Nuk ka Drejtësi e Vetting pa kompensuar viktimat e krimeve shtetërore dhe gjyqësore, dhe nëse nuk paguajnë për dëmet, pushtetarët dhe gjyqtarët për krimet e tyre

Opinione

Nuk ka Drejtësi e Vetting pa kompensuar viktimat e krimeve shtetërore dhe gjyqësore, dhe nëse nuk paguajnë për dëmet, pushtetarët dhe gjyqtarët për krimet e tyre

Nga: Skender Kapiti Më: 25 mars 2024 Në ora: 13:03
Autori Skender Kapiti

Ashtu siç kompensohen të persekutuarit nga regjimi komunist, duhet të kompensohen edhe të grabiturit, ata që janë vjedhur e plackitur nga gjyqtarët me krimet e tyre gjyqësore që u kanë shkaktuar qytetarëve dëme të rënda ekonomike, morale e psikologjike.

Dëmet që u janë shkaktuar shqiptarëve nga vendimet kriminale të Gjykatave duhet t'i paguajnë gjyqtarët.

Vetting-u, i cili po shkarkon nga detyra gjyqtarë e prokurorë të cilët kanë bërë krime me ligjin dhe drejtësinë, po shkarkohen gjyqtarët të cilët janë bërë miliarderë duke trafikuar ligjin e drejtësinë, që kanë bërë miliona euro para e pasuri me anë të krimit të drejtësisë. Ata tani janë punësuar në administratë, janë bërë këshilltarë, janë bërë profesorë universitetesh dhe avokatë në vend që të ndëshkohen penalisht për krimet e tyre me drejtësinë. Nuk ka Veting ligjor dhe as Veting moral nëse nuk ndëshkohen penalisht krimet gjyqësore dhe gjyqtarët që i kanë bërë ato në "Emër të Republikës".

Po mirë po atyre qytetarëve të cilëve gjykata dhe gjyqtarët ua kanë vjedhur e trafikuar pronat dhe të drejtat, kush duhet t'i kompensojë ata? Prandaj gjyqtarëve që kanë bërë këto krime dhe korrupsione u duhen konfiskuar pasuritë dhe pronat e fituara kriminalisht dhe ato t'u jipen qytetarëve të cilëve vendimmarrjet kriminale gjyqësore u kanë shkaktuar dëm të rënda.

Ligji njerëzor dhe human në çdo kohë u jep të drejtën qytetarëve që të kërkojnë dëmshpërblimin për dëmet që u shkaktohen nga të tretët, nga shteti, por edhe nga vendimmarrjet kriminale të qeverisë dhe drejtësisë dhe të gjyqtarëve.

Është koha që krimet gjyqësore të dalin para drejtësisë. Ashtu siç kompensohen të persekutuarit e regjimit komunist, duhet të kompensohen edhe të grabiturit, ata që janë vjedhur e plackitur edhe nga gjyqtarët me krimet e tyre gjyqësore që u kanë shkaktuar qytetarëve gjatë këtyre viteve të tranzicionit.

Me miliona e miliona euro llogaritet fatura e shtetit shqiptar për dëmshpërblimet ndaj vendimeve të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) dhe Gjykatës së Arbitrazhit.

Kur vendimet qeveritare dhe ato gjyqësore të padrejta për shkak të krimit të korrupsionit dhe të hajdutërisë, abuzimit dhe shitblerjes së drejtësisë; kur faturat e Strasburgut, të cilat vijnë si pasojë e krimit institucional e gjyqësor të korrupsionit gjë e cila i ka shkaktuar shtetit shqiptar dëme të jashtëzakonshëm financiare prej miliona e miliona eurosh, pse për to të paguajnë qytetarët shqiptarë dhe jo shkaktarët e saj që janë shtetarët dhe gjyqtarët e korruptuar, hajdutë dhe miliarderë?

Shqiptarët kanë fituar shumë gjyqe në Gjykatën e Strazburgut, dhe shtetit shqiptar i është shkaktuar një dem i madh imazhi, por sidomos një kosto e rëndë financiare që do e paguajë taksapaguesi shqiptar. Pse p.sh. shteti dhe taksapaguesi shqiptar të paguajë 108 milion euro BEGHETIT kur shkak i kësaj është arroganca dhe papërgjegjshmëria e qeverisë shqiptare. Pse të paguajë taksapaguesi shqiptar për ata të cilët janë dëbuar nga pushtetarët padrejtësisht nga puna. Pse të paguajë taksapaguesi shqiptar për dëmin dhe krimin që u janë bërë shqiptarëve kur padrejtësisht u janë prishur objektet dhe bizneset dhe të mos paguajnë për to autorët e shkaktarët e papërgjegjshëm?

Qytetarët e dëmtuar padrejtësisht nga pushteti politik dhe nga drejtësia duhet t’i drejtohen Gjykatës dhe të kërkojnë prej saj që dëmin ekonomik e financiar atyre t’ua paguajë shtetari, administratori, drejtori dhe gjyqtari prej të cilëve u është bërë dëmi.

Dëmi i madh imazhi si një shtet ku ligji keqfunksionon dhe kur pushteti dhe drejtësia përfitojnë politikisht në dëm të interesave të qytetarëve dhe të shtetit, pasi të drejtat e tyre janë shkelur nga padrejtësia politike dhe gjyqësore shqiptare. Dhe e dyta është se për këto duhet të paguajë një barrë shumë të rëndë financiare shteti shqiptar, duke arritur madje edhe në kërcënim të falimentimit.

Mirëpo, pse të paguajnë taksapaguesit shqiptarë, kur shkaktarët e kësaj situate financiare janë qeveritarët shqiptarë, të cilët praktikojnë dhe favorizojnë korrupsionin; kur shkaktarët e kësaj janë vendimet skandaloze dhe korruptive të gjyqtarëve. Pse duhet të paguajnë shqiptarët për zullumet e kryer nga zullumqarët dhe jo nga ata të korruptuarit dhe të keqbërësit politik dhe juridik.

Pse nga drejtësia e Strasburgut duhet të paguajë miliona e miliona euro taksapaguesi shqiptar, kur fajtorë janë shtetarët, qeveritarët dhe gjyqtarët të cilët kanë ushtruar korrupsion, të cilët e kanë trafikuar drejtësinë dhe kanë praktikuar hajdutërinë, duke arritur të përfitojnë pasuri përrallore në vlera të mëdha. Pra, shtetarët dhe gjyqtarët shqiptarë, duke ushtruar krime, korrupsion dhe hajdutëri, ata janë bërë miliarderë dhe kostoja e kësaj duhet të paguhet nga qytetarët taksapagues shqiptarë. Me këto para të përfituara nga korrupsioni, ata kanë ndërtuar pasuri në vlera miliona euro dhe prandaj duhet që dëmi i shkaktuar shtetit shqiptar t'i paguajnë ata, ndaj qytetarëve dhe Shqipërisë, duke e përballuar këtë faturë të rëndë financiare ndëshkimore.

Kjo do të ndalonte korrupsionin dhe abuzimet në nivel të lartë shtetëror dhe në sistemin gjyqësor të Shqipërisë, duke bërë që qeveritarët, pushtetarët dhe gjyqtarët shqiptarë të përballen me përgjegjësinë e vendimeve të tyre, për të mos i ekspozuar ata në situata të rrezikshme për shtetin dhe shoqërinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat