Nastradini në Tiranë

Opinione

Nastradini në Tiranë

Nga: Edmond Tupja Më: 1 shtator 2014 Në ora: 20:20

Po, zoti Kryeministër ka të drejtë: Shqipëria Socialiste (d.m.th. e drejtuar nga Partia Socialiste, sigurisht) duhet të nxitojë që të fitojë kohën e humbur gjatë këtij tranzicioni mbi njëzetvjeçar për t’u integruar sa më shpejt, mirë, bukur e lirë në familjen e madhe të Bashkimit Europian. Duhet, pra, nxituar, nxituar e përsëri nxituar. Po, zoti Kryeministër ka të… drejtë: Për t’ia arritur këtij qëllimi, Shqipëria Socialiste duhet të plotësojë një sërë kushtesh shumë të rëndësishme për të ardhmen e saj: Të luftojë korrupsionin në tërë fushat e jetës, të forcojë shtetin ligjor duke reformuar, ndër të tjera, Drejtësinë, të rimëkëmbë ekonominë me përparësi rritjen e saj, të luftojë evazionin tatimor, të ripërtërijë arsimin publik e privat, të hapë vende të reja pune, të mbrojë qytetarët në të drejtat e kërkesat e tyre të ligjshme, të luftojë me efektshmëri trafiqet e paligjshme etj., etj. Duhet, pra, nxituar, nxituar e përsëri nxituar. Po, zoti Kryeministër ka të drejtë: Shqipëria Socialiste duhet të luftojë në disa fronte njëherësh sepse, sot, në epokën e demokracisë, përparësi kanë të gjithë objektivat e caktuar për vendin dhe rajonin e Ballkanit perëndimor ku ajo bën pjesë. Në këtë kuadër, tingëllojnë shumë shpresëdhënëse fjalët tij, sipas të cilave Gjermania ka rënë në sevda me Shqipërinë Socialiste. Kështu qoftë, por, për ta merituar këtë sevda, duhet nxituar, nxituar e përsëri nxituar. Mirëpo (ka gjithmonë një “mirëpo” që vjen kur nuk e pret dhe të prish punë që ç’ke më të!), përvoja botërore lidhur me nxitimin dëshmon se volontarizmi kryeministror mund të jetë fatal në raste të tilla si ai i Shqipërisë Socialiste përballë sfidash aq të mëdha sa ato të integrimit të saj në Bashkimin Europian, sepse duhet punuar me durim e mend në kokë dhe jo thjesht me rënie në sevda. Sidomos kur mendon se ne shqiptarët (jo të gjithë, fatmirësisht) e kemi shumë qejf atë që italianët quajnë il dolce far’ niente, e kemi shumë qejf edhe “qylin”, që miku dhe kolegu im Françesk Armadhi e ka shtruar në ekuacion si vijon: qyl = Q + Y + L = Qelepir + Yxhym + Lezet!!! Jo më kot, që në shekullin XVII, frëngu Boileau jepte si këshillë, në trajtë proverbi: “Hâtez-­vous lentement!”, pra, “Nxitohuni me ngadalë!”. Nga ana tjetër, në shqipe ka një proverb të frikshëm që të bën t’i vësh gishtin kokës (nëse mendon me kokë, por ndoshta edhe ndonjë pjese tjetër të trupit nëse mendon me atë) para se të nxitosh, të nxitosh e përsëri të nxitosh për t’i kryer mirë detyrat e shumta që të janë caktuar. Ky proverb, disi skatologjik, nuk figuron në asnjë fjalor të gjuhës shqipe, por Françesk Armadhi e ka trashëguar gojarisht brez pas brezi nga katragjyshërit e tij, burra fort të mençur. Ky proverb është vërtet i frikshëm kur mendon se ne shqiptarët (jo të gjithë, fatmirësisht) nuk para e kemi atë durim që lypset për t’iu përveshur seriozisht jo njëri-­tjetrit (siç e vërejmë çdo ditë), por punëve të mëdha që na presin në mënyrë që sevdaja e Gjermanisë për Shqipërinë Socialiste t’i zërë edhe vendet e tjera të Bashkimit Europian. Cili është proverbi në fjalë? Thjesht fare: “Kush ngutet, përmutet”. Unë jam i bindur që zoti Kryeministër e di edhe proverbin frëng, edhe proverbin shqiptar, e njeh edhe psikologjinë hedoniste të shqiptarëve, edhe marrëdhënien e tyre me punën. Kështu që nuk e kuptoj fort mirë afshin e zjarrtë, gati të ankthshëm, që e ka pushtuar për të nxituar, nxituar e përsëri nxituar lidhur me ç’ka kam shkruar më sipër. Kjo ndjenjë m’u theksua parmbrëmë tek, për dreq, lexova rastësisht këtë histori lidhur me Nastradinin: Një ditë, hipur në karrocën e tij rrangalle, Nastradini po kamxhikonte gomarin e gjorë që rendte me të katra. Një kalimtar i tha: “Hej, Nastradin, me sa nxitim e paske!”. Përgjigjja e Nastradinit qe fort e çuditshme: “Jo, nuk e kam hiç me nxitim, por dua që ai të vrapojë aq shpejt sa të harrojë që është gomar!”. Duke mos dashur të ndikoj te lexuesi im i vëmendshëm dhe i paanshëm, po ia lë atij në dorë ta gjejë kuptimin e fshehtë të kësaj batute duke iu lutur të më bëjë të ditur se çfarë simbolizojnë, sipas atij, karroca rrangalle, Nastradini dinak dhe gomari mjeran!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat