Dy qendrat dhe apatia qytetare

Opinione

Dy qendrat dhe apatia qytetare

Nga: Ilir Levonja Më: 2 shkurt 2024 Në ora: 14:41
Autori Ilir Levonja

Mendoja se pas atyre që tha ish-zv/kryeministri shqiptar, Shqipëria do ishte e gjitha në rrugë. Mirëpo kjo nuk ndodhi, për më tepër kur shikon se si televizionet flasin për të tjera gjëra, gazetat po ashtu, biles dhe një shpurë opinionistësh gjoja opozitarë, përshpërisin me dhimbje se Beni nuk tha asgjë, etj., të duket e çuditshme. Madje heshtja që vret më shumë është ajo që vjen nga qeveria dhe bashkia e Tiranës, dy qëndrat. Nuk flasin, nuk i pyet kush, nuk kërkon kush spjegime.

Drejtësia jo, shtypi jo, qytetarët jo. Në një vend ku mungon llogaridhënia, nuk ka demokraci. Ai tha shumë, për më tepër taksën e përlarë nga paratë tuaja në lidhje me televizionet, pronën e grabitur në mes të ditës në portin e Durrësit dhe mbi të gjitha emra konkretë të pronarit real të inceneratorëve të pa qënë si financues i fushatave të rilindjes. Foli aq gjatë sa e gjitha është e frikshme në lidhje me vrasjen e drejtësisë shqiptare, përmendi metodat e Robespierit ndofta edhe me dëshirën që këta ''revolucionarë'' mafiozë të kenë fundin e tij. Dhe mbi gjithçka, dëshmoi haptas luftën e madhe brenda mureve të Perandorisë. Luftën brenda llojit.

Ajo sapo ka filluar. Dhe ndofta të penduar të tjerë do kenë kurajon të heqin nga vetja zgjedhën e kokës së turkut. Ata tashmë janë shumë dhe mbase nga brenda mureve të qelive ku po sakrifikojnë bash atë unitetin e çeliktë rreth njëshit, të shpresojmë të kenë kurajon e të flasin, pasi u duhet pastërtia e figurës për fëmijët e tyre. Ndofta kthjellohen dhe e kuptojnë se marrëzitë politike të perandorëve janë fatkeqësi e karrierës dhe se pasuria e vënë përmes krimit dhe vjedhjes nuk është kafshatë e ushqyeshme për nipërit dhe mbesat. Ndofta ky do të jetë shërbimi më i madh karshi vendit dhe jo njëshit i cili me kollajllëk mafiozi, pasi pret shirita inagurimesh, i ngordh ata burgjeve me pretekse sharlatanësh se po mbushin shportat prapa kurrizit të tij me dardha e mollë.

Mirëpo në Shqipërinë tonë askush nuk reagon. Ka një stepje brenda grupimit të këtij apo atij deri aty sa askush nuk do t'ia di për vendin. Protestojnë studentët, askush nuk do t'ia di. Biles parakalojnë para protestuesve me sy e vesh dhe thonë, ''ç'më duhet mua''. Rrugët e Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Lituanisë janë pushtuar nga zetorët e rëndë, bujqit shqiptarë protestojnë në këmbë, për më keq akoma, as që ua var kush, megjithëse Europa ndërpreu çdo investim pikërisht për shkak të korrupsionit të lartë, megjithatë askush nuk i bashkohet askujt.

Rrini në atë kërshërinë e vakët të sehirxhiut, merruni dhe kënaquni se çfarë tha ai për atë që të keni materiale kur të konsumoni kafetë e darkës. Ky është një pasivitet social vrastar, të cilin nëse do ta posedonte Franca, nuk do ishte më Francë, nëse do ta posedonte Gjermania, nuk do të ishte më Gjermani. Kësisoj edhe në Amerikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat