Vazhdon debati lidhur me projektligjin e KPM-së

Opinione

Vazhdon debati lidhur me projektligjin e KPM-së

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 12 shkurt 2024 Në ora: 06:54
Zejnullah Jakupi

Po lexoj këto ditë dhe po i përcjell debatet lidhur me projektligjin e KPM-së të propozuar nga qeveria për miratim, i cili tani i ka kaluar kuvendit për diskutim.

Si studjues, ekspert në këtë fushë, e ndiej përgjegjësi të jap kontributin tim, anipse ka vite që anashkalohem nga institucionet, KPM, RTK, UP dhe mediet, dhe kjo më dhemb kur kam mundësi të kontribuoj për çështjet në fjalë.

Madje anashkalimi më bëhet, sidomos nga ato audiovizive - ndoshta jam edhe i panjohur për ta, edhe për nga mosha, mbase drejtori i TV-Dukagjinit, ose ai në T7 është më i ri se unë dhe nuk më njeh. I kam shkruar dhe kam pyetur Debat Plus-in nëse ka mundësi të marrë pjesë në debat për këtë çështje. Nuk kam marrë përgjigje. Qëllimi i inkuadrimit tim në dabat është, qoftë edhe kështu nga larg, nga Berlini, për të dhënë ndonjë ndihmë këshilluese, opinioniste në këtë drejtim. Pra, insistoj në kyçje në debate të tilla kur e shoh se nuk janë në temë, përndryshe nuk do insistoja. E pse kur i dijnë, kur munden.

Në media, në debate televizive po debatohet; madje edhe në debatin e Jeta Xharrës Kallxo.com me hamendësime. Në debatin e fundit kishte parulla thumbuese me fjalët se cili është „Plani i Kurtit“ për t’i regjistruar portalet online. „Qeveria Kurti ka nisur procesin për Ligjin e ri të KPM-së Ligji parasheh regjistrimin e mediave online. A është ky standard europian apo tendencë për censurim?“. Tituj akuzues, apo?

Në debatin e fundit në  „Konfront“ gjithashtu kishte lloj-lloj mendimesh për këtë çështje. Rron Gjinovci e kishte një mendim të drejtë, ashtu siç duhet të jetë lidhur me pyetjen se a duhet të jetë ky „regjistrim“ apo licencim i medieve audiovizuele me projektligjin e ri. Valon Ramadani, deputet i LVV-së pohon se është vetëm regjistrim, ndërsa në fakt duhet të jetë licencim. Si ta themi; njëri po i bie thumbit e tjetrit patkoit!

Ku po dua të dal. Sa poshtë kemi rënë. U tha nga deputeti z. Ramadani se Direktiva për mediet audiovizuele na ka dhuruar, e ka sjell një i yni, shqiptar, ekspert nga Austria, por nuk e tregoi emrin e tij.

Me projektligjin e ri thuhet se ka synim të rregullohen mediet audiovizuele. Kurse sipas Agim Sopit, i cili ka qenë në një mandat anëtar i KPM-së tash në debatin e fundit në „Konfront“ (KTV) tha se ligji i më parshëm ka qenë shumë i mirë, tani nuk rregullon asgjë, sipas tij.

Ku po çalon puna? Siç e kam cekur edhe në prononcimet tjera me shkrim, në Gjermani dhe Austri, direktiva e BE-së është inkuadruar si rregullativë, si ligj më vehte, por bën edhe të plotësohet i vjetri, siç ka ndodhur me projektligjin e ri të KPM- se. Po të pyetesha do e plotësoja ligjin e vjetër të KPM-së me Ligjin e Telemedias dhe ndoshta një plotësim direktivë e veçantë- Ligjin për Mediet Audiovizuele.

Ligji i Landesmedienanstalt-it, sidomos po e marrë shembull këtë të Gjermanisë e ka të obliguar që të merret me hulumtime shkencore. Pra, ta themi KPM-ja gjermane „Landesmediensnstalti“ bën hulumtime empirike të programeve të licencuara, ato private dhe publike.

Plotësime duhet të ketë edhe më tepër në drejtim të reklamimit dhe maketingut në këto media e që është një temë shumë komplekse dhe duhet të plotësohet tutje.

Gjithashtu, kur jemi te etika profesionale gazetareske, nuk duhet harruar se as në një ligj që ka të bëj me mediet nuk janë përfshirë nenet 37 dhe 38 që ishin propozuar të futeshin kë kodin penal, por u inkuadruan në ligjin civil.

Paramendo tani kur dy gazetarë fyhen gjatë debatit në studio, siç po ndodh shpesh, ose përhapin shpifje, dezinformata, redaksia nuk i ndalon ata, t’ u përkujtojë etikën gazetareske, sepse është e obliguar me ligj të reagojë, por ndodhë e kundërta; i‘ a lë akterëve t‘ i sqarojnë ato në gjykata. Absurde apo?

Të gjitha këto anomali na ndodhin se nuk i inkuadrojmë ekspertë të fushës.

E pse nuk i inkuadrojmë ata? Ky eksperti i Austrisë po duket se nuk qenka kompetent dhe, nëse e merrë një punë përsipër nga qeveria, ose ja ofron si projektligj asaj, atëherë është dashur vërtetë ta studjojë mirë çështjen në fjalë, se kjo punë është serioze. E kështu pra, edhe qeveria ose ministrat mund të bien në lajthitje nëse nuk marrin vesh nga çështja e caktuar.

Ka shumë vite -s´paku këto 3-4 vitet e fundit – me vullnetarizëm kam propozuar që të jap kontribut në Komisionin e Kuvendit për Media. Kurrë nuk kam pranuar ftesë ose përgjigje.
Më kanë thënë se qenka „njeri“ aty dr. për media dhe ky me gjasë po i frikësohet konkurrencës. Vërtetë absurde, në fakt ka mjaftë hapësirë ose duhet të ketë për ata që dijnë dhe munden.

Po sikur të kishim patur një Armend Muja të fushës së medieve, nuk kish pasur nevojë të çajmë kokën. Por në media nuk e kemi. Për këtë nuk ja lë fajin kryeministrit Albin Kurti se nuk mund t´i kontrollojë të gjitha. 

Në institucione, sikur në ato të drejtësisë, struktura këto nga qeveritë e kaluara, akoma ka zyrtarë, nënpunës që i stopojnë punët, që punojnë nga parapaskena kundër qeverisë dhe ka edhe të tjetërt që imponohen por nuk dijnë.

Ndërsa kanë dëshirë të mrizojnë në postet e akomoduara. Kështu e ke në AGK-Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës - Press Council of Kosovo (KMShK), KPM, në Zyrën për të Drejtat e Autorit, etj.

Është shumë „tragjike“ për një shoqëri të ketë shoqatë të gazetarëve „profesionist“ që punojnë me direktiva politike dhe rasti me projektligjin e tregoi se nuk dijnë dhe janë manipulatorë.

Një direktivë, më se miri kur është e përkthyer, siç e ka BE, kurrë nuk mund të jetë kundër medieve apo për nënshtrimin e tyre ndërsa për kontrollimin e tyre PO. Tani nuk mund t´ia spjegoj secilit se PSE? Mund t´ua shpjegosh disave që marrin erë në këtë punë.

Por përfund, mendoj se dalëngadalë punët do vijnë në vend. Do të ndahet shqeri prej shapit.

Shpresoj, e kjo mund të bëhet vetëm me kyçjen e profesionistëve të vërtetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat