In Memoriam Blend (Ibrahim) Selmani (1997-2014)

Opinione

In Memoriam Blend (Ibrahim) Selmani (1997-2014)

Nga: Nehat Hyseni Më: 1 tetor 2014 Në ora: 22:11

Lajmi i hidhur për tragjedinë në ekskursionin e nxënësve të Gjimnazit natyror të Gjilanit, që kishte ndodhur në ditën e fundit të shtatorit, që për Blendin ishte dita e fundit e jetës së tij të njomë, ka tronditur rëndë të gjithë shqiptarët, kudo që janë.

Ky lajm i trishtueshëm ishte e pamundur të mund të besohej se mund të ket ndodhur, që në ditët më të ëmbla të jetës fëminore-rinore, në rrugën në të cilën ishte nisur Blendi plotë gëzim dhe hare rinore për t'u kënaqur me shokë e shoqe, në tokën e Shqipërisë nënë, pak metra larg nga pushimorja e tyre familjare, do të humbi jetën tragjikisht.

Zoti i Madhëruar i kishte caktuar këtij Engjëlli, që ishte i butë, skofiar dhe me buzëqeshjen e tij hyjnore rrezatonte plotë mirësi e dashamirësi, kudo që ishte i pranishëm: në shtëpi ndaj gjyshit të Tij të dashur, Bacës Zija Selmanit, që e rriti me përkdhelje, ledhatim dhe dashuri të pafund, duke e mbahtur gjithënjë në prehër deri sa ishte i vogël dhe pastaj, duke u rritur Blendi, gjithënjë e shoqëronte gjyshin e tij të dashur, duke e kapur fortë për dore dhe duke shetitur në Gjilan, apo duke vizituar farefisin dhe familjen e madhe dhe të njohur për bujari, edukatë, respekt dhe atdhetarizëm.
Kurse, në bisedat tona Blendi, krenaria e gjyshit, ishte tema më e preferuar e gjyshit të tij.
Blendi i trashëgoi tiparet bujare dhe burrërore edhe nga stërgjyshi i tij nga nëna, Mulla Idris Gjilani, që ngërthente në vete shikimin plotë interesim dhe respekt ndaj bashkëbiseduesit, që ishte befasi e këndëshme dhe linte mbresa të fuqishme dhe të paharrueshme tek të gjithë.
Babai i Blendit, Ibrahim Selmani, atë e kishte fëmiun më të madh dhe e shikonte si trashëgimtar të denjë të namit të madh dhe bujarisë së familjes së tij nga babai dhe nga nëna. Blendi ishte krenaria babait të tij dhe familjes dhe kishte trashëguar tërë urtinë, mirësinë dhe bujarinë e babait të vet Ibrahimit, i cili shpeshë e përkdhelte dhe ngacmonte me dashurinë e pamatëshme prindore, që na bënte të dëfreheshim me humorin e çiltër dhe miqësor.
Xhaxhai i Blendit, Fatos Selmani e kishte "nipush" të dashur dhe e lazdronte pak më tepër, duke e quajtur si shok, sikur ta kishte moshatar.
Kurse, xhaxhai i vogël, Suadi, meqë ishte më i afërt në moshë me Blendin, edhe muhabetin e kishin më të shtruar, duke biseduar për dashurinë e madhe të tyre për iphonat dhe për programet dhe risitë që nuk guxonin assesi t'u shpëtonin.

Familja Selmani është një familje me taban të fuqishëm kombëtar dhe me edukatë e mirësjellje që është e mirënjohur për të gjithë në Gjilan dhe më gjërë.
Ky pikëllim i thellë ka tronditur jo vetëm damiljen Selmani, por edhe tërë Gjilanin, Kosovën, Shqipërinë, Luginën e Preshevës dhe mbarë Shqiptarinë.
Kortezhi i pafund gjatë varrimit të Blendit të dashur, sipas shumë qytetarëve të vjetër, nuk mbahet në mend në Gjilan. Aty ishte rrjeshti i pafund i mbi 2500 nxënësve të të gjitha shkollave të mesme të Gjilanit, në krye të të cilëve ishin kurorar e panumërta të institucioneve arsimore e komunale, të shkollave të mesme dhe klasëve, të pasuar nga shoqet e shoqet e Blendit në kolonën e pafund të mbi 2500 nxënësve në uniforma shkollore, me nga një karanfil në dorë secili prej tyre, pa asnjë pëjashtim, deri tek i fundit, me profesorët e profesoreshat dhe kujdestarët e klasës, pedagogët dhe drejtorët e zyrtarët e tjerë.
Të gjithë ata ishin të ngrysur nga dhëmbja e madhe për humbjen e papritur të shokut të tyre të dashur, Blend (Ibrahim) Selmanit dhe shiheshin si u rridhnin lotët në heshtje e ngashërim.
Kurse, tek varrezat ishte e pamundur të afroheshin të gjithë pjesëmarrësit, që numëronin dhjetëra mijëra vetë.
Prandaj, nga largësia shikonin me pijetet, pikëllim të pafund dhe në heshtje ceremoninë e varrimit, duke kryer me përkushtim e respekt të thellë ritet dhe lutjet fetare, si dhe fjalimet lamtumirëse.
Në funeral kishin ardhur njerëz nga të gjitha trojet shqiptare dhe i tërë Gjilani sot ishte i zhytur në petkun e zisë, pikëllimit të thellë, por dhe të krenarisë për Blendin dhe për bujarinë e familjes Selmani, duke e ndarë barrën e pikëllimit të pafund me ata.
Familjes së Blendit i shprehim ngushëllimet më të thella.
Urojmë që prania kaq e madhe e njerëzve në funeral, si dhe të të gjithë atyre që nuk mundën të vijnë fizikisht, ata shpirtërisht janë aty dhe e ndajnë dhëmbjen me familjen dhe bashkëqytetarët, me shokët dhe shoqet e Blendit.

Krenaria për kujtesën e vetive engjëllore të djaloshit brilant, Blendit, si dhe bashkëpjesëmarrja në pikëllim i një numri kaq të madh, të pafund të shoqeve, shokëve, miqëve e dashamirëve, bashkëqytetarëve dhe të mbarë Shqiptarisë, duhet ta zbusin dhimbjen dhe pikëllimin, duke u dhënë zemër se nuk jeni vetëm në këto momente të vështira.
I shprehim ngushëllime gjyshit Zija, gjyshes, babait Ibrahimit, nënës së Blendit, motrave, xhaxhait Fatosit dhe Suadit dhe tërë familjes, farefisit, shoqeve dhe shokëve të Blendit, miqëve e dashamirëve dhe u themi të jenë të fortë e krenarë për Blendin, i cili prej tani nuk është vetëm i familjes, por është në zemrat dhe kujtesën deri në amshim të të gjithëve.
Zoti i Madhëruar e shpërbleftë me Xhenet!!!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat