Çka tha presidenti serb, A. Vuçiq në intervistën e tij të sotme në TV Happy

Opinione

Çka tha presidenti serb, A. Vuçiq në intervistën e tij të sotme në TV Happy

Nga: Rexhep Elezaj Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 20:42
Rexhep Elezaj

Vetë fakti që presidenti i Serbisë, A. Vuçiq, brenda vetëm tri ditësh i drejtohet opininit serb, kësaj radhe përmes TV Happy, një televezion ky ekstrem shovinist dhe radikal në Serbi, duke i dhënë intervistë mbi dy orë njërit nga gazetarët më shovinist dhe më serbomëdhenj në Serbi, Millomir Mariq, flet qartë se diçka e madhe po ndodhë në atë shtet diktatorial dhe hegjemonist. Ngase, gjatë gjithë intervistës ai iu përgjigjej direkt ose indirekt akuzave të brendshme të opozitës, por edhe akuzave dhe presioneve që aktualisht po i bëhen Serbisë nga shumë shtete dhe faktorë ndërkombëtarë.

Ajo që bie qartë në sy, është fakti se A.Vuçiq gjatë përgjigjeve të tij plotë ironi dhe nervozizëm, foli gjatë për luftën hibride e cila po bëhet kundër Serbisë, duke shkruar dhe vizatuar mbi dërrasë të zezë skemën, se nga cilat subjekte dhe media dërkombëtare po bëhet kjo fushatë antiserbe, por dhe nga qarqe të brendshme në Serbi, në Kroaci, Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë, duke potencuar, se Serbia na qenka subjekt i paqes dhe stabilitetit në Ballkan, në të njëjtën kohë duke e fajësuar gjithë Perëndimin si mbështetës kryesorë të pavarësisë së Kosovës, të cilët me çdo kusht po kërkojnë nga ai që Serbia ta njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Në vazhdim po sjellim vetëm disa pika më kryesore të cilat ai i preku në mënyrë të veçantë.

Duke u ndërlidhë me deklaratën e z. Sveçla, “se gjurma e vetme e Serbisë në Kosovë do jetë ambasada e saj në Prishtinë”, ai tha se vetë z. Sveçla i ka marrë në pyetje dy serbet që kanë punuar në një ambullantë shëndetësore në Prishtinë, se disa herë i kam thënë Kurtit në takimet tona në Bruksel, se unë jam presidenti yt, por ai këtë e ka marrë si ofendim. Madje, Kurti thotë se ai është shumë i fortë, sepse me të janë Amerika, Gjermania, Anglia, Turqia, etj., por nuk duhet harruar, se ne po i presim çastet më të favorshme në botë, kur do bëjmë një politikë krejtësisht tjetër nga kjo e sotmja, dhe se kur A. Kurti thotë, se Kosova është vendi më demokratik në Ballkan, unë i them atij, se ai si pasardhës i Enver Hoxhës dhe Adem Demaçit, nuk mund të jetë kurrë njeri demokratik..!?

Kurtit po i ngutet që para zgjedhjeve në BE dhe Amerikë, që këto të fundit janë tejet me rëndësi për botën, pra që ta pastrojë Kosovën nga serbërt, siç ka në Serbi disa politikanë të cilët e dëshirojnë Çmimin e Nobel, por të cilin unë nuk e synojë, dhe, se mediat kroate paskan shkruar dje, se Vuçiq do ta marrë krejt Kosovën dhe ai nuk do ndalet vetëm me kaq. Pra, krejt çfarë bëhet kundër Serbisë, është një veprim i koordinuar brenda disa qarqeve ndërkombëtare, dhe se ky presion ndaj Serbisë do ta vazhdojnë edhe më tutje, duke thënë se unë jam shumë i vogël për të qenë kërcënim për ata që unë gjoja po u pengukam, ngase edhe ashtu nuk janë të sigurt se Ukraina do ta fitojë luftën ndaj Rusisë.

Serbia asnjëherë nuk do të jetë pengesë e tyre, sepse ne jemi në rrugën evropiane, kurse gjermanët natyrisht se i kanë interesat e tyre, njëjtë sikur vendet tjera evropiane, ashtu sikur që i kanë pasur edhe në vitet e 90-ta, në vitin 2008 e tutje. Nëse dikush iu qëndron në rrugë atyre, ata të shkelin, siç ua kemi bërë të qartë, se ne nuk duam të hyjmë në NATO, ne jemi vend neutral ushtarakisht, mbase kemi marrëdhënie korrekte me NATO-n, por për këtë dikush duhet të na ofrojë diçka.

Ne e dijmë që kemi bërë gabime dhe veprime të pamatura në vitet e 90-ta, por ajo nuk ka qenë shkak që 19 vende të NATO-s ta bombardijnë Serbinë në vitin 1999 pa vendim të KS të OKB-së, pastaj grabitjes së një pjese të territorit tonë pa vendim të AP të OKB-së, ngase ne qëndrojmë në mbrojtje te të drejtës ndërkombëtare, dhe kështu do vazhdojmë të jemi si shtet, por nëse ky qëndrim i yni atyre nuk iu pëlqen, atëherë nuk kemi çfarë t’iu bëjmë. Tha se ky vit për Serbinë do të jetë viti më i vështirë në aspektin politik, por jo edhe në aspektin ekonomik.

Në fund, dua t’ua shtroj pyetjen organeve gjegjëse të sigurisë në Kosovë, a kanë grup apo komision të veçantë i cili merret me analizat dhe zbërthimin e fjalimeve dhe veprimeve të presidentit të Serbisë, por edhe të akterëve tjerë politiko-ushtarak në shtetin fqinj verior..?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat