Serbët po e vjedhin edhe Kostandinin e madh!..

Opinione

Serbët po e vjedhin edhe Kostandinin e madh!..

Nga: Agim Shehu Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 12:27

Hollivudi po bën filmin e bujshëm për Kostandinin e Madh të cilin e jep si serb. Ekranizohet sipas romanit «Udhëkryqi i Kostandinit» të shkrimtarit serb Dejan Stojkoviç me nxitjen e Universitetit serb, e për të paguhen mbi 100 milionë dollarë. A e dinë serbët se Kostandini i Madh qe shqiptar - ilir!? Sigurisht kanë aq mënd sa ta dinë, të paktën ata me kulturë sadoqë kultura u ka zënë myk manastiresh ortodokse. Së pari pyetet thjeshtë edhe pse s’është provë kryesore: a kanë serbët emër ‘Kostandin’, qoftë dhe ‘Kostandinoviç’?!

E di gjithë bota se Kostandini i Madh kish tre shekuj që kish vdekur kur erdhën sllavët aty ku janë mes shqiptarëve dardano- ilirë. Mirëpo sipas prejardhjes së tyre moçalore, grabitësit i ngjajnë ariut të Uralit që thotë për gorricat në dimër: «Janë pjekur se më hahen mua»! I ngjajnë po ashtu luanit grabitës në ndarjen e gjërave: «Kjo më takon mua se unë jam luani»! Tani ky ari e luan serb doli dhe majë Hollivudit të legalizojë botërisht orekset grabitëse jashtë çdo të vërtete dhe etike qytetërimi. Sllavët si vëllezërit ortodoksë të tyre, grekët e dinë që edhe pse kanë shpërbërë shumë te e drejta etnike e shqiptarëve, i shuan e i dëbuan nga shtëpitë e veta, pushtimi i trojeve sidoqoftë mbetet i lëvizëshëm nga e drejta historike (izraelitët u kthyen në vatrat e tyre pas mëse 2000 vjetësh dhe nga Shtetet e Bashkuara shteti i tyre u njoh brënda 20 minutash). Historia ka çudirat e saj shpesh të papritura. Athina ngul këmbë që Shkupi zyrtar ta heqë emërtimin ‘Maqedoni’ pasi në një të ardhme që mund ta sjellë befas historia i rrezikohet Maqedonia e saj!

Këtu qëndrojnë dhe pushtuesit tragjikomikë sllavë. Ata duan ta sigurojnë dhe të drejtën historike kinse është me ta qoftë për trojet e pushtuara, qoftë për ëndërat që të pushtojnë pjesë të tjera nga fqinji më i dobët (gjeografinë e pushtuar ta betonojnë me historinë e tjetërsuar).

Skenaristët serbë e dinë se s’ka asnjë dokument bindës a gjykim dijetarësh të çdo kohe që Kostandinin e Madh ta quajnë serb. Ka një të dhënë tepër domethënëse e të pakundërshtueshme: Në Romë e gjetkë janë gjetur monedha të lashta perandorie ku shkruhet mes të tjerash «Virtus Ilirici» (Virtyti ilir) po gjëkund, as për be e rrufe nuk është gjetur ndonjë monedhë me emërtim sllav! Këtë mungesë dëshmish dijetarët e tyre e shprehin qoftë dhe pa dashje te gazeta Blic: «Ky Perandor lindi në qytetin Nish e kjo është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar trashëgiminë kulturore serbe në mbarë botën».

Habi mbi çdo marrëzi lindur befas në Serbi - vetëm pse lindi në Nish të cilin sot e kanë serbët Perandori i Madh qënka serb(!) Mirëpo me këtë logjikë do bëhej kërdia në transferimin e personaliteteve të historisë nga një komb në tjetrin. Filozofi gjenial Kanti lindi në Konigsberg, qytet historikisht gjerman (duke parë synimin e Carëve drejt Bosforit, Bismarku tha: «Rusinë, po zuri Stambollin nesër prite në Konigsberg»! Megjithatë edhe pse s’e mori dot Stambollin ajo doli aty dhe qyteti sot quhet Kaliningrad). Me logjikën serbe të filmit, Kanti është rus! Don Kishoti nuk do kish guxuar të bënte këtë marrëzi arsyetimi!

Në vazhdim të kësaj logjike ne do na përmbyseshin maja historie: De Rada që lindi në Itali s’do quajtur shqiptar! Mirëpo La Martini i thotë me vlerësim të lartë si poet dhe shqiptar se ‘poezia ka lindur në brigjet tuaja (Shqipëri) dhe atje duhet të kthehet’. Papa Klement Albani lindi në Itali por ai e pohon veten arbër, siç mban dhe zyrtarisht e apostolik mbiemrin ‘Albani’ dhe emrin ‘Kelmendi’. Po ashtu e mbante veten kryeministri i Italisë, Francesko Krispi. Mid’hat Frashëri lindi në Stamboll, por kush guxon të thotë se ai nuk është ndër të mëdhenjtë e shqiptarëve!.. Vëndlindja e Konicës sot ndodhet në Greqi, por kush mund ta bëjë grek dijetarin e madh shqiptar?!

Nishi ka qënë vatër ilire e banuar nga ilirë që në kohët që s’mbahen mënd. Kostandini i Madh qe nga ky qytet e sadoqë qe Perandor në Romë, për të mendoi si bir i pashkëputur prej tij. Ai me mëndje drite e humanizmi bëri guximin e madh duke zyrtarizuar Krishterimin. Në rjetin e intrigave pa fund vrau birin e pafaj Krispin, pastaj të shoqen e re fajtore, Faustën dhe vendosi të largohej, të krijonte një Romë të Dytë. Me këtë bënte dhe aktin e madh në histori, ndante fenë nga shteti (qendra e fesë rrinte në Romë, shteti me atë përfaqësues shkonte gjetkë). Në fillim Perandorinë e Re deshi ta themelonte në vëndlindjen e tij, Naissus (Nish). Por gjykoi si vizionar i madh se ngulimi i ri perandorak duhej të qe në një pikë strategjike nga të gjitha kërkesat për qytetërimin botëror. Dhe zgjodhi Bizantin në udhëkryqin më të çmuar mesdhetar.

Perandorët e parë të Romës mbanin për flamur shqiponjën me një kokë. Perandorët ilirë e zëvendësuan me shqiponjën me dy kokë, zëdhënësen e kryeperëndisë së tyre, Zeusit (me kohë, nga simbol fetar shqiponja u bë simbol kombëtar i shqiptarëve).

Kostandini i Madh kur shkoi në Bizant me vete mori si flamur dhe simbolin e ilirëve, Shqiponjën me dy krerë. Ky fakt domethënës s’i shpëton as Dante Aligherit që te «Parajsa» e Komedisë Hyjnore thotë: «Shqiponjën Kostantini e riktheu/ kundër rymës së Qiellit (nga lindja në perëndim-a.sh)…Shpendi hyjnor (shkoi)/ pranë malesh nga kish dalë në fillim». Noli Kostantinin e Madh e jep si të lindur nga shqiponja e këtij Flamuri kur shkruan për të: «Flamur që lind Shën Kostantinë,/ bashkon Islamnë me Krishterimnë…». Të parët e serbëve veshur në lëkurë kafshësh vazhdonin gjuajtjet me kallamë në moçalet e stepave lindore. Kurse Nishi qytetar Birit të madh i ngrinte statujën bronz (ajo u gjënd më 1898 nga arkeologu sllav Vasiç dhe ndodhet në Muzeun e Beogradit tok me thesare e dokumente pa fund të Kosovës). Tani duan të vjedhin dhe historinë, mirëpo për të huajin historia është si magjia, ndjehet po nuk kapet dot.

Nishi i sotëm dikur quhej Naissus. Sllavët erdhën në sh. 6 e lart, në fillim si shërbëtorë të barbarëve, pastaj vetë si barbarë pa asnjë ngjashmëri me Perandorët humanë ilirë të Romës. Historiani R. Jenkin te «Bizanti e bizantinizmi» thotë: «Sllavët e uritur për tokë e me sy nga Iliria qenë grumbulluar gjatë disa 10 vjeçarëve në mizëri të panumurueshme përtej Danubit». Tunman shkruan: «Sllavët më 548 dogjën e përvëluan Ilirinë gjer në Dyrrachium». Pr. Fromer: «Trysnia sllave solli një ndrydhje të ilirëve me çvendosje drejt jugut…Hapsira dalmate ilire u rrezikua shumë…Aty gjëndej njëlloj parku kombëtar ilir ku u ruajtën të paprekura prej shekujsh zakonet e doket e lashta të tyre». E famëshmja Enciklopedia Didero-D’Alamber më 1778 përcakton shtrirjen historike të Shqipërisë: «Në Perëndim nga gjiri i Venecias, në veri nga Dalmacia e Bosnja, në lindje nga Maqedonia…» (gjëkundi për sllavët, as ‘Nish’ as copë me mish)!

Në Perandorinë Osmane me regjistra tepër të sakta siç ua donte qeverisja Nishi hynte në Vilajetin e Kosovës. Sot Nishin në Vojvodinë e ka Serbia e cila për të ka të ‘drejtën’ pushtuese por jo të drejtën historike. Dijetari N. Syme thotë se «Naissus qe një nga tri kryeqëndrat e qytetëruara të Dardanisë paraantike dhe antike». Dijetari hungarez Jeno Fitz shton se «Mezia Qendrore merret si vëndlindja e atit të Kostandinit të Madh, Konstanciu Klori (Verdhani) e kjo banohej nga ilirë dardanë kurse vetëm pjesa veriore kish fise trakase si dhe ‘mesët’». Te Historia e Romës historiani francez Viktor Dyruit thotë për pelazgo-ilirët : «Këta shtriheshin nga Azia Perëndimore në Sardenjë e mbase më larg, në Spanjë…». Laruss e v. 1993 thotë për Perandorinë e Romës së vonë: «Dinastia e re Perandorake u themelua nga bijtë e ‘Danubit, ilirët e Dalmacisë e të Paonisë, njerëz të ashpër, të papërshtatur sa duhet me përdredhjet e Romës por luftëtarë si ata, të mbrujtur me një atdhetarizëm të zjarrtë». Historiani anglez R. Makmulen, Aurelianin - Perandori i ndritur ilir e fut në ‘Shtëpinë Dardano-Kostandiniene’ dhe zgjerohet: «Tërë vija e familjes së Kostantinit të Madh dhe Valentienit pas tij i përkiste grupit kulmor - personalitete ilirë ardhur nga hapsira e sotme e ish Jugosllavisë dhe Hungarisë e po të përdorim emërtimin e lashtë, atdheu i tyre qe Iliria…Ilirianët e shkrinë talentin e tyre të vrazhdë dhe vitalitetin gjigand fizik të tyre për shpëtimin e Romës».

I ati i Kostantinit të Madh, Kostanc Klori shkoi si Perandor gjer në Angli ku luftoi grabitësit pushtues të saj. Aty i takoi të japë shpirt para të birit të shquar luftëtar të cilit i dha dhe porositë e fundit prej Perandori. Populli anglez e varrosi si shpëtimtar në një shpellë që ruhej e i ndizej qiri gjer vonë. Nisur dhe nga kjo sigurisht, Çurçilli thotë me vlerësim se «Perandorët nga më të aftët e Romës qenë ilirë» (hollësi të shumta të gjera jep dhe libri shumë i çmuar «Perandorët e Romës» të studjuesit Qazim Lleshi).

Bashkautorët ushtarakë Bishop e Kulston flasin për «vise danubiane e transdanubiane si Iliri» (Pushkini kur shkoi në Vllahi tha se «ishte në Iliri»). Historiani i lashtësisë U. Sestonin thotë: «Një numur i madh senatorësh qenë me prejardhje ilire e duke nisur nga gjysma e dytë e sh. 3 Perandori qe gjithmonë nga Iliria». Studjuesi S. Uiliams thotë: «Komandantët ilirë vërshuan vrullshëm gjer në majat më të larta të pushtetit perandorak kështuqë kurora e Perandorisë mbeti pothuaj ‘pasuri’ në duart e kësaj kaste». Jozef Bidez, jetëshkruesi i shquar i Perandorit ilir Julienit, në Hyrjen e veprës për të shkruan se «15 shekuj më parë arbërorët kishin themeluar bërthamën e legjioneve të Danubit, e brez pas brezi këta bij barinjsh e bujqish mbronin kufinjtë e Perandorisë duke i dhënë kësaj dhe komandantë me famë». Studjuesi Zh. Zeiller shkruan se raca e herët ilire përfaqësues më të saktë sot ka ‘albanët apo skipetarët’ e shton: «Kur Perandorisë (së Romës) i dukej fundi i pashmangshëm pas 30 vjet tiranie të fundit ajo u mbajt, fitoi dhe gjallëri të re me një rimëkëmbje të fuqishme për mëse një shekull, pikërisht se mori përtëritje iliriane të shtetit perandorak». Historiani danez E. Kristiensen duke folur për Historinë e Romës shkruan: «Trashëgimia thuajse në vijimësi e fronit perandorak nga ana e prijësve të shquar ushtarakë ilirë, si në gjysmën II të sh. 3 e pothuaj në tërë sh. 4 qe kushtëzuar nga një gjëndje e padurueshme rrokopuje, e krizës më të thellë nëpër të cilën po kalonte Perandoria e Romës që prej krijimit të saj në agimin e Mijëvjeçarit të I të Erës së Re». Studjuesi anglez Kris Skarr shkruan: «Kundër çdo parashikimi, Perandoria dalëngadalë u rifreskua falë sundimit të njëpasnjëshëm të perandorëve ushtarakë me prejardhje nga Ballkani, perandorëve ilirë. Klodi II mundi gotët (e u mbiquajt Goticus); Aureliani mposhti mbretërit e Galisë e Palmirës e u u bë Reformator i Madh i Unitetit të Perandorisë. Karusi mposhti dallgët barbare të persëve»…Historiani i shquar Vasiliev duke shkruar për Perandorët ilirë të Bizantit (familjes Justinian) përmënd «listën e gjatë të Perandorëve romakë që lindi Siujdhesa e Europës Juglindore e që falë energjisë së tyre të tejzakontë në çastin më kritik të historisë së Romës, u shfaqën të aftë t’i rikthejnë asaj paqen dhe njëshmërinë si Perandori». Nobelisti T. Momsen shton: «Shqiptarët luajtën një rol të veçantë e të gjatë në Perandorinë Osmane, ashtu si të parët e tyre të lashtë (ilirët) për Perandorinë e Romës kur kjo u ndodh në të njejtën gjëndje të shthurjes e barbarisë».
Perandorët ilirë qenë sa trima po aq të zgjuar e atdhetarë të kombit të vet. Andre Piganjol, historian i lashtësisë thotë: «Perandorët ilirë e adhuronin Romën duke qënë të bindur se tek mbronin atë, mbronin njëkohësisht Atdheun e tyre ballkanik kundër vërshimeve të paprera barbare».
Nga vetë të huaj asnjanës mund të sillen dëshmi pa fund mbi përkatësinë iliro-shqiptare të Kostandinit të Madh. Pushtuesit serbë për shekuj me radhë kanë shumë gjak shqiptarësh në duar e këtë kërkojnë ta lajnë me emra të shquar shqiptarësh duke i përvetësuar. 400 vjet më parë historiani sllav Tomas Maranoviç e bënte Skënderbeun sllav e Frang Bardhi iu përgjigj me studimin shkatërrues «Apologjia e Skënderbeut». Figurat e shquara janë piedestali mbi të cilin ngrihet lartësia e vetë popullit. Dante thotë: «O rrënja ime që aq lart arrin»! Serbët duke vjedhur Kostantinin e Madh duan të lartësojnë shtatin liliput të së shkuarës së largët të tyre që nuk shkonte më lart se kallami i moçaleve me të cilin zinin ngjala.
Lartësia gjeografike e një vëndi matet te majat e maleve. Lartësitë e historisë - te figurat e shquara. Çabej gjykon: «Historia e një vëndi është historia e personaliteteve». E shkuara me figura të shquara është «çek» banke me të cilën nxirren fitime të ditës nga historia. Jo kot gazeta greke Nea Ellas shkruante: «Jemi popull i zgjedhur i botës, jemi të zotët t’u bëjmë ballë gjithë kombeve të vegjël pasi kemi volumin dhe nderin e emrit»!
Këtë logjikë e mbështet fjala që deputeti italian Laurenziano tha në Parlament më 1904: «Francezët që në Paris mendojnë se Epiri i duhet dhënë Greqisë për hir të Sokratit a e dinë se Diokleciani, babai i sistemit juridik botëror qe shqiptar»!? Profesori amerikan Bollduin thotë bukur se «Heronjtë janë majat më të larta ku janë drejtuar sytë e popujve. Tregoni heronjtë e një kombi t’ju them se me ç’komb ke të bësh»! Është e njohur ngjarja: Përfaqësuesi i një vëndi të padëgjuar e pyet Margaret Thaçer se si të dëgjohej dhe vëndi i tij, e ajo iu përgjegj: «Nxirrni një gjeni, ndiqeni pas dhe dëgjojani këshillat»!
Shqipëria është komb i ngushtuar, por personalitetet e pakundërshtueshëm të tij ngrënë ballin sipër mjegullës dhe mbi trojet e pushtuara duke pohuar të vërtetën e kombit të tyre. Ata pohojnë gjykimin e Hygoit se madhështia e një vëndi nuk matet me sasinë e popullsisë por me vlerat e tij, e Carmen Moier gjykon për Shqipërinë: «Një vënd i vogël ku mund të takosh njerëz të mëdhenj».

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat