Gjithçka duhet t’i nënshtrohet ndryshimit të domosdoshëm, kjo vlen edhe për politikën

Opinione

Gjithçka duhet t’i nënshtrohet ndryshimit të domosdoshëm, kjo vlen edhe për politikën

Nga: Ejup Berisha Më: 18 mars 2024 Në ora: 17:47
Autori Ejup Berisha

"Jeta është një rrjedhë", ka thënë filozofi grek Herakliti. Kjo thënie dhe logjika e saj tregon se në jetë gjithçka duhet të nënshtrohet ndryshimit apo transformimit, dhe asgjë nuk duhet të mbetet e njëjtë dhe e pandryshuar. Sipas Heraklitit, gjithçka ndryshon vazhdimisht dhe bëhet diçka ndryshe nga ajo që ishte më parë. Ai ka argumentuar se, duke qenë se natyra e jetës është ndryshimi, t'i rezistosh kësaj rrjedhe natyrore do të thotë t'i rezistosh vetë thelbit të ekzistencës njerëzore. Ai ka shtuar se "Nuk ka asgjë të përhershme përveç ndryshimit". Atëherë, çfarë është ndryshimi?

Ndryshimi është pakënaqësia me realitetin ekzistues dhe me fenomenet shoqërore të cilat janë reale dhe na rrethojnë. Mënyra se si ne përballemi me ndryshimin e fenomeneve shoqërore është ekzistenca jonë dhe çelësi i lumturisë, veçanërisht në kohët e sotme të pasigurta. Për shembull, çfarë duhet të ndryshojë në shoqëri që njerëzit të jenë të lumtur? Përgjigja është siç është thënë në titullin e këtij shkrimi. Pra, së pari, duhet të ndryshojë Politika dhe më pas edhe ekonomia, aspektet sociale, arsimi, edukimi dhe kultura. Flas për ndryshime pozitive që sjellin të mira, levërdi dhe cilësi pozitive për jetët dhe mirqeniet e tyre. Ndryshimet më të shpeshta duhet të jenë ato shoqërore, filluar nga politika.

Ndryshimet politike, si term politologjik, nënkuptojnë ndryshime në strukturën politike. Ato përfshijnë ndryshime që lidhen me institucionet politike, veprimet e politikanëve ndaj tyre dhe sjelljen e tyre ndaj qytetarëve. Dhe për fund, me qështjet e marrëdhënieve politike, duke filluar prej atyre lokale, rajonale dhe ndërkombëtare. Ndryshimet politike duhet të jenë gjithmonë të pranishme në ambientin politik, edhe përkundër tendencave të përhershme që ato të pengohen dhe të refuzohen nga ana e aktorëve politik. Ndryshimet politike janë produkt i demokracisë, ndërsa rezistencat ndaj tyre janë pasojë e sistemeve autokratike.

Ndryshimet bëjnë njerëzit më të mençur, më të zgjuar, më të dijshëm dhe më të vetëdijshëm. Ndryshimet në politikë janë mision i misionarëve, ndërsa status quo-ja është ves i diletantëve, të përfituesve dhe të karrieristëve prezent në politikë. Ndryshimin e bëjnë njerëzit që shohin shumë larg, ata që nuk shohin vetëm përtej hundës së tyre. Ndryshimin në skenën politike të vendit tonë duhet ta bëjnë përfaqësuesit e partive opozitare. Kjo sot jo vetëm si detyrë, por edhe si mision ua imponon aktualiteti i pavolitshëm politik. Ndryshimin në ambientin politik shqiptar, këtu, do ta bëjnë partitë politike të tubuara rreth koalicionit opozitar.

Eshtë një detyrim i vështirë, por tejet i domosdoshëm, si dhe shumë i nevojshëm për shqiptarët e këtushëm. Qytetarët e shumtë shqiptarë, të lënë anash, të anashkaluar, të injoruar dhe të diskriminuar nga Partia shqiptare në pushtet, e presin me padurim ndryshimin e pushtetarëve në skenën politike shqiptare këtu te ne. Ndryshimi duhet domosdoshmërisht të ndodhë, nuk ka alternativë tjetër. Hapsirë dhe vend për frikë, zbrapsje dhe hamendje nuk duhet të ketë. Siç është shprehur novelistja italiane Elena Ferrante: "Ne nuk duhet të kemi frikë nga ndryshimi, ajo që është ndryshe nuk duhet të na trembë". Dhe nëse bërja dhe pranimi i ndryshimit janë çelësi për jetë më të mirë, atëherë le të bëhet ai sa më parë, pse jo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat