Hajt, se do të bëhet mirë…

Opinione

Hajt, se do të bëhet mirë…

Nga: Kastriot Osmani Më: 19 prill 2014 Në ora: 10:51

Gjithçka filloi, si zakonisht, dihet, prej facebook-u, aty ku frekuenton, trumbeton, tashmë e gjithë shoqëria shqiptare, e në masë të madhe edhe rinia jonë. Në një kohë, ku obligimet profesionale, ngulfasin kohën më të madhe të një studenti, qëndrimi indiferent ndaj ndodhive të përditshme në rrethin tonë, edhe pse jo e drejtë, duhet jetë parësore dhe më reale për secilin prej nesh. Them kështu, pasi që drejtimin e shenjtë që kemi marrë ne si student, nuk duhet devijuar asnjëherë dhe duhet çuar deri në fund. Por, jo e drejtë, pasi që jetojmë në një vend, sinonim i fuçisë së barotit, Ballkanit, që kurrë nuk u rehatua. Në një vend si ky, që mëton të jetë Europë, duke harruar se vet gjeneza e këtij vendi, ka qenë zemra e asaj Europe që “jemi nisur” tashmë, në një vend që edhe kopjen nuk dijmë ta kopjojmë si duhet, në një vend që varësisht nga çfarë këndi ku jemi, japim vlerësime bardh e zi, gjë që aspak nuk përshkruan atë që, ti si qytetar, e jeton dhe e përjeton çdo ditë, në qytetin tënd, në lagjen tënde.

Filloi nga postimet, “llajkat”, e komentimet “pro et contra” të miqëve, miqëve të miqëve, që thirren se janë besimtarë të denjë, aktivist partiak, por që në fakt mua më duken si “rezerva të arta” futbollistike, që u duhen qarqeve të caktuara në momentet e duhura dhe në kohëra të duhura. Personalisht nuk kam problem me ata/o, por dukuria që ka marrë hov kohëve të fundit, por që edhe ka ekzistuar, normalisht që më shqetësojnë pamasë.

Parametër i rëndësishëm i një rinie të shëndoshë, që është edhe fundamenti i një shoqërie, padyshim se është subjektivizmi ideal kulturoro/politiko/shoqëror, që mban gjallë një popull të tërë, jep tipare veçorike, dalluese nga popujt tjerë dhe rifreskon çdoherë gjërat që shihen si të ‘vjetra’ dhe zëvendëson me atë të ‘renë’, por që ngel dhe përfaqëson petkun e atij populli.
Realiteti gjeo-politik në Ballkan, ka bërë që zhvillimi i popullit tonë, të ketë laramani të ndryshme, varësisht nga “ngjyrëdhënësit” e ndryshëm, që na kanë bërë të jemi këtu ku jemi, e për të cilën pos konstatimeve faktike, mendoj se nuk do të ishte aspak e dobishme të anosh nga pikëvështrimi yt e të thuash se çka na paska qenë mire, e çka keq.

Tash, në këtë realitet ku jemi, objektivizmi, mungesa e aktivizmit qytetar, të qenurit kukulla të qarqeve të caktuara, apo më thjeshtë thënë; mbjellja e farës së keqe, nuk duhet aspak, në asnjë mënyrë të etiketohet si sinonim i të rinjëve shqiptar. Se është rrënjësisht e kundërta e asaj që duhet të jetë, këtë na e dëshmon realiteti faktik, ku jetojmë. Tash nga ajo pan-shqiptarizma ballkanase, do të përkufizohem, që të reflektoj paksa, si një i ri, për rininë shqiptare, këtu nga kryeqendra e dikurshme dardanase.

Të lënë në mëshirë të fatit, pa ndihmën e askujt, vazhdojmë që të mbijetojmë, në kushte, ku duhej të ishim duke luftuar që të mbisundojmë. Mentaliteti i përgjithshëm shqiptar, i mbrojtjes, tashmë duhet kaluar në sulm, sepse mbrojtja më e mirë është sulmi. Politika shqiptare këtu, ‘politikë’ vetëm në letër, ende nuk po arrinë të definoj, se çka në të vërtetë duhet të kërkoj nga ky shtet, e si mungesë e asaj, mungese të vizionit, largëpamësisë, më së shumti po e vuan rinia shqiptare. Të futur në një rrugë pa krye, vazhdon të goditet tmerrësisht nga keqbërësit shekullor, që pason me përkthelje dhe me këshilla të durimit, nga ‘mirëbërësit’ tanë. Mosfaktorizimi i shqiptarëve në këtë shtet, padyshim që është shkak kryesor i gjendjes aktuale, por jo dhe i vetmi. Të të godas ndokush në befasi për të parën herë, me të drejtë do ta akuzosh e fajësosh goditësin, por nëqoftë se ndodh kjo edhe për së dyti herë, atëherë drejtohu kah vetja, sepse tek ti qëndron problemi.

Paria jonë politike, duhet kuptuar, se kështu nuk duhet vazhduar më, sepse me apo pa vetëdije, po ‘mbysin’ veten e tyre, duke degjeneruar rininë shqiptare. Rinia shqiptare nuk e meriton vendin, ku ‘ata’ e kanë vendosur; si një spektator dhe parashikues ‘meterologjik’, por duhet ngritur në vendin ku ajo e meriton, në ‘barrën’ e një shoqërie të shëndoshë. T’i biem vetit mbas, sa nuk është bërë vonë, thotë populli. Vetëdija shoqërore, edhe përkundër gjithë këtyre shtypjeve, prap po rritet. Rinia shqiptare nuk toleron këtë nënçmim të qenies së tyre, nënvlerësim të intelektualizmit të tyre. Të mos harrojmë se gjithë këto ndryshime të mëdha botërore, kanë ndodhur nga vetë NE, Kosova jonë martire, për të ardhur deri në këtu ku është sot, është dashur që ajo RINI të derdh gjak, për lirinë dhe për barazinë e saj, sot të cunguar.

Prandaj si një këshillë para se të mbyll facebook-un, ju kisha lutur, sikur vëllaun-vëllanë; aman VETËDIJËSOHUNI, mendoni me kokat tuaja, bëhuni SUBJEKTI/kreatorët/ideatorët/reformatorët dhe jo OBJEKTI/statuja/gravura/kukulla e shoqërisë sonë. PUNONI, STUDJONI dhe gjithmonë bëhuni ZËRI kritik, i çdo parregullsie ekzistuese politiko/shoqërore. Vetëm kështu, mund të shkojmë para, drejtë njohjes së vetvetës, riformësimit së vetëvetes, integrimit të ndërsjelltë e mbjelljes së shqiptarizmës rilindase të pasuar nga shumë e shumë ‘rilindas’ të mëpasshëm, e që padyshim se duhet marrë si shembull i pikësynimit që i vemi vetes. Zoti na ndihmoftë!
Kastriot Osmani – Student i mjekësisë së përgjithshme, në Universitetin ‘Shën Kirili dhe Metodij’-Shkup.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat