Analizë e retorikës vizuele të protestës në Prishtinë

Opinione

Analizë e retorikës vizuele të protestës në Prishtinë

Nga: Gëzim Mekuli Më: 25 janar 2015 Në ora: 17:18

Ne nuk jetojmë në shoqëri demokratike, ne jetojmë në një shoqëri pamore. Sot, simboli, ikona, pra fotografia ka peshën e madhe. Pamorja ka rëndësi të jashtëzakonshme për të shprehur e për të komunikuar me masat.
Nëse shohim me kujdes dy fotografi në qendër të Prishtinës, atë të ndërtesës së qeverisë së Kosovës (Isa Mustafa, Lista serbe dhe Hashim Tha[i), dhe atë të shtatores së Skënderbeut, që është shumë afër ndërtesës së qeverisë, e shumë afër demonstruesve, mund të përdallojmë dy porosi, dy mendime dhe dy botëra.
Porosi, mendime e botëra që janë plotësisht të ndryshme nga njëra-tjetra:
Përshkrimi i fotografisë:
A) Në fotografine e parë të ndërtesës së qeverisë, shohim xhama të thyer, gurë e gjësende që janë hedhur në drejtim të këtij objekti,
B) Ndërsa në fotografinë e dytë, në atë të përmendores së Skënderbeut, shohim mijëra njerëz të grumbulluar rreth tij. Por, çfarë të bie në sy këtu është se, «Skënderbeu», i rrethuar nga populli, nuk është i «thyer», e as i gjuajtur me gjësende të forta. Nuk është as edhe i «gërvishtur».
Çfarë don të thotë kjo, e çfarë porosie na dërgojnë këto dy fotografi e këto dy gjendje të këtyre dy ikonave?
Porosia që del nga analiza e fotografisë së ndërtesës së qeverisë
1. Kjo fotografi na tregon se ky simbol është i urrejtur, i padëshiruar dhe është armik i këtij populli. Ndërtesa, në vetvete, nuk është fajtore për varfërinë, krimin dhe vuajtjet e këtij populli por, kjo ndërtesë ka konotacione me njerëzit e politikës që veprojnë brenda saj, pra të Qeverisë së Kosovës.
2. Ndërtesa me « xhama të thyer », porositë në opinion edhe diçka tjetër: Ne ty nuk të duam. Ik, shporru, ti mbytës i jetës sime.
3. Fotografia e ndërtesës së qeverisë, dhe gjendja e saj, na përkujton ndërtesën e qeverisë së Çausheskut, e cila u sulmua nga populli në shenjë të pakënaqësisë ndaj regjimit komunist të kohës.
4. Me një fjalë, kjo ndërtesë e gjendja e saj sot, rrezaton mllef, hajni, krim, varfëri, pakënaqësi e Serbi. Pra, nuk është e popullit, nuk është identitet i këtij populli e këtij shteti. Andaj edhe u sulmua e u thye…
Analizë e Fotografisë së shtatores së Gjergj Kastriot – Skënderbeut - Shohim se statuja e «Skënderbeut» është në mes të turmës. «Skënderbeu» është edhe epiqendra e takimit. Këtu shohim qindra njerëz, që janë afër tij, mbi të e nën të. Ai humbet nga masat, nga populli. Por... «për çudi», nuk ka dëmtime e as «thyerje».
Pse kështu?
1. Fotografia e shtatores së Skënderbeut, këtu, e në këtë demonstratë, tregon se Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, është shpresa, i dashuri, i nderuari e i «puthuri» i popullit. Fotografia e tij, e kundërta e asaj fotografie të qeverisë, rrezaton paqe, nderim, pasuri, krenari e shtet, e jo luftë, varfëri, qyqarllëk, piratëri, e provincializëm.
2. Fotografia dhe gjendja e shtatores së Skënderbeut konoton dhe simbolizon, forcën dhe shpresën për masat, andaj edhe masat, këtu, e mveshin me flamurin e tij kuq e zi.
3. Mos hedhja e gjësendeve, ndaj Skënderbeut, dhe respektimi i tij nga populli, tregon se, Gjergj Kastrioti është i popullit, e jo armik i tij.
4. Fotografia, këtu, na tregon e dëshmon se, Skënderbeu është shpresë, shëndet, ikonë, mirëqenie, e mbi të gjitha, është humanja, prandaj, edhe «u puth» e u shkri me masat.
Dallimi tek këto dy simbole është se, përderisa njëra është për popullin e me popullin, tjetra është kundër popullit e larg popullit.
Shkurt e shqip, kjo analizë e këtyre dy fotografive është treguese e qartë se, Qeveria është «e urryer» nga populli, prandaj dhe «u thyen xhamat», ndërsa «Skënderbeu» është «i dashuri», më i miri» dhe shpresa e popullit. Prandaj edhe «u puth», «u shkri» e «u nderua» nga populli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat