PDSH-së, z. Menduh Thaçi, do ta bënin të larguarit, të përjashtuarit nga PDSH-ja para Zoran Zaevit, në rend të parë (nëse janë të pastërtë si loti) do ta bënin të larguarit e fundit z. Zijadin Sela dhe z. Refet Elmazi, sidomos ky i fundit që ka kontrolluar nga posti i MPB-së 2006 – 2008 segmentet e korrupcionit dhe krimit të organizuar në Maqedoni.

Almakos, e Semi Mehmetit (djali i Kim Mehmetit) dhe Tetovasot, e Rami Misinit, (puthadorë i dikurshëm i PDSH-së) para Kongresit të 6 të PDSH-së kanë luajtur një lojë shtrigash, kanë dashur ta sulmojnë aty ku kanë menduar se mund ta lëndojnë PDSH-në më së shumti, por përpjekja e tyre mbeti e kot, deri sa edhe vet gjatë bisedës së tyre si hafije (për 1 ose 1000 euro) e pranojnë se figura e Refet Elmazit është negative, kurse tjetri i thotë se Refet Elmazi ka strukturë dhe mund ta dëmtojë Menduh Thaçin. Nuk bëhet fjalë për prova dhe fakte, por për kampanjë, gjuajtje me gurë pas shtrigave në favor të LSDM-së dhe BDI-së.

Akuzat e BDI-së (Interpromet dhe Sushiko) për Menduh Thaçin

Vijmë të akuzat e BDI-së për Menduh Thaçin. Njëra për Interprometin dhe tjetra për një takim në pikër ditës, para kuislingëve të BDI-së, me drejtorin e Sigurimit Shtetëror, Sasho Mijallkov në Sushiko. Cila prej këtyre akuzave mbështetet në prova dhe fakte se kryetari i PDSH-së ka abuzuar me përfaqësimin e shqiptarëve në Maqedoni? Sjelleni një provë, një fakt, një argument? Asgjë më shumë, por e tëra mbetet vetëm folk-patriotizëm i panevojshëm dhe pjesë e fushatës për satanizimin e opozitës shqiptare, pasi PDSH-ja ka një stazh të gjatë në opozitë dhe jashtë institucioneve ekzekutive në përfaqësim. Nëse mendoni se kandidimi i Iljaz Halimit ka dëmtuar interesat kombëtare, atëherë ju nuk jetoni në tokë, por në ndonjë planet tjetër dhe mund të mbani inati deri në ditë të kijametit, sikurse që për inat të hipokrizisë së idesë për president koncensual 40 mijë shqiptarë dolën dhe e votuan, duke treguar se nuk jemi të gjithë tufa dhensh dhe sallata të Ali Ahmetit.

Pse nuk del vet Ali Ahmeti të flet për Interprometin? Pse vet Ali Ahmeti nuk merr guximin të tregojë si ka dashur me intriga të mos privatizohet Interprometit nga shqiptarët e Tetovës? Jo në 2014, por shumë më heret. Pse nuk del vet Ali Ahmeti të na tregojë se cilët janë ata shqiptarë, që kurrë në opinion nuk u përmenden emrat, por janë tajkunat kryesor që i kanë shfrytëzuar mjegullat e BDI-së për 12 vjet rresht duke përfituar me biznese të ndryshme në kurrizë të interesave shqiptare? A mos, vallë, që të mirresh me biznes, të futesh në konkurencën e tregut, duhet të largohesh nga PDSH-ja, nga bindjet e djathta politike dhe të marrish librezën e kaltërtë të BDI-së? A mos, vallë, të qarkullosh, frekuentosh, të ulesh në Sushiko, duhet të shkosh të marrish leje tek guskat e BDI-së, si në kohën e Enver Hoxhës? Çfarë provash ka dhënë Ali Ahmeti se respekton lirinë dhe demokracinë, mendimin ose qendrimin ndryshe të shqiptarëve? A nuk e ka thënë Menduh Thaçi haptazi:”Për ta ndalur zullumin e banditëve të BDI-së mbi shqiptarët, duhet t’i them Gruevskit, bosit të Ali Ahmetit, ndali se do të bëhet belaja!” Në çdo takim me diplomatë të huaj e thekson se tek shqiptarët nuk ka liri, as demokraci, por ka varfëri dhe vjedhje votash toptan në të gjitha cikluset zgjedhore në Maqedoni.

“Me një deputetë në qeveri”

Tjetra. Ajo e kampanjës 2014 “Me një deputetë në qeveri” kur u ngritën të gjithë ta zhdukin PDSH-n nga skena politike. A ka pasur guxim kryespiuni Gruevski dhe sejmeni i tij Mijallokov të pranojnë ofertën e PDSH-së dhe të formojnë qeveri vetëm me Menduh Thaçin dhe pa Ali Ahmetin? Normal që jo! Jo nga frika e Ali Ahmetit, por nga frika se mund ta humbin pushtetin, diktaturën e instaluar me Ali Ahmetin në vitin 2009? Kur ky i fundit me përkrahjen e Ivanovit ia dha të gjitha pushtetet VMRO-së. Nëse edhe këtë ende nuk e keni kuptuar, atëherë jo në ndonjë planet tjetër, por komplet jetoni në ndonjë galektikë tjetër. Siç duket i keni harruar metaforat e Menduh Thaçit, i cili haptazi ua ka thënë: “Të jesh shqiptar i lirë dhe me dinjitet në Kërçovë, duhet të thuash se je VMRO”, “Tetovarëve (jo vetëm ajri) edhe uji do t’u bëhet helëm në Tetovë!” “Shkupi i shqiptarëve ka mbetur Kandahar në krahasim me Shkupin përtej Vardarit” “Hoxhollarëve duhet t’ua vëndosh nga një kryq në ball”, etj.

Si rrumbullaksim

A ka pasur gabime në PDSH? Normal që ka pasur dhe janë kanë të natyrave të ndryshme. A është PDSH parti unitariste? Përderisa merr pjesë në zgjedhje, askush dhe as unë nuk mund ta mohojmë këtë fakt. Më tregoni, ose më sjellni një fakt se partitë e vogla, grupimet e reja kanë target refuzimin dhe përmbysjen e shtetit dhe sistemit unitar, që është i kapur nga banditët mafiozë të LSDM-së dhe VMRO-së prej pavarsimit të Maqedonisë, sikurse e ka DSHM-ja dhe shkrimet e mia,

Hipotetikisht. A ka mundur PDSH-ja të bojkotojë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2014? Normal që ka mundur, por sot do ta kishit RDK-në e Rufi Osmanit me 8 deputetë në bisht të Zoran Zaevit dhe LSDM-së.

A është e reformuar sot PDSH me kuadër të ri? Faktet flasin se shumica e organeve partiake dhe vet Kryesia e saj janë freskuar me persona të rinjë, pa hipoteka dhe pa njolla.

Nga zgjedhjet e fundit, kur të gjithë ishin kundër PDSH-së, del qartë se forca e saj kryesore buron në qytetin e Tetovës, një e katërta e forcës së saj kryesore u tregua se mbetet në Shkup dhe Kumanovë. Por kjo në Shkup dhe Kumanovë mund të ndryshojë, qoftë për të mirë, qoftë për të keq, nëse PDSH-ja ndryshon strategjinë e saj organizative, bënë ndarjen e Maqedonisë në aspektin organizativ në tre zona.

A i duhen aleanca dhe koalicione parazgjedhore PDSH-së? Pa aleanca dhe koalicione parazgjedhore nuk fitohet beteja e shqiptarëve të Maqedonisë nga e Djathta shqiptare? Prej grupimeve dhe partive të reja, që PDSH-ja duhet të pranojë të bisedojë duhet të jetë vetëm lëvizja BESA, tjerat out, por problemi qendron se BESA prej në start ka defekte ideologjike, strategjike dhe një lidership papërvojë me kalkulime, kompromise me racën e regjimit, sahanlëpirësit shqipfolës të LSDM-së, sehirbazët mediatik Alsat Makedonski, Koha, Almakos, Portalb, jo Zhurnal dhe INA. Defektet të cilat vijnë janë pasojë e etjes së tyre me BESË për t’u afruar në kolltukun e unitarizmit, e jo për ta përmbysur shtetin dhe sistemin unitar.

PDSH do të mbetet në skenën politike dhe do të mbajë anën e popullit, njejtë sikur e mbante në veturën e saj zyrtare Ali Ahmetin në konflitin e vitit 2001. Kush është “bektesh e merr vesh”, thonë nga Shkupi. Me vota nuk përmbyset shteti dhe sistemi unitar, por me revolucion!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat