Të vihen para drejtësisë krerët e krimit të organizuar

Opinione

Të vihen para drejtësisë krerët e krimit të organizuar

Nga: Mr. Sc.Bahri M. Gashi (PhD) Më: 9 prill 2014 Në ora: 22:07

Tribunali duket të jetë i pashmangshëm, kjo për faktin që institucionet tona të drejtësisë, dështuan për të vënë drejtësi kundrejt të gjithë atyre që në çfarëdo forme e shkelën dhe u ndeshën me ligjin. Tani më Tribunali është një çështje e kryer, ai do të krijohet pasi që edhe Euleksi nuk arriti të përmbushë misionin e tij, dështoi dhe si e tillë kjo gjykatë do të trajtoj një sërë çështjesh që ndërlidhen me krimet e supozuara të luftës, për çka në pista të ndryshme hetimesh do të jenë krerë – komandantë, drejtues politik, logjistik e financiar të UÇK -së të cilët luftën e kishin në sfondin e përfitimit dhe jo të çlirimit. Të tillëve do t’iu ndalohet krekosja e mëtutjeshme me vlerat e luftës e që në fakt ishin kundërvlerave të saj. Kosova me ose pa të drejtë do të detyrohet të pranoj krijimin e tribunalit, e që në fakt është rrugë e pakthyeshme. Për Kosovën do të ishte mirë që jetëgjatësia e tij të jetë sa më e shkurtër. Ky tribunal do të duhet që brenda dy vjetëve ta përmbyllë misionin e tij dhe Kosovës përfundimisht ti hapet kapitulli i ri i perspektivës ekonomike dhe evropiane.

Qëndrimi i drejtpërdrejtë i Departamentit të Shtetit i SHBA –s dhe pothuajse i të gjitha misioneve diplomatike aleate që mbështetën Kosovën në të gjitha periudhat, të njëjtat prerazi sugjerojnë që kjo Gjykatë të themelohet dhe të trajtohen me seriozitet çështjet e sipërthëna. Është sinjal i qartë se kjo shpejt do të ndodhë. Se sa të vërteta mund jenë krimet e supozuara brenda (para dhe pas) luftës, tregon vet fakti i urgjencës së krijimit të tij.
Si do që të jetë në Kosovë s’ka dyshim se kanë ndodhë gjëra të tilla brenda llojit, Si duket sipas pretenduesve për krijimin e tribunalit të supozuarit kanë mbet disa tipa ordiner akoma të lirë, një “çerdhe hajdutësh e kriminelësh a gangsterësh që sorollaten prej kohësh”. Nga të gjitha raportet ndërkombëtare, mendohet se ata fillim dhe mbarim ishin strehuar në PDK mbi tokë dhe nëntokë.
Për të trajtuar këtë kategori të pandehurish, doemos duhet një gjykatë e re, e veçantë - speciale apo tribunal, që të trajtojë këta të pandehur që vranë, që nga koha e luftës, fillimit të saj, dhe të pasluftës.
Të tillët vazhduan të vrasin personalitetet më me ndikim në jetën publike të Kosovës së pasluftës. Ata besohet se filluan të vrasin të ardhmen e Kosovës duke shuar jetë njerëzish, duke vjedhur e kriminalizuar shoqërinë, duke shkatërruar lirinë e mendimit e veprimit, duke plaçkitur ekonominë e lirë të Kosovës përmes privatizimit, përkatësisht “zaptimit” të tenderimit dhe jetës me vrasje, që së fundmi u la në gjak vet kreu i saj, njëherit përmes formave të tjera të ulëta që prej kur iu sulën pushtetit e deri në ditët e sotme.

Këta të pandehur të supozuar, arritën që përmes grupeve kriminale të paorganizuara, të organizuara dhe të riorganizuara të bënin vepra të liga, që kur s’kishin qenë traditë autoktone e shqiptarëve. Prandaj për ta parandaluar një çrregullim të mëtutjeshëm gjenetik, për ta vënë drejtësinë në vend për shumicën e padrejtësive që kanë ndodhur, në më shumë se një dekadë e gjysmë, tanimë ky Tribunal duket të jetë i domosdoshëm. Vlerësohet që ky trup gjykues duhet të trajtoj veç e veç të gjitha krimet e supozuara të të gjitha llojeve, madje jo vetëm të krimeve të luftës, por duhet nisur nga të vënit para drejtësisë të gjitha krimet e para gjatë dhe pasluftës, të vihen para drejtësisë edhe këto kategori kriminesh, si: Krimin e organizuar brenda shtetit, rishikim të procesit të privatizimit, tenderomaninë, korrupsionin qeveritar, informalitetin ekonomik, ndërtuesit e dyshimit, shpëlarjen e parave, fajdexhinjtë, reketizmin, vjedhjet enigmatike brenda institucioneve shtetërore të sigurisë. Pra ky trup gjykues duhet ta pastroj Kosovën nga të gjitha këto forma kriminale dhe jo të fokusohet vetëm në krimet e supozuara të luftës. Një mandatë më i gjerë do të ishte më domethënës në dobi të së ardhmes së Kosovës. Është diskutuar edhe çështja rënies së kredibilitetit ndërkombëtarë të Kosovës pas krijimit të kësaj gjykate, përkundrazi efektet do të jenë pozitive, madje edhe në aspektin ekonomik do të krijohet siguria e investimeve, por edhe sa i përket të gjitha aspiratave të rrugëtimit tonë drejt Unionit Evropian dhe NATO-s.

Për këto që u thanë më lartë dhe për këtë listë arsyesh serioze, duhet një rendi i ri juridik e që në fakt po nënkupton krijimin e këtij tribunali, që nuk vie si vullnet, por si domosdoshmëri. Për sa kohë Kosova do të hamendet që të pranoj apo refuzoj, përkatësisht të mos ta votoj në Kuvend, Kosova do të tregoj papjekuri politike, papërgjegjësi institucionale dhe paqëndrueshmëri të vendimmarrjes për të siguruar që ligji dhe drejtësia për këdo dhe kurdo mund të vihet në vend. Kjo rrugë është postulat për të ardhmen dhe perspektiven e Kosovës. Kosova njëherë e përgjithmonë duhet të pastroj të gjithë ata, që me ose pa vullnetin e tyre bënë veprime që shkelën kodin gjenetik dhe ligjin. Kosova duhet te lirohet sa më parë prej kësaj kategorie të pandehurish të shoqërisë. Prandaj personalisht mendoj se është koha për drejtësi kritike dhe kjo do të ndodhë.

PS: (Autori është Zv. Kryesues i Departamentit për Politika të Mbrojtjes dhe Sigurisë pran AAK –së dhe kandidat i propozuar për deputet në zgjedhjet parlamentare)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat