Shumë ngjyrësh u jam dukur me shkrimet e mia për filanin e fistekun, madje gjeth që e merr era kahdo që t'frynë, m'keni quajtur,(këtë e kam hetuar që moti) dhe s'jam mërzitur, se jam bimë ballisti, e jam mësuar t'ia qepi vetës tirqit me 5 fije gajtana, jo me 12 fije spiku të zi, siç bani ju që i ngulni kamët si thiu n'akull, (pa i pasur thundrrat e mia), atëherë i bie se ngjyrat e mia gjithmonë paskan qenë të varfëra!
Po!
Bardh e zi isha që kur fillova të shoh me sytë e mi e t'mendoj me kokën time!
Atdheut i duhen edhe therrat, edhe prrockat edhe zhabat, edhe unë! Edhe ju që e mbani vetën për lule, lisa, lumej, luaj!
Vetëm harruat se toka e ajri asht i përbashkët edhe për krimbat edhe për shqiponjat!
Ndaj eca me këmbët e mia e fola me gojën time, siç ma deshti zermra e siç e panë sytë të bardhën dhe të zezën!
Të kuqën e pamë në gjakun e heronjve!
Të tjerat ua lash juve që ia preni vetës teshat, sipas shtatit e stinës!
Shumë ngjyrësh do t'iu dukem edhe sot, kur poshtë dritares se nji t ‘burgosuri do ti recitoj; - Kokën lartë shqiptari im!
Jo për t'ua bërë qejfin mbështetësve të tij, e për ti fyer kundërshtarët politik, por pse jam i zhgënjyer deri n'palcë me sjelljet arrogante të një aparati shtetnor ndaj një lideri që e lëkundi Shqipërinë enveriste dhe u sakrifikua për demokracinë e vendit të vet e si shpërblim, - n ‘pleqëri mori arrest shtepiak!
Jo, s'do t ‘jem shumëngjyrësh, sot që do ti recitoj dr.Sali Berishës të zavrakët e dritares, por njeri që s'e duron padrejtësinë, ndaj njeriut që me çdo kusht duan ta njollosin e ta gjykojnë me kutin e shtrembër! T'ia mbyllin gojën, duke e mohuar kategorikisht sakrificën e tij ndaj atdheut!
Tani po nisem drejt Tiranës, që të thërras të dritarja e tij;
Kokën lartë shqiptari im! Të drejtin mund ta gjykojnë vetëm të drejtët! Ti mos u frigo, do ti gjykosh edhe ti ata herdokur!
Liria asht barrë e madhe njerëzore! Kush ngritet nën atë peshë, ai asht i lirë dhe i drejt!
Ti bahu gurë mbi gurë dhe rri drejt! Le t ‘thonë; - heu sa drejt rrika Sali Berisha!
U nisa!
21 maj 2024