Ali Ahmetit po i kalbën shokët në burgje, e ky me këngë patriotike e çaj “rusi” feston për Talat Xhaferin

Opinione

Ali Ahmetit po i kalbën shokët në burgje, e ky me këngë patriotike e çaj “rusi” feston për Talat Xhaferin

Nga: Faton Mehmeti Më: 30 janar 2024 Në ora: 09:17
Autori Faton Mehmeti

Ca servilë të mbledhur rreth tij, himnizimin e figurës së Ali Ahmetit përballë edhe Skënderbeut e ngritën në piedestal. Me këngë e duhan brenda sallave të mbyllura(në kundërshtim me ligjin), narracionin e bisedave e përshkruanin si historike, pjesë e të cilës me ilaritet dhe gëzim të shfrenuar e përshkruante tërë ngjarjen. Pa dashur të neutralizojë rëndësinë e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoni të Veriut, propaganda ka tejkaluar mbi çdo arsye.

Së pari z.Talat Xhaferi është me një mandat të përkohshëm prej 100 ditësh. Qeveria e tij teknike do të organizojë zgjedhjet e dyfishta: Ato parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen më 8 maj. Kaq është arsyeja e formimit të kësaj qeverie teknike, si rezultat i marrëveshjes së vitit 2015 që synonte të pengojë manipulimet në zgjedhje, duke emëruar përfaqësues të opozitës në kabinetin qeveritar.

Kjo ndodhi pas ndërhyrjes ndërkombëtare, presionit të jashtëm, Ali Ahmeti nuk mund t’i mvesh merita vetës për diçka që tek nuk i përket. Ende edhe sot kalbën në burgjet e Maqedonisë ish luftëtarët e UÇK në emër të të cilëve rrah gjoks Ali Ahmeti. Janë shtatë ish pjesëtarë të saj të dënuar me burgim të përjetshëm, pjesa tjetër i rastit " Kumanova" janë të dënuar me 746 vjet.

Rasti “Kumanova” është i përgatitur nga shërbimet maqedonase me urdhër të Gruevskit, të ndihmuar edhe nga politikanë shqiptarë në Maqedoni dhe Kosovë, e të cilët kishin lidhje me dy nga personat kryesorë të saj, e të cilët u vranë pasi u dorëzuan dhe nuk duhet të linin gjurmë. Ali Ahmeti asnjëherë nuk bëri përpjekje që ky rast të ketë hetim të pavarur ndërkombëtar, nëse na qenka kaq patriot. Me këngë e çifteli e “çaj rusi” patriot po, me vepra jo. Ky është Ali Ahmeti, "heroi" i atyre që të vërtetën nuk e shohin drejt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat