Pashë Zotin që largoheni se na çmendët!

Opinione

Pashë Zotin që largoheni se na çmendët!

Nga: Driton Tali Më: 31 mars 2014 Në ora: 20:24

David Lloyd George (ish-kryeministër i Britanisë gjatë Luftë Parë Botërore, e që ndryshe njihet edhe si “njeriu që e fitoi Luftën e Parë Botërore), duke parë se politikat e kryeministrit Neville Chamberlain (kryeministër 1937 - 1940) dështonin përballë politikave të Hitlerit dhe nuk ishte i denjë për të udhëhequr Britaninë në atë kohë, në debatin parlamentar të 7 majit 1940, iu drejtua me “ Ti je i njohur në popull për sakrificat që i ke bërë. Për hirë të ardhmërisë, tani, populli yt ka nevojë edhe për një sakrificë tënden, ta sakrifikosh postin tënd. Ik, jep dorëheqje!”, duke e përfunduar me “pashë Zotin që largohesh”. Dhe siç dihet tri ditë më vonë (me 10 maj) Chamberlain dha dorëheqje dhe në vend të tij u zgjodh Churchill, i cili e mposhti Hitlerin dhe e shpëtoi jo vetëm Britaninë por edhe “tërë botën demokratike”.
Mirëpo, britanikët ngjashëm u sollën edhe me Churchill’in pas luftës, edhe atij i thanë “faleminderit shumë që na shpëtove, por tashti ne kemi nevojë për një lider tjetër”, dhe e zgjodhën Clement Attlee’n. Pastaj, vite më pas, Churchill’in e zgjodhën “figurën më të ndritshme në gjithë historinë e Britanisë”. Pra edhe para inxhinierit, Isambard Brunel, i cili i dha kuptim industrializmit; shkencëtarëve Charles Darwin dhe Isac Newton; Shakespeare’it të famshëm; figurave historike si Mbretëreshës Elizabeth I ose legjendës Mbretit Arthur; artistëve si John Lenonn apo Charlie Chaplin, e shumë e shumë figurave tjera të njohura të historisë britanike.
Kësi shembuj kemi sa të duamë tek popujt e civilizuar. Ata, liderët e tyre i zgjedhin dhe i përkrahin për hirë të tashmes dhe të ardhmes, e jo për hirë të së kaluarës, siç po bëjmë ende ne. Pa marrë parasysh se kush janë ata, nuk janë më të mëdhenj se e ardhmja e shtetit! Andaj, kombet e civilizuara moti janë shëruar prej “warlord’ve” (në përkthim tekstual i bie pronarët, zotërinjtë e luftërave ose nëse e adoptojmë për kohën tone i bie tamam “komandantët”), si bie fjala Japonia që nga shekulli i shtatëmbëdhjetë (periudha Sengoku) është liruar nga ata. Vetëm në ato shoqëri të cilat ende jetojnë në të kaluarën, si Afganistani, Kolumbia, Somalia, Sudani etj. “komandat” (pronarët e luftës) janë aktual.
Më bien ndërmend këto gjëra sa herë që i përcjell udhëheqësit tanë sesi po na udhëheqin. Si i menaxhojnë resurset tona (shtetërore), si abuzojnë me paranë publike, si sillen dhe debatojnë bajatshëm ne mes tyre për “reforma” apo lidhur me strukturat ilegale të Serbisë që po veprojnë në Kosovë.
Gjithmonë na rikujtojnë sesa patriotë janë, dhe duke garuar njeri me tjetrin në atë se cili ka bërë më shumë për Kosovën. Ajo që nuk po mundem ta kuptojë është se pse kjo po vazhdon, të paktën që nga koha kur unë e mbajë mend.
Në të kaluarën kështu bënin disa partizanë komunistë analfabetë. Ata na lodhnin neve duke na treguar për luftën (ofensivat) e tyre kundër okupatorit fashistë. Argumentin e luftës e përdornin sa herë që kritikoheshin për padituri dhe pazotësi, dhe bile me disa këlyshë të tyre nuk përtonin që kritikuesit e tyre t’i shpallnin “nacionalistë - irredentistë” dhe “reaksionarë e armiq të Jugosllavisë së Titos, Jugosllavisë Socialiste Vetëqeverisëse e të Painkuadruar ...”. Ata, periudhën e Luftës se Dytë Botërore e shfrytëzuan maksimalisht për karrierën e tyre, deri sa Milosheviqi nuk i shkatërroi.
Dhe kur u mposhtën nga Milosheviqi, dhe filloi pluralizmi, disa nga ata komunistë të devotshëm (pleq ose pinjollë të tyre) u futën në LDK, e disa tjerë krijuan disa parti tjera. Mirëpo, të gjithë ata brenda natës u bënë “të djathtë”, dhe bile edhe “nacionalistë”, e besa shumë herë edhe “shovinistë”. Ende nuk e kam të qartë si u bë që ata të cilët na lodhnin për Marksin, Engelsin, Leninin, Titon dhe Kardelin, filluan të flasin përnjëherë për demokracinë dhe ekonominë e tregut, bile filluan të flasin shumë zhurmshëm edhe për fenë?!
Ngjashëm, si partizanët komunistë, u sollën (dhe po sillen) edhe shumë “aktivistë të demokracisë”, të cilët sa herë që i kritikonim (kritikojmë) për pazotësi apo edhe korrupsion, na rikujtojnë kontributin që e kanë dhënë ata gjatë aparthejdit. Bile, kur në skenë u shfaq UCK, “pishtarët e demokracisë” u sollën tamam si “fotelashët komunistë të Jugosllavisë” ndaj kritikuesve. Luftëtarët e lirisë i etiketonin dhe i shpallën armiq të Kosovës, dorë e zgjatur e UDB-së etj.
Së fundi kështu u sollën dhe vazhdojnë të sillen edhe disa të vetëquajtur komandantë (warlord) të cilët e uzurpuan luftën çlirimtare. Sa herë që i kritikon për hajni (apo pazotësi) na rikujton patriotizmin e tyre. Sa herë ilegalisht kanë kaluar kufirin duke bartur armatim, aksionet kundër okupatorit serb etj. Mirëpo, assesi nuk na tregojnë se si i bënë milionat.
E ngatërrojnë faktin se edhe hajn edhe patriotë nuk mund të jeshë, sepse nga definicioni këto e përjashtojnë njëra tjetrën. Është njëjtë sikurse të thuash ‘akulli i nxehtë valë”.
Nuk e kam të qartë pse po na ndodhë një gjë e tillë në vazhdimësi, neve “si populli më i vjetër në Ballkan”. Plotësisht e kam të qartë se e patëm një histori të vështirë ku së fundmi e mbijetuam aparthejdin me racizëm total dhe edhe më keq e mbijetuam edhe gjenocidin. Por kjo histori do të duhej të na mbushte mend e jo të na “çoroditë krejtë”. Nuk është aspak në rregull që edhe pas dymbëdhjetë viteve të mos mundemi ta marrim vetën dhe të na ndodhin gjëra që kombet e civilizuara i kanë zgjidhur moti.
Padyshim është koha e fundit që ne qytetarët ta ndërpresim këtë traditë. Askush nuk ka të drejtë që t’i uzurpojë institucionet për shkak të së kaluarës. Nuk është në rregull që “qytetari të jetë në shërbim të institucionit, e institucioni në shërbim të politikanit”, siç bëjnë këta “patriotët” tanë, por, do të duhej të jetë “politikani në shërbim të institucionit e institucioni në shërbim të qytetarit”.
Si nuk ju vjen turp që vetëm në vetura të shpenzojnë tërë ato para, a qytetarët vdesin në mungesë barnave elementare. Po sillen me Kosovën sikurse Louis XIV me Francën, pra “Shteti jam unë”. Deri kur do ta kuptojmë se “i mençuri mësohet prej gabimeve të tjerëve ”. Ne edhe më keq, nuk po mundemi të mësohemi as prej gabimeve tona, por ato po i përsërisim në vazhdimësi. Pse nuk po marrim yrnek prej kombeve të dëshmuara. Ata ia imponojnë udhëheqësve të tyre të sillen ashtu, siç pati thënë presidentit Truman “sa herë që shkoj në vizita shtetërore dhe i shoh ato parada ushtarake, bankete dhe ato solemnitete, ia rikujtoj vetes se këto nuk janë për mua, por janë për Presidentin e ShBA-ve”. Këta udhëheqësit tonë mendojnë se ato janë për ata, sepse ata janë më të mëdhenj sesa institucionet që i udhëheqin.
Kombet e civilizuara sillen ashtu sepse moti e kanë kuptuar, atë që historiani i njohur Lord Acton e pati thënë “pushteti korrupton, dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”. Pra, me fjalë tjera “hyn engjëll e shndërrohesh në djallë”, këtë fuqi e ka kolltuku t’ia bëjë njeriut. Ato kombe që nuk e kuptuan këtë iu pollën Stalini, Hitleri, Pol Poti e shumë të tjerë “të korruptuar absolut”. Pse sillemi sikurse me qenë ne të parët që po tentojmë të bëjmë shtet, kur në realitet jemi të fundit dhe çdo gjë në këtë drejtim është zbuluar, asgjë nuk na ka mbet neve për ta zbuluar, madje edhe ekzistencën e patriotizmin të fundit e kemi zbuluar.
Një mik më tha një ditë se kishte parë disa udhëheqës (për të cilët ka dyshime të bazuara për korrupsion) që shkonin në ora 10 të mëngjesit në punë dhe në hajgare më tha: “ishte një ndër ditët më të suksesshme në Kosovë”. Sa më vonë që dalin në zyre më pak dëm i bëjnë vendit, paramendojeni mrekullinë po të mos jenë aty fare!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat