Të gjithë shqiptarët mund të jenë President Republike por jo edhe Bujari, postin e meriton Taravari

Opinione

Të gjithë shqiptarët mund të jenë President Republike por jo edhe Bujari, postin e meriton Taravari

Nga: Ejup Berisha Më: 12 mars 2024 Në ora: 13:53
Autori Ejup Berisha

Jeta bashkëkohore gjithmonë evoluon, zhvillohet, dhe ecën përpara; këtë duhet ta bëjë edhe Republika e Maqedonisë së Veriut si shtet në aspekt politik. Kjo pra duhet ta mundësojë jo vetëm se kandidimin, por edhe zgjedhjen e shqiptarëve në postin N-1 në shtet, atë të Presidentit të Republikës. Në një shtet dhe në një shoqëri demokratike, të gjithë qytetarët duhet të kenë mundësi dhe të drejta të barabarta që të marrin pjesë në procesin politik me qëllim që të jenë aktorë aktivë në të gjitha sferat e veprimit shtetëror dhe shoqëror, si dhe të kenë mundësi reale që të njëjtët ti realizojnë ambicjet e tyre personale. Edhe neve, si shqiptarë, duhet të na jepet mundësia reale që të kandidojmë dhe të zgjidhemi, jo vetëm formalisht por edhe faktikisht në postin e Presidentit të Republikës.

Nëse kundërshtarët e idesë për mundësi dhe të drejta të barabarta edhe për shqiptarët në këtë shtet mendojnë se nuk ka shqiptarë të denjë, të aftë, të arsimuar, inteligjentë, dhe të përgatitur për këtë post, atëherë këta nuk i njohin aspak bashkështetasit e tyre shqiptarë, të cilët në aspekt të shkollimit dhe të aftësive profesionale kanë ecur shumë përpara, sikurse edhe maqedonasit, bile do të thoja se edhe i tejkalojnë këta të fundit. Prandaj, për ta vlerësuar dikë se a është i aftë dhe i denjë në çdo aspekt dhe fushë të jetës, si në aspekt personal dhe profesional, atëherë atij personi duhet t'i besosh diçka të madhe në politikë, për shembull, postin e Presidentit të shtetit.

Nëse dikush mund ta paragjykojë dhe t'i mohojë aftësitë reale, personale dhe profesionale të një shqiptari, atëherë unë i them atyre se nëse kanë dyshime për aftësitë e bashkështetasve të tyre shqiptarë, mund të shfrytëzojnë rastin për të kuptuar se ka shqiptarë shumë të aftë, të shkathët dhe të niveluar intelektualisht, moralisht, dhe njerëzisht. Për shkak të këtyre cilësive, ata janë në nivel të barabartë me bashkështetasit e tyre maqedonasë në çështje intelektuale dhe morale. Që nga periudha e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 1991 deri më sot, shqiptarët kanë dëshmuar se si kuadro të përgatitura, të afta dhe të dëshmuara, mund të mbajnë poste të rëndësishme shtetërore dhe publike. Kjo e vërtetohet nga kontributi i tyre të vazhdueshëm dhe arritjet në këto poste në vendin tonë.

Në Maqedoninë e Veriut, mendoj se tabutë lidhur me aftësitë e shqiptarëve për të ushtruar poste të rëndësishme politike kanë rënë. Presidenti i Republikës, një ditë, mund të jetë edhe shqiptar, duke përfshirë Arben Taravarin, si alternativë e denjë dhe e përshtatshme. Ndryshe nga kandidati i mundshëm i BDI-së, Bujar Osmani, Taravari duket një zgjedhje më meritore për këtë post. Nëse Taravari do të zgjidhet si President, si shqiptar, ai jo vetëm do të mbrojë interesat e shqiptarëve, por gjithashtu do të punojë në përparimin dhe zhvillimin e shtetit, duke kontribuar në mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Eliminimi i bindjeve të vjetruara dhe skeptike duhet të hapë rrugën për një shqiptar të zgjidhet në postin e Presidentit, duke treguar se edhe shqiptarët mund të jenë personalitete të afta për të shërbyer në këtë detyrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat