Festa e Flamurit, të bëhet festë shtetërore!

Opinione

Festa e Flamurit, të bëhet festë shtetërore!

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 14:24

Kosova është në prag të shënimit të 28 nëntorit, ndërkohë që Shqipëria e shënon këtë si festë zyrtare të 102 vjet pavarësi, tek ne shënohet jo zyrtarisht.

Zbukurimet për 28 nëntor i bën komuna, në Prishtinë, ndërsa varësisht nga vullneti i kryetarëve të komunave të tjera, kjo festë shënohet solmenisht, por shteti vazhdon ta heshtë si festë kombëtare.
Por, megjithatë janë disa ceremoni që intencionalisht kuptohen si shënime shtetërore. Njëra prej ceremonive është edhe parakalimi i fundit i FSK-së i bërë të mërkurën në Prishtinë, në Kazermën Adem Jashari.

Madje ky ishte parakalimi lamtumirës i kësaj force në këtë ceremoni, pasi ajo forcë si e tillë më nuk do të ekzistojë në festën tjetër, pasi ajo do të transformohet në ushtri të rregullt, me emërtimin që mund ta ketë Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) si e ka emëruar qeveria në largim e Hashim Thaçit, apo të emërtohet Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) siç kërkon LDK-ja, duke e ringjallur edhe emrin e FARK-ut, të forcave institucionale të Republikës së Kosovës që luftuan kundër Serbisë, dhe arritën fitore të betejave kryesore, si lufta epike në Koshare, dhe beteja e Loxhës.

Por, shqiptarët nuk do të mund të pajtohen që për kohë të gjatë të vazhdojë kështu duke festuar tinëzisht, në njërën anë, dhe në anën tjetër, të festojnë në Shqipëri madhërishëm, siç ishte edhe 100 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë.

Pra, në thelb, Ligji për festat zyrtare në Kosovë i ka shmangur dy faktet kryesore për historinë e shqiptarëve, faktin se 28 nëntori festa më e lashtë në Evropë mbase, si thamë, është festë e të gjithë shqiptarëve, dhe gati gjashtë shekullore, dhe festa tjetër një shekullore, që po ashtu është datë e përbashkët, jo vetëm se u proklamua shteti shqiptar në kufij etnik, por sepse meritat për atë pavarësi, janë të përbashkëta, dhe kryesisht luftërat u zhvilluan në Kosovë dhe rreth saj.
Prandaj, përjashtimi nga kjo datë historike është i padrejtë. Shqiptarë kanë dëshmuar edhe gjatë këtyre 6 vjetëve pavarësi se në zemrat e tyre mbetet vetëm Flamuri shqiptar, dykrenor.

Ky flamur meriton respekt, dhe duhet të jetë simbol edhe në trashëgiminë botërore. Ky simbol për gati më shumë se 6 mijë vjet ka qenë i pranishëm në kulturën shqiptare. Dy popujt tjerë hititët, tani më të zhdukur dhe iranianët, ndonëse kanë ruajtur vazhdimësinë, nuk e kanë ruajtur simbolin e shqiponjës dykrenore.

Ndërsa, është argumentuar edhe nga ekspertët e heraldikës shqiptare dhe zbulues të arkeologjisë, se të paktën gjashtë shekuj para erës tonë, e kanë pasur simbol edhe në luftëra. Edhe mbreti Pirro, ushtaraku legjendar, e kishte simbol, dhe po ashtu ai është emërtuesi i popullit tonë, populli i shqiponjave!

Në esencë shqiptarët gjithmonë janë ndjerë krenar dhe janë identifikuar me lirinë e shqiponjës! Andaj janë kokëfortë, krenar, të paepur dhe e duan lirinë edhe individuale si askush tjetër!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat