Rimëkëmbja e LDK-së në frymën e udhëheqësit të saj – Dr. Ibrahim Rugova

Opinione

Rimëkëmbja e LDK-së në frymën e udhëheqësit të saj – Dr. Ibrahim Rugova

Nga: Naim A. Cami Më: 22 korrik 2014 Në ora: 17:58

Lidhja Demokratike e Kosovës është pa asnjë mëdyshje kapitulli më i rëndësishëm dhe më i pa zëvendësueshëm i historisë politike më të re mbarë shqiptare dhe në veçanti të Kosovës, në realizimin e aspiratave mbarë kombëtare, e cila në mënyrë shumë përmbajtjesore dhe në kuptimin e plotë të fjalës i ndërroi dhe i trasoi rrjedhat politike shqiptare për së mbari dhe për të mirë fillimisht dhe kryesisht në Kosovë - atje edhe ku lindi në fund të dhjetorit të vitit1989, ndërsa energjia dhe strategjia kombëtare pozitive e saj u shtri dhe u pranua në tërësi edhe nga shqiptarët në Maqedoni, por edhe në Shqipëri në një masë të konsiderueshme.
Pra, kjo forcë politike shqiptare, gjegjësisht e para parti politike shqiptare demokratike e djathtë e themeluar në ish RSFJ, ku aso kohe bënin pjesë Kosova dhe Maqedonia, me orientimin e saj kombëtar dhe me vizion e program politik të pastër etnikisht, ishte në të njëjtën kohë padyshim ndër partitë e para politike kundërshtare të komunizmit në Evropën Juglindore, atëherë kur komunizmi numëronte çastet e fundit të ekzistimit të vet institucional dhe kur kulmonte me egërsinë e vet për të mbrojtur atë që nuk mbrohej dot: jetëgjatësinë politiko-institucionale të vet kudo që shtrihej.
Dhe mu këto dy elemente politike thelbësore të LDK-së: politika strategjike mbarë kombëtare dhe pavarësia e Kosovës si hap i parë drejt bashkimit mbarëkombëtar, ishin dhe ngelen letërnjoftimi i saj me vlerë të përhershme që nuk do të mund ta fshijë dhe as ta zbehë askush dhe asnjëherë me asgjë.
Por, me kalimin e kohës, fillimisht në fillim të viteve të ’90-ta dhe më pastaj edhe pas mbarimit të intervenimit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë përmes NATO –s për të ndërprerë gjenocidin dhe dhunën skajshmërisht të egër që po e ushtronin forcat militare dhe paramilitare serbe në Kosovë me qëllim të spastrimit etnik të saj, d.m.th. pasi që NATO-ja e ndaloi këtë krim gjenocidal serb duke e çliruar Kosovën në qershor të vitit 1999 nga forcat okupuese serbe, nga LDK-ja u largua një pjesë e anëtarësisë të saj duke patur aspirata që ambiciet e tyre politike e të tjera t’i realizojnë në ndonjë parti tjetër, gjë që edhe mund të jetë normale duke pasur parasysh që dikush në atë mënyre e profilizonte edhe interesin e vet të ngushtë personal.
Por, ky frustrim i një pjese të anëtarësisë të LDK-së, gjegjësisht shpërndarja e një pjesë të saj nëpër parti të tjera, shumica e tyre të krijuara pas mbarimit të intervenimit të NATO-s, në asnjë mënyrë nuk e dobësoi trungun e saj substancial si dhe besimin e shumicës së popullatës së Kosovës në LDK.
Dhe e tërë kjo përkrahje ndaj LDK-së ndodh falë një personaliteti kolosal – udhëheqësit dhe kryetarit të parë të LDK-së dhe të shtetit të Kosovës, intelektualit të shquar - Dr.Ibrahim Rugova.
Pra, ashtu sikurse çdo parti politike anë e mbanë botës edhe LDK-ja, por edhe Kosova, për fat të mirë të saj dhe të mbare popullit shqiptar, e pati udhëheqësin dhe shpirtin e vet, fryma, parimet, strategjia dhe filozofia politike e të cilit pa asnjë ekuivok (mëdyshje) e mbajti dhe po e mban edhe sot e kësaj dite, ashtu siç do të duhej ta mbajë edhe në të ardhmen LDK-në në majat e skenës politike mbarë shqiptare.

…2
Njëherazit edhe për shtetin e Kosovës Dr.Ibrahim Rugova është ashtu sikurse janë për Amerikën Xhorxh Uashingtoni, për Turqinë moderne Kemal Ataturku apo për Çekinë moderne nobelisti Vaclav Havel.
Pra, në këtë kontekst, gjatë zhvillimeve politike që pasuan në Kosovë, duhet pranuar si fakt të pamohueshëm se LDK-ja ishte dhe akoma është e privilegjuar sepse votat në të gjitha zgjedhjet të çdo niveli që pasuan në Kosovë para dhe sidomos pas vdekjes të kryetarit të ndjerë Ibrahim Rugova i fitoi në radhë të parë dhe në masë më të madhe falë respektit dhe kujtimit ndaj këtij kolosi që patën dhe që akoma e kanë votuesit e LDK-së.
Ky fakt në veçanti u argumentua gjatë historisë më të hidhur të LDK-së pas vdekjes të dr.Ibrahim Rugovës – pra historisë të kuvendit përçarës dhe poshtërues të saj, nga i cili kuvend doli një udhëheqësi tejet e dobët, anemike, e kontestueshme dhe e nënshtruar ndaj interesave të ndryshme personale.
Anëtarësia dërmuese e LDK-së në atë periudhë të zymtë pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova ishte e bindur se me asgjë nuk do të cenohet apo devijohet fryma politike e tij aq shpejtë, andaj edhe mbetën të shokuar me ngjarjet tragjiko-komike në Kuvendin përçarës dhe poshtërues të LDK-së, i cili me pamjet e filmuara i la gojëhapur të gjithë ata që e dinin historikun dhe vlerat reale të LDK-së dhe të themeluesit të saj.
Dhe mu ai Kuvend përçarës dhe poshtërues paralajmëroi se nga ana e disa personave të papërgjegjshëm dhe mbi të gjitha lakmues funksionesh dhe interesash personale, në mënyrë shumë të vrazhdë dhe të paskrupullt do të vihen në pikëpyetje fryma dhe parimet e Dr.Ibrahim Rugova me të cilat ai e udhëhiqte LDK-në dhe Kosovën.
Dhe mu kjo ndarje e turpshme dhe e imponuar në kuvendin përçarës, bëri që njëra nga dy figurat protagoniste të përçarjes të LDK-së në mënyrë tërësisht jo institucionale, d.m.th. pa vota, erdhi në krye të LDK-së dhe të Kosovës.
Por, nuk vonoi shumë dhe që të dyja këto figura përçarëse të LDK-së, ashtu sikurse erdhën ashtu edhe u eliminuan nga skena politiko-shtetërore e KS: në mënyrë përulëse, të turpshme dhe ndëshkuese.
Por për fat të keq, njëri protagonist i përçarjes të LDK-së, në fund të karrierës të tij politike, në mënyrë shumë të pa merituar u bë edhe “kryetar nderi i LDK-së”, por pa e nderuar me asgjë LDK-në. Ky ishte një gabim i pafalshëm i propozuesit të këtij “nderi” dhe të atyre që e aprovuan këtë propozim, aq më tepër kur dihet se në të gjithë botën e civilizuar kryetarë nderi shpallen vetëm dhe vetëm kryetarët e parë të një partie. Andaj ky “nder” në duart e atij që nuk i takon duhet urgjentisht të revokohet, aq më tepër nga se paraprakisht ky protagonist i përçarjes u shkarkua nga posti i kryetarit të shtetit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës mu për shkak të veprimeve të tij antikushtetuese.
Por, secila histori ka edhe një mësim dhe një porosi.
Dhe në këto rrethana dhe momente politike, i vetmi mësim dhe e vetmja porosi që duhet nxjerrë nga kjo histori e hidhur e LDK-së dhe që ka të bëjë me këta dy protagonistë përçarës të LDK-së, është se kurrë më nuk duhet lejuar që në krye të LDK-së të vijnë persona që u ngjasojnë këtyre dy terminatorëve, të cilët paaftësinë e tyre voluminoze për të udhëhequr me LDK-në dhe Kosovën, si dhe interesat e tyre ekskluzivisht personale u munduan t’i fshehin pas titujve shkencorë dhe pas fuqisë të elektoratit Rugovian.
Por, cilat ishin ndër karakteristikat kryesore të frymës dhe strategjisë politike të Dr. Ibrahim Rugovës me të cilën ai e udhëhoqi LDK-në dhe bashkë me të e udhëhoqi edhe Kosovën, ndërsa njëkohësisht ishte dhe ngeli edhe udhërrëfyes i shqiptarëve në Maqedoni, por në masë të konsiderueshme edhe të shqiptarëve në Shqipëri, karakteristika këto që do të duhet t’i ketë çdo kryetar i ardhshëm i LDK-së.
…3
Mendoj se pa asnjë mëdyshje karakteristika e parë shumë e fuqishme e Dr.Ibrahim Rugovës, e cila nga pasardhësit në krye të LDK-së, duhet ndjekur në vazhdimësi dhe pa mëdyshje, ishte fryma e tij e pastër nacionaliste pra mbarë kombëtare të cilën gjithmonë e kishte edhe pikënisje të orientimit dhe veprimit politiko-strategjik.
Me një filozofi imponuese shumë të urtë por mbi të gjitha me shembuj konkret të veprimit dhe të veprimtarisë së vetë, Dr.Ibrahim Rugova në mënyrën më dinjitoze e afirmoi botërisht të drejtën burimore të shqiptarëve në Kosovë që të luftojnë për të drejtat kombëtare të veta si vlera të pakontestueshme dhe bëri që kjo komponentë substanciale dhe më e rëndësishme e çdo kombi në botë të zë rrënjë të thella në secilin anëtar të LDK-se dhe çdo qytetar tjetër shqiptar në Kosovë e në Maqedoni.
Nga secili dokument arkivor i shkruar apo filmik i veprimtarisë të Dr.Ibrahim Rugoves mund të verifikohet ky parim, pra kjo frymë politike e tij e ushtruar në kontinuitet dhe pa asnjë zmbrapsje.
Edhe pse në asnjë rast nuk e injoronte kurrë ekzistencën e pakicave të tjera në Kosovë, Dr.Ibrahim Rugova gjithmonë dhe kudo në vend të parë e vente interesin shtetëror dhe kombëtar të popullit të vet, andaj ishte kjo veçori që e bënte edhe më të fuqishëm personalitetin e tij në arenën ndërkombëtare, duke u nisur në radhë të parë nga SHBA-të prej ku pati gjithmonë përkrahje dhe mbështetje në kontinuitet intensiv, por edhe në vendet më me influencë të Europës, si Gjermania, Anglia, Franca etj.

LDK-ja urgjentisht të nxjerrë publikime shkencore për Presidentin Rugova

Këmbëngulësia për të arritur qëllimin final kombëtaro-politik, ishte karakteristikë e dytë shumë e fuqishme e të ndjerit Dr. Ibrahim Rugova, që e bënte atë shumë imponues në qarqet e politikëbërjes botërore, pra aty ku vendosej dhe ku akoma vendoset për ecuritë politike në botë, karakteristikë kjo, e cila nga pasardhësit në krye të LDK-së po ashtu duhet ndjekur në vazhdimësi dhe pa mëdyshje.
Si një shembull shumë domethënës të këmbëngulësisë parimore patjetër duhet veçuar momentin kur Dr.Ibrahim Rugova në fillim të viteve të ’90-ta i refuzoi në mënyrë shumë të prerë ndërmjetësuesit e Kombeve të Bashkuara Sajrus Vens dhe Lord Oven kur erdhën tek ai në Prishtinë për të kërkuar nga ai, që Kosova të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë kinse “për ta mundur së bashku me partitë opozitare serbe kriminelin Milosheviq”. Opsion që publikisht e përkrahnin edhe disa kuazi intelektual shqiptar në Kosovë, të cilët për fat të mirë ishin në numër shumë të vogël.
Por, ishte Dr.Rugova ai që në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë dhe të prerë këtyre dy ndërmjetësuesve të Kombeve të Bashkuara ju tha: “Ato janë zgjedhje të një vendi fqinj dhe ato nuk kanë të bëjnë aspak me Kosovën, ne i kishim zgjedhjet tona parlamentare dhe presidenciale në Kosovë në vitin 1992”.
Kjo këmbëngulësi aq e drejtpërdrejtë, aq e guximshme, aq e arsyeshme dhe aq parimore drejt arritjes të qëllimit final kombëtar-politik, e profilizonte urtësinë dhe largpamësinë e madhe që posedonte Dr.Ibrahim Rugova me të cilën ai fitoi respektin më të madh në qarqet politike botërore, si dhe në mbarë elitën botërore intelektuale.
Me siguri ky shembull i sipër përmendur i Dr. Ibrahim Rugovës duhet të përdoret me analogji edhe në situata të ngjashme që kanë të bëjnë me interesat kombëtare, nga të gjithë politikanët shqiptarë të sotëm kudo që ata janë në funksion.
Por, pse imponohen në këto kohëra dhe në këto rrethana politike në Kosovë këto dy, nga shumë veçoritë e tjera, të fuqishme pozitive të Dr.Ibrahim Rugovës?
Kjo bëhet pikë së pari për shkak të kërkesës dhe nevojës për një reformë substanciale dhe të mirëfilltë brenda LDK-së, e cila është një kërkesë imediate dhe që aspak nuk duron prolongim.
Kjo nevojshmëri u vërejt dhe u konstatua edhe në zgjedhjet në Kosovë që sapo lëmë pas ku LDK-ja megjithëse akoma e pa reformuar ashtu sikurse duhet pati aq shumë votues.
Pra, si parti më vete LDK-ja fitoi më shumë vota se çdo parti tjetër, pikë së pari ngaqë në anëtarësinë e gjerë të saj, por edhe në një numër të madh të popullatës shqiptare të Kosovës tanimë në mënyrë substanciale është pjekur bindja se është i pakontestueshëm dhe tepër i nevojshëm rikthimi në vlerat e strategjisë politiko-shtetërore të themeluara, të trasuara dhe të aplikuara nga udhëheqësi i LDK-së dr.Ibrahim Rugova, me çka do të rimëkëmbej LDK-ja dhe njëherazit edhe Kosova.

…4
Por, parakusht themelor dhe i detyrueshëm për një rimëkëmbje të mirëfilltë të LDK-së në frymën e Dr.Ibrahim Rugovës duhet të jetë ai që udhëheqësia e re e në veçanti kryetari i ri i LDK-së, patjetër dhe pa asnjë alternativë duhet të dalë nga një proces zgjedhor transparent brenda partiak, në të cilin kandidatët për postin më të lartë do të kenë mundësinë që para anëtarësisë t’i shpalosin programet dhe vlerat e tyre në mënyrë transparente. Vetëm në këtë mënyrë anëtarësia e gjerë do të ketë mundësinë që në mënyrë meritore të vendosë për atë se kush do ta udhëheqë LDK-në.

Më këtë do të duhej të nënkuptohet që:

1- Në asnjë mënyrë dhe me asnjë kusht të mos përsëriten veprimet e protagonistit përçarës të LDK-së që për interesa të ngushta personale, në forumet më të larta partiake të LDK-së, por edhe në institucionet më të larta shtetërore, i lansoi në emër të LDK-së të “ardhurit” nga një parti tjetër, e cila deri në shuarjen dhe shpërbërjen e saj për shkak të mos përkrahjes nga votuesit, ishte njëra ndër kundërshtaret më agile të Dr.Rugovës dhe të LDK-së. Pra, të gjithë ata “ardhacakë” arritën aty ku janë edhe sot, jo vetëm duke mos qenë paraprakisht anëtarë të LDK-së, por edhe pa pasur kurrfarë merita në LDK si dhe pa kaluar as edhe të vetmin filtër për t’u zgjedhur atje ku ishin dhe disa prej tyre dhe akoma janë, ashtu sikurse zgjidhen dhe siç janë zgjedhur në forumet partiake anëtarët e tjerë të LDK-së, pra ashtu sikurse bëhen zgjedhjet partiake në çdo parti serioze në botën e civilizuar.
Kjo mënyrë e shpërndarjes të posteve atyre që më së paku e meritojnë duke aderuar në LDK në prag të zgjedhjeve, në masë tejet të madhe e ka irrituar dhe zhgënjyer çdo anëtar të LDK-së.
Dhe i njëjti gabim u përsërit në zgjedhjet e fundit edhe nga kryetari aktual i LDK-së.
Për këto arsye në zgjedhjet partiake të radhës të LDK-së patjetër që kandidatët për të gjitha postet partiake dhe shtetërore duhet ti nënshtrohen përzgjedhjes sa më transparente dhe sa më meritore.
2 - Në lidhjen e koalicioneve para apo pas zgjedhore, gjithsesi se duhet patur kujdes që ky koalicion në radhë të parë dhe detyrimisht duhet që të mos e cenojë programin dhe integritetin e LDK-së si dhe peshën e votuesve të LDK-së, në mënyrë që të mos zhgënjehet anëtarësia e gjerë, pra që të mos ndjehet anëtarësia e manipuluar.
Ndërsa ky zhgënjim dhe manipulim eventual i anëtarësisë dhe votuesve mund të evitohet vetëm dhe vetëm me marrjen e vendimeve përkatëse lidhur me koalicionet e mundshme në organet më të gjëra drejtuese të partisë.
Çdo veprim në kundërshtim me këto dy parime, për zgjedhjen e bartësve të të gjitha funksioneve partiake dhe shtetërore si dhe lidhjes të koalicioneve zgjedhore me parti të tjera, në mënyrë të pashmangshme do të imponojë dyshimin e bazuar të anëtarësisë dhe votuesve se bëhet fjalë vetëm për interesa pushteti të një grupi të caktuar, me çka në mënyrë të pakthyeshme dhe të pafalshme do të relativizohej fuqia votuese e LDK-së duke e thelluar njëherit barrierën në mes të udhëheqësisë të ngushtë dhe votuesve.
Në fund do të shprehja edhe mendimin se për çdo udhëheqësi të ardhshme të LDK-së, është imperativ që në mënyrë sa më urgjente përmes veprimtarive dhe publikimeve shkencore, ti njoftojë brezat e rinj të Kosovës gjerësisht me historinë e personalitetit dhe të veprimtarisë të Dr. Ibrahim Rugovës dhe të figurave të tjera të mëdha të LDK-së, por edhe të LDK-së në tërësi që nga themelimi i saj, në mënyrë që t’i largojë nga brezat e rinj të gjitha dyshimet dhe të pavërtetat që mundohen t’ju mveshin atyre qarqe të caktuara politike.
Për fat të keq deri më tani këtë veprimtari shumë të nevojshme nuk e ka ndërmarrë asnjë nga udhëheqësit e LDK-së pas vdekjes të Dr.Ibrahim Rugova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat