Ibrahim Rugova dhe LDK – për liri, për paqe dhe unitet kombëtar

Opinione

Ibrahim Rugova dhe LDK – për liri, për paqe dhe unitet kombëtar

Nga: Flamur Shala Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 09:11

Ibrahim Rugova mbetet njëri nga intelektualët dhe politikanët shqiptarë i cili e njohu fuqinë historike të popullit të tij deri në pikën e fundit! Ai ia njohu thellë historinë, përpjekjet e vështirësitë, qëndresën dhe vetëdijen! Ia njohu të gjithë sofrën, bukën, besën dhe trimërinë, ia njohu fisin dhe etjen shekullore për liri dhe pavarësi nga i huaji! Njohja dhe dija që kishte për atdheun bëri që ai, duke u bërë dhe duke qenë lider, po e zhvillonte dhe po e avanconte gjendjen nga të qenit nën sundimin e huaj të Kosovës deri në vetëdijen aktive të ndërtimit kolektiv të institucionit të pavarur, të kërkimit demokratik, për të fituar të drejtën e zhvillimit instutucional të demokracisë për liri dhe pavarësi të vendit! Duke qenë me përgaditje dhe njuhuri të gjera intelektuale dhe me sensin për gadishmërinë popullore të përpjekjeve kolektive për lirinë e Kosovës, ai po bëhej pjesë e një procesi të gjatë dhe të vështirë, duke u vënë në krye të një organizimi që do ta zhvillonte dhe mbante të gjallë jetën politike kundër regjimit serb në Kosovë. Ai po vinte si një lider politik i Kosovës bashkë me fatin e popullit të tij, që të jetë pranë dhe bashkë me të në të gjitha përpjekjet demokratike dhe paqësore për liri dhe pavarësi të vendit!

Lidhja Demokratike e Kosovës e filloi aktivitetin e saj politik në vitin më të rëndë që po kalonte Kosova gjatë gjithë viteve 80-ta të shek. XX. Viti 1989 solli ndryshimet kushtetuese për Kosovën. Ato u bënë me dhunë dhe gjakderdhje! Kushtetuta e Kosovës u ndryshua dhe Serbia po riokuponte Kosovën, po rifillonte t’i diskriminonte shqiptarët! Shqiptarët e Kosovës po vazhdonin të organizoheshin! Po organizoheshin edhe legalisht, për të forcuar rezistencën dhe për t’i dalë në ballë një fillimi të ri të pushtimit serb të Kosovës, përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës. Siç dihet, LDK e filloi veprimtarinë e saj më 23 dhjetor të vitit 1989.

Shpërthimi i ri politik në Kosovë për një rreshtim të ri kundër diskriminimit dhe për jetë politike të pavarur nga Beogradi, me formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, po shtrihej në përmasa popullore të shqiptarëve të Kosovës. I gjithë mllefi politik popullor dhe fillimi kolektiv për ndryshime, duke hulumtuar rrugët më të lehta dhe të duhura sipas përcaktimit politik, kundër regjimit okupues serb, i akumuluar me vite e dekada, po zbrazej në energjitë rinore dhe mbarë popullore, të organizimit të LDK-së, në rritjen e saj politike të shtrirë në tërë Kosovën dhe jashtë saj. Kjo shtrirje po përfshinte një numër të madh të veprimtarëve, pa përjashtime, që për një dekadë rresht, deri në Luftën e UçK-së, në vitet 1998-1999, qëndruan në të gjitha aktivitetet e LDK-së. Aktivitetet zhvilloheshin me përgjegjësinë e realizimit të misionit të ditëpërditshëm për jetë politike të organizuar, për jetë dhe përpjekje të mirëfilltë kombëtare dhe shoqërore, me vizion të qartë për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Përcaktimi paqësor për zgjidhjen e çështjes së Kosovës ishte përcaktimi strategjik evropian i udhëheqësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, i fillimit të jetës së saj politike që në fillim të

viteve 90-ta, ishte përcaktimi për jetë politike në Kosovë kundër regjimit të Serbisë dhe për ruajtjen dhe mbrojtjen e substancës shqiptare në këto hapësira, së paku për gati një dekadë, deri në luftën e lavdishme të UçK-së. Mbi të gjitha, lindja dhe zhvillimi i LDK-së ishte më shumë se përgaditje për të ecur politikisht dhe drejt fazës përfundimtare, drejt luftës dhe fitores, çlirimit përfundimtar nga Serbia.

Organizimi politik i LDK-së po zhvillonte një baraspeshë politike mobilizuese ndërmjet okupimit klasik që kishte mësyrë Serbia dhe pamundësisë aktuale për zhvillimin e jetës normale shoqërore e institucionale brenda një regjimi, të shqiptarëve në Kosovë. Këtij mobilizimi po i shtoheshin aktivitetet e të gjithë rrjetit organizues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e shtrirë gjithandej, duke qenë ditëpërditë afër qytetarëve të Kosovës. Organizimi i saj në degë e nëndegë dhe aktive, me strukturë funksionale, nëpërmjet komisioneve të disa fushave shoqërore, praktike dhe aktive sipas programit dhe agjendave ditore e mujore, detyrave të nevojshme për zhvillimin e jetës qytetare, për avansimin e jetës politike, po favorizonte të gjitha kushtet për të kaluar sfidat e kohës deri në një fazë tjetër, deri në unifikimin e faktorit politik në Kosovë për fazat e tjera të përpjekjeve për çlirim dhe lirinë e Kosovës.

Përcaktimi paqësor për pavarësinë e Kosovës, i liderit politik dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-së, ishte përcaktim evropian për demokraci, përcaktim fisnik, njerëzor dhe kombëtar për liri dhe pavarësi. Ishte pjesë e vizionit të qartë për jetën, ardhmërinë dhe qytetarinë evropiane të Kosovës, për të drejtat dhe liritë njerëzore në këto hapësira. Rruga e filluar paqësore po zhvillonte gjithanshëm mundësitë për aktivitete dhe për mobilizim të mëtejmë popullor dhe klandestin. Presidenti Rugova nuk e kishte përjashtuar kurrë luftën e armatosur deri në çlirimin dhe lirinë e plotë të Kosovës, por as nuk e kishte lëshuar asnjëherë jashtë vizionit të tij përcaktimin dhe luftën paqësore për arritjen e qëllimit përfundimtar. Angazhimet e tij politike po e nxirrnin atë si liderin e pakontestueshëm popullor të Kosovës, që nga formimi i LDK-së e deri në vdekjen e tij.

Misioni paqësor për lirinë e Kosovës, duke qenë mision atdhetar, ishte i vështirë dhe me shumë rreziqe. Ky mision nuk ishte qëllim në vetvete! Në fillimin e viteve 90-ta të gjitha institucionet ranë nën regjimin e “masave të dhunshme” të shtetit serb. Të gjitha ndërmarrjet punuese, shërbyese e prodhuese shoqërore u zaptuan nga regjimi okupues. Punëtorët shqiptarë, në të gjitha ndërmarrjet, po dëboheshin nga puna, për shkak të mospranimit të masave të dhunshme të pushtetit serb. Si pasojë, kudo në tërë vendin, dëbimi nga vendet e punës, që po e bënte regjimi serb sipas skenarit të tij, e që, skenari i njëjtë iu shërbeu vite e dekada, po bënte që qytetarët e Kosovës të vetorganizoheshin. Ky vetorganizim nuk mund të bëhej pa organizim politik në radhë të parë dhe qytetar për t’i mbijetuar kohës, lëkundjes së madhe të Evropës së atëhershme Lindore, varfërisë që kishte lënë socializmi, varfërisë që po shkaktonte tanimë okupimi klasik i Kosovës nga Serbia. Lidhja Demokratike e Kosovës po tërhiqte brenda vijave të saj politike dhe strategjike vënien e themeleve të istitucioneve të shtetit të ardhshëm të Kosovës. Organizimi i jetës shoqërore në Kosovë gjatë viteve 90-ta nga LDK po tejkalonte përmasat e një

mobilizimi të zakonshëm. Duke bartur mbi supe të gjitha përgjegjësitë politike, shoqërore, kombëtare dhe historike, ajo po i zhvillonte aktivitetet e saj cep më cep Kosovës.

E tëra kjo gjendje po kërkonte domosdoshmërisht një orientim të mirëfilltë politik të shqiptarëve, të cilët po cënoheshin edhe me heqje buke nga sofra, po cënoheshin me ndjekje të të gjithë ayre veprimtarëve që kishin punuar dhe po vazhdonin të punonin për Kosovën. Dhe kështu, alternativën aktuale politike më të favorshme për kohën po e ofronte LDK, me vizion dhe strategji paqësore, me mision të përditshëm për rezistencë aktive qytetare ndaj regjimit. Ajo po e ofronte dhe po e shtrinte aktivitetin gjithandej Kosovës dhe në botën perëndimore, atje ku shqiptarët ishin të organizuar mirë. Me organizim dhe me qasje të këtillë politike, që kishte të bënte me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet, kërkohej në vazhdimësi orientimi i qartë politik për rezistencë aktive paqësore, pa e mohuar asnjë model dhe alternativë tjetër të rezistencës, sepse ishte e qartë se një jetë e re në Kosovë nuk do të mund të lindte pa rezistencë aktive dhe pa rezistencë të armatosor, rrjedhimisht edhe pa ndarje të hidhur e të përgjakshme me Serbinë. Këtë po e impononte ditëpërditë Serbia, regjimi i saj, i cili po e ndërtonte sisematikisht pushtetin e dhunës, të zullumit deri në këputjen e tij.

Lidhja Demokratike e Kosovës po i krijonte në vazhdimësi kushtet për mobilizim dhe aktivitete për rezistencë aktive e të armatosur. Me vite të tëra po e zhvillonte jetën politike me program paqësor mobilizues. Mobilizimi aktiv popullor i nxori nga brenda veprimet e organizuara për vazhdimin e rezistencës së armatosur dhe të luftës për liri. Veprimet ushtarake po organizoheshin nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. E tërë rezistenca e armatosur po binte mbi supet e saj. Kështu, UçK po i bartte të gjitha aktivitetet e luftës deri në çlirimin e Kosovës.

Krahas Lëvizjes së armatosur të viteve 90-ta të shekullit XX, që kurorëzoi luftën dhe fitoren e plotë ndaj regjimit të shtetit serb në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet organizimi më i madh mobilizues i rezistencës aktive për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë. Ajo mbeti gurthemeli i formimit të institucioneve të pavarura të shtetit të Kosovës.

Urime 25 vjetori i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat