Bota po rrezikohet nga padrejtësitë dhe mëkatet e ideologjive totalitare

Opinione

Bota po rrezikohet nga padrejtësitë dhe mëkatet e ideologjive totalitare

Nga: Ismail Muçiqi Më: 12 mars 2024 Në ora: 19:52
Autori Ismail Muçiqi

Ky shekull në të cilin po jetojmë, njerëzimi po përballet me sfidat më të ndryshme, duke filluar nga rrënim i rendit juridik, padrejtësitë më të ndryshme ndaj njerëzimit dhe planetës tokë. Gjatë historisë së njerëzimit, rrymat ideologjike kanë shkaktuar kriza, përçarje dhe luftëra me pasoja katastrofale në shumë vende të botës. Fuqitë e mëdha kanë përgjegjësi historike për të ruajtur paqen në botë, duke ndihmuar njerëzimin për të pasuar një jetë më të qetë dhe të sigurt.

Që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, paqja dhe siguria nuk kanë qenë kurrë më të rrezikuara se tani. Lufta në Ukrainë është një konfrontim ndërmjet lindjes dhe perëndimit, midis ideologjive totalitare bolshevike të Rusisë dhe Putin, dhe vlerave liberalo-demokratike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Na duhet të kuptojmë se këto ideologji po shkaktojnë përçarje dhe vuajtje në mbarë botën, nga Afrika deri në Lindjen e Mesme, ku miliona njerëz janë detyruar të largohen nga vendlindja duke kërkuar shpëtim në Evropë.

Kështu detërat dhe oqeanet u shndërruan në varreza të qindra mijëra refugjatëve, të cilët ia mësyn Evropës dhe Perëndimit për një jetë më të mirë. Është e dhimbshme dhe e pajustifikueshme pushtimi i vendbanimeve të popujve të cilët me shekuj kërkojnë liri për të jetuar të barabartë me popujt tjerë të botës. Njerëzimi gjithnjë e më shumë po humbet ndjenjën e humanizmit dhe solidaritetit, duke u shfaqur në vuajtjet e popullit të Ukrainës dhe tragjedinë në Palestinë.

Drejtësia në botë, si vlerë universale për njerëzimin, po zbehet kudo në planet tonë. Rendi botëror gjithnjë e më shumë po rrezikohet nga sferat e interesit të fuqive të mëdha, ndërsa mafia ekonomike po udhëhoq politikën për të sunduar botën. Kështu, resurset ekonomike janë bërë mollë sherri ndërmjet shteteve që kanë pretendime pushtuese territoriale.

Sot, vlerat njerëzore dhe humane të karakterit internacional po vdesin ngadalë, ku çdo gjë shndërrohet në interes, nga familja dhe rrethi shoqëror, deri te institucionet e shtetit dhe funksionimi apo mosfunksionimi i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ligjet e natyrës përcaktojnë botën dhe të ardhmen e njerëzimit. Në fund, theksojmë se aty ku nuk ka drejtësi (ku nuk funksionon e vërteta), mallkimi është i papashmangshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat