“Mbyllur”, fjala më e përdorur gjatë Rama-qeverisjes...

Opinione

“Mbyllur”, fjala më e përdorur gjatë Rama-qeverisjes...

Nga: Xhevat Mustafa Më: 14 mars 2024 Në ora: 09:12
Xhevat Mustafa

Gjatë këtyre 10 viteve të Rama-qeverisjes, edhe pse ajo mburret dhe vetëreklamohet se po u hap vazhdimisht Shqipërisë dhe shqiptarëve “perspektiva dhe horizonte të reja e të pakufishme”, mund të mendohet dhe thuhet se fjala “mbyllur” ka qenë dhe vazhdon të jetë më e përdorshmja dhe më e shikueshmja në Tiranë dhe në qytetet e tjerë të vendit.

Teatri Kombëtar shembur dhe mbyllur, Biblioteka Kombëtare mbyllur, pasi u përmbyt nga uji më 26 qershor 2018 dhe shumë kohë më pas, deri sot e kësaj dite. Galeria e Arteve mbyllur, Cirku mbyllur, Teatri i Kukullave mbyllur, Muzeu Kombëtar mbyllur…!? Orkestra e harqeve në Korçë “shkrirë” si gjalpi në tigan apo mbyllur…!?

Pas zjarrit që ra më 11 shkurt 2024 në Repartin e Traumës në Kompleksin spitalor “Nënë Tereza“janë akoma mbyllur dhe jo funksionale disa shërbime dhe aparatura, e keqe që gjendet edhe në spitale të tjera shtetërore! Kjo nënkupton që hallexhinjtë dhe familjarët e tyre parallinj të ikin me vrap për tek spitalet private, ndërsa ata që i kanë kuletat më shumë bosh ose fare të lehta, të mbajnë sytë dhe shpresat tek ZOTI në qiell…!?

Prej vitesh janë mbyllur edhe plot gazeta në letra e për shitje si dhe radio-televizione private , kryesisht të pavarura dhe antiqeveritare si dhe gojët e plot gazetarëve, për të nxjerrë kritika të vetat apo të qytetarëve ndaj Rama-qeverisë!? Mbyllja e këtyre ka lënë hapur shumicën e mediave që gëzojnë sponsorizime dhe reklama të majme qeveritare, si shpërblim për tifozllëkun e pështirë ndaj kryeministrit dhe të ministrave dhe ministreshave të tij, edhe për “pisllëqe” që nuk mbulohen dot...!? Natyrisht kanë mbetur të hapura dhe janë hapur kafe, qebabtore, byrektore, farmaci, klinika dhe laboratore private, agjensi këmbimi valutor, dyqane trotuaresh dhe rrugicash, për ushqime e veshje të përdorura...

Edhe komunikimi, bashkëpunimi, konsultimi i rregullt, i vazhdueshëm, normal, vëllazëror, pa asnjë dozë diktati dhe imponimi i qeverisë Edi Rama me qeverinë Albin Kurti, sidomos mes dy kryeministrave individualisht, për rreth 3 vjet, ka qenë më shumë e më fort i mbyllur se sa i hapur, qoftë edhe sa “për sy e faqe” apo formalisht e për media...

Apo për inat të Vuçiçit, Brnabiçit, Daçiçit e içave dhe viçave të tjerë në Beograd e tek kryesitw e partive serbe në Kosovë si dhe të Putinit e Lavrovit në Moskë!? Tablloja zgjerohet apo bëhet më e plotë, duke kujtuar se edhe shumica e hekurudhave dhe e stacioneve hekurudhorë, për qarkullimin e njerëzve e të mallrave, prej shumë vitesh janë mbyllur…, duke e bërë kështu Shqipërinë vendin e vetëm në Evropë, ku nuk funksionon masivisht e në të gjithë vendin ky rrjet komunikimi dhe transporti! ?

Nënkuptueshëm, kjo nuk ka qenë e nuk është e rastësishme, por për të favorizuar dhe mbajtur sa më gjatë gjallë e me fitime të kënaqshme, lëvizjen e njerëzve nëpërmjet autobuzëve, furgonave, veturave taksi...!? Arësyeja merret lehtësisht me mend: shumica e tyre kanë pronarë familjarë, miq e shokë apo “mirënjohës” të rregullt të zyrtarëve të lartë e të mesëm në pushtetin qendror dhe atë vendor...!? Edhe disa rrugë, si ajo e “Arbrit”, Korçë-Ersekë, Unaza e madhe e Tiranës…, mbyllen jo rrallë herë për rrëshqitje massive dherash e gurësh dhe bllokim të lëvizjesh me shumë orë, ditë, javë…

Edhe plot shkolla e bisnese të vogla e të mesme mbyllur prej vitesh dhe vazhdojnë të mbyllen për ditë, nga ikja si emigrant në vende të Perëndimit e shumë familjeve, së bashku me fëmijët në moshë shkolle e pune. Megjithatë, nuk kishim e nuk kemi parë gjë akoma…! Ndërkohë, sipas syve, gishtave, gojëve të drejtuesve dhe të zyrtarëve të Rama-Kumbaros shifra e turistëve “kaloi 10 milionë. Merret me mend apo kuptohet lehtë: duke e shtuar dhe fryrë këtë shifër si tullumbace me dy bulçitë e duke llogaritur si turistë edhe hyrje-daljet e disa hershme brenda 1 viti të shqiptarëve në Greqi e nëpër vende të Perëndimit!? Por, edhe të atyre në Kosovë, Preshevë, Maqedoni, diasporë që prej shumë vitesh kanë blerë apartamente dhe vila nëpër plazhet e Shqipërisë dhe vijnë nëpër to si zotër apo si bij e bija të shtëpisë…!?

Në këto kushte, shqiptarëve që kanë mbetur akoma të gjallë në Shqipëri u ngelet që “të urojnë dhe shpresojnë” që vetëm dyert e parlamentit, të kryeministrisë, të ministrive. bashkive, bankave, agjensive të këmbimit valutor dhe të udhëtimeve me avionë, spitaleve, farmacive... si dhe gojët dhe xhepat e politikanëve e të pushtetarëve socialisto-rilindas-edramistë, mos të mbyllen!!! U mbetet edhe ti luten Zotit edhe që goja e Edi Ramës mos të mbyllet sa të jetë kryeministër me fuqi e pushtete sulltani, perandori, mbreti, sheiku...si dhe që të jetë sa më gjatë “ sy e mendjehapur”! Se më mirë se ai nuk ka tjetër që të sajojë e bojatisë premtime, "bume", "rekorde", "suksese"..., që i përjeton dhe shikon vetëm ai e askush tjetër e që çuditërisht dhe fatkeqësisht “i harron” sapo i nxjerr nga mendja dhe goja”…!?

Me ato që kanë bërë e nuk kanë bërë në këta vitet e mbretërimit të tyre Edi Rama, Arben Ahmetaj, Linda Balluku, Taulant Balla, Ilir Beqaj, Erion Veliaj, me shokë e shoqe dhe me “armatat” e votuesve, të enveristëve, sigurimsave të mykur e të patronazhistëve… me 2-3 vende pune dhe paga mujore, kanë treguar me shumë vepra e fakte se kanë fantazi krijuese të çmendur apo të pafre për multimilionarizimin e vet dhe të miqve e ortakëve të tyre ndërkombëtarë, sheikë, amerikanë(Aleks Soros, McGonigal…), italianë, grekë, latino-amerikanë…! N

jëherazi, edhe për mbyllje dyersh historie, traditash, kulture, identiteti kombëtar…dhe hapje dyersh që i shfrytëzojnë gjatë 24 orëve dhe 365 ditëve vetëm ata vetë…!

Domethënë, për dekulturizim, kullëzim, kanabizim, klanizim, oligarkizim, inceneratorizim, investitor-strategjikizim…Por, edhe për plakje dhe mpakje, për antikombëtarizim, latinoamerikanizim, afrikanizim…të Shqipërisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat