Vetëvendosja po e shantazhonte bllokun me zgjedhje të jashtëzakonshme!

Opinione

Vetëvendosja po e shantazhonte bllokun me zgjedhje të jashtëzakonshme!

Nga: Flamur Shala Më: 23 gusht 2014 Në ora: 12:43

Këmbëngulja e Vetëvendosjes për të udhëhequr dialogun me Serbinë, duke i shtuar edhe
kushtet e tjera ndaj bllokut politik paszgjedhor, kushte me të cilat manipuloi procesin dinamik dhe të rëndë paszgjedhor që nga 8 qershori e kendej, në esencë është këmbëngulje e kamufluar politikisht për mosformimin e qeverisë së Kosovës e aq më shumë për moshyrjen e VV në Qeveri.

Pas më shumë se dy muaj të koalicionit paszgjedhor dhe përpjekjeve dhe mundësisë së këtij
koalicioni për bërjen e qeverisë, si dhe bisedimeve për të qenë pjesë e saj, VV deklarohet përmes nënkryetarit të saj se PDK paska të drejtë të provojë për të bërë qeverinë, ashtu siç komentoi Gjykata Kushtetuese. Nuk qe për të na habitur kjo deklaratë, sepse VV-së po i dalin në shesh joparimësia dhe kalkulimet me “parimet” e veta. Nga pesë kushtet për mbështetje dhe edhe për hyrje në qeverinë e koalicionit paszgjedhor, tani i ka mbetur një, i ashtuquajturi i rëndësishëm, ai për dialogun e Kosovës me Serbinë. Madje, ky nuk i ngjan më një parimi të mëparshëm, por një kushti a kërkese për të udhëhequr vetë dialogun!

Vetëvendosja vazhdon të këmbëngul me idenë-ideologjinë se parimet e saj për proceset duhet të jenë parime bazë të zhvillimit politik të vendit. Në anën tjetër, siç është thënë edhe
herë tjetër, janë parime këto që për shumëkë janë të papranueshme dhe kundër vizionit evropian për zhvillim dhe integrime të vendit tonë në proceset e zhvillimit bashkëkohor të Bashkimit Evropian!

Me kushtet me premisa dogmatike për formimin e qeverisë së Kosovës gjatë gjithë procesit
paszgjedhor, nën petkun e mbrojtjes së parimeve të saj, VV doli të jetë subjekti më interesant në këtë lojë aspak korrekte politike të saj. Duke vënë një mori kushtesh në fillim, duke shkelur e duke mbishkelur në ato “parime” kontraverse, VV i ka reduktuar ato deri në kërkesën dhe kushtin për hyrje në qeveri po që se do të merrte udhëheqjen e dialogut të Kosovës me Serbinë.

Çka i duhet udhëheqja e dialogut, kur pak kohë më parë kishte qenë kundër çfarëdo dialogu?!

Çka i duhet të marrë këtë përgjegjësi, në kohën kur për shumëçka janë arritur marrëveshje
ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?! Çka i duhet VV të marrë mbi vete tërë procesin kur dihet se,
nëse i jepet udhëheqja, bisedat duhet t’i zhvillojë me pasardhësit politikë të regjimeve të vjetra në Serbi?! Çfarë detyrash i ka vënë vetes VV apo çfarë detyrash mund t’i ketë dhënë dikush asaj për këtë sjellje politike, në radhë të parë, regresive e antievropiane, në esencë dhe shantazhuese ndaj bllokut paszgjedhor, për përfitimime politike, në radhë të dytë. Duke qenë regresive sjellja e saj politike dhe shumëçka nga kushtet dhe kërkesat e VV, e tëra kjo sjellje është e dyshimtë dhe me hile të mëdha politike!

Pak ditë më parë, “liberali” brenda Vetëvendosjes, nënkryetari i saj Sh. Ahmeti, doli e tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme le të mbahen nëse duhet të mbahen! Ai doli e tha kështu pas një heshtjeje që bëri lidhur me arrestimet e fundit në Prishtinë. Ai u përpoq ta kompenzojë heshtjen me një deklaratë pompoze për procesin dhe zgjedhjet, për të thënë diçka, në esencë shantazhuese për të gjithë, edhe për qytetarët edhe për vetë VV. Është indikative që përnjëherë të deklarohet kështu njëri nga eksponentët “liberal” të VV, në kohën kur po afroheshin ditët e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me çështjen e zgjedhjes së kryeparlamentarit në seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Vendimi i Gjykatës, cilido që të ishte, për të njëjtit nuk do të ishte i favorshëm në asnjërin nga variantet e tij. Është kështu, i pafavorshëm sepse VV, jo vetëm që është kundër çfarëdo varianti që të ketë pjesëmarrje të PDK-së në proceset e ardhshme politike shtetërore të Kosovës, por, e vërteta është, se është esencialisht edhe kundër çdo varianti që blloku të formojë qeveri.

Indikacioni i parë për të ditur pikëpamjet e tyre të zhveshura politike, doli me mosvotimin e Isa Mustafës për të parin e Kuvendit në seancën e parë konstituive dhe i dyti indikacion është deklarimi i nëkryetarit të VV Shpend Ahmeti në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Dje e sot, e tërë loja e saj politike bëhet që të shkohet në zgjedhje të reja! Në favor të këtij pohimi shkon edhe deklarimi i eksponentëve më të mëdhenj në procesin paszgjedhor të Vetëvendosjes, të cilët e thanë atë qo do të duhej thënë shumë kohë më përpara, se qeveria e mundshme e formuar nga blloku në koalicion me “listën” serbe do të jetë qeveri e paqëndrueshme.

Dhe, e fundit, është deklarata e përsëritur e kreut të VV se ajo “më nuk do të lëshojë pe”
lidhur me parimet e saj. Kjo deklaratë del e i hedh poshtë të gjitha parimet e saj, në një anë dhe përpjekjet e saj, kalkulimet, paraqitjet dhe kurtuazinë, herë-herë të zhveshur, gjithnjë për reflektime politike, vazhdon t’i bëjë gjithnjë me qëllim të shkuarjes në zgjedhje të reja parlamentare. Ky ishte dhe mbeti synimi dhe qëllimi i fundit i Vetëvendosjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat