Degradimin social-ekonomik dhe moralo-edukativ në Kosovë, duhet ndaluar urgjentisht!

Opinione

Degradimin social-ekonomik dhe moralo-edukativ në Kosovë, duhet ndaluar urgjentisht!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 11 janar 2024 Në ora: 16:22
Autori Rexhep Elezaj

Nuk ka asnjë dyshim, se degradimi social-ekonomik dhe moralo-edukativ në Kosovë, tanimë ka marrë përmasa shqetësuese, ku ndalimi i këtij trendi negativ është bërë gati i pamundshëm, siç është korrupsioni kronik në çdo nivel shoqëror, hajnia në tenderë publik, pasurimi në mënyrë ilegale, pastaj dukuria e vrasjeve me motive tepër të ulëta, dhunimi dhe vrasja makabër e grave, degjenerimi moral-edukativ në shkolla, rënia e nivelit të arsimit (shih raportin e PISA), keqpërdorimi i mjekësisë si dhe i importit të medikamenteve për interesa individuale dhe grupore, duke e shkelur në mënyrë flagrante betimin e Hipokratit nga vetë mjekët, etj etj.

Pra, shihet qartë se vlerat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të cilat ne i posedonim dikur, siç ishin morali i pastër njerëzor, besa, fisnikëria, bujaria, mikpritja, etj., me të cilat u jepnim shembull popujve tjerë në Ballkan, pra të cilat na bënin krenarë si komb dhe si shqiptarë, pastaj vlerat kombëtare me të cilat e ruanim atdheun, gjuhën, kulturën, trimërinë dhe sojninë, duke u radhitur ndër popujt më besnik dhe fisnik në Evropë, qoftë për fjalën dhe besën e dhënë shqiptare, qoftë në fushën e trimërisë dhe asaj luftarake. Madje shpeshherë e arrinim edhe piedestalin më të lartë kombëtar, si krijues në fushën e lëtersisë, shkencave ekzakte, artit, sportit, etj., kur sot në Kosovë nga këto vlera kanë ngelur shumë pak, ngase disa janë zhdukur krejt, kurse disa tjera janë shndërruar në antivlera.

Ja disa shembuj:

- Interesi personal i shtyrë nga egoizmat dhe lakmia e thellë për t'u pasuruar brenda natës, pa i zgjedhur mjetet dhe as mënyrat, duke i shkelur kodet njerëzore dhe ligjore, pa dyshim, se kjo logjikë i ka vrarë në thelb vlerat morale dhe politike që politikani shqiptar interesin shtetëror dhe kombëtar ta vendos mbi interesat personale.

Se është kështu, kjo mund të ilustrohet me shembuj konkret, duke filluar nga secili politikan dhe udhëheqës shtetëror i Kosovës, që nga mbarimi i luftës me 1999 e deri në këto qaste. Dhe, poqe se dikush na e sjellë vetëm një rast që një politikan i yni interesin e tij personal, ose që pasurinë e tij ta ketë shkrirë për shtet-ndërtimin e Kosovës, siç ka bërë dikur për pavarësi të Shqipërisë heroi ynë kombëtar, Hasan Prishtina, unë do t'i kërkoj falje publike..!?

- Në Kosovë punëtori, polici, gjyatari, gazetari si dhe familjarët e tyre nuk kanë asnjë sigurim social dhe shëndetësor, dhe, kur ndodhë që dikush nga ata të lëndohet në punë, të gjitha shpenzimet për shërim dhe ilaçe duhet t'i paguajnë nga buxheti i tij familjar, shërbime të cilat në Kosovë janë më të shtrenjta sesa në Zvicër. Ky është diskriminimi më i rënd që i bëhet çdo punëtori në Kosovë, pa dallim se ku është i punësuar.

Pra, nuk ka degradim shoqëror dhe shtetëror më të madh, sesa ta lësh punëtorin pa sigurim social dhe shëndetësor, nga puna e të cilit varet jeta e tij dhe e familjes së tij, por edhe funksionimi normal i shtetit si bashkësi kolektive..!?

- Morali dhe vlerat familjare kanë degjeneruar në nivelin më të ulët shoqëror, ku brenda saj është shthurur çdo vlerë tradicionale dhe kombëtare. A dinë ndokush me na tregua sakët, se sa divorce kanë ndodhur në Kosovë vetëm në dy dekadat e fundit, sa krime dhe vrasje kanë ndodhur brenda familjes shqiptare, sa femra jetojnë sot si vejusha, sa burra janë të pamartuar, sa fëmijë jetojnë si jetimë, etj etj. !?

- Degjenerimi moral-seksual ka arritur shkallën më të ulët në një shoqëri që veten e quan të emancipuar, siç është prostitucioni ilegal, shkatërrimi i moralit dhe vetë qenies së fëmrës shqiptare, e cila keqpërdorët në mënyrat më bizare, deri në shitjen e saj si qenie më e dobët në shoqëri. Shih "kibucet" e rrethuara me lule në çdo paralagjë të qyteteve si dhe rrugët ilegale që shpijnë në "parajsën" e kësaj bote..!?

- Sektori shoqëror dhe pronat shtetërore janë grabitur dhe vazhdojnë të stërshitën çdo ditë, madje nga vetë zyrtarët të cilët janë të obliguar me ligj që t'i mbrojnë pronat e shtetit, madje ata janë të parët që vetes dhe familjeve të tyre u kanë siguruar ndërtimin e shtëpive grandioze, me dhe pa leje, në vlera prej miliona eurove, siç u kanë siguruar banesa në objektet më të bukura të qyteteve, dyqane dhe punëtori në qendrat më frekventuese dhe me sipërfaqe marramendëse.

Ndërsa, shtresa e mesme dhe e varfër e popullatës, përveç se nuk është ndihmuar me asgjë, ajo në të shumtën e rasteve dënohet vetëm se nuk ka pasur me çka ta paguajë rrymën, ujin dhe faturat tjera komunale. Shtresë kjo e cila nuk ka pasur as mundësi që të angazhojë ndonjë avokat mbrojtës, por as mundësinë që t'i ankohet dikujt pranë komunës..!?

- Në Kosovë nuk është ndërtuar asnjë infrastrukturë të re për ujitje të tokave, as të kanalizimeve nëntokësore kundër vërshimeve, as pastrimi dhe rregullimi i lumenjve në rast të vërshimeve, e po ashtu, asnjë fshat nuk ka hyrë nën rregullimin urban të komunikacionit, siç janë ndërtuar shumë objekte banimi dhe biznesi mu në mes të rrugëve, ose shumë afër tyre, mu në udhëkryqe, mu në mes të tokave pjellore, në kënde dhe skuta që ia kanë zënë frymën qytetit dhe lirisë së lëvizjes së njerëzve..!?

Dhe, kështu deri në pambarim të degradimeve dhe zhdukjes së vlerave tona si komb dhe si shoqëri, mjerisht pa asnjë program të shkruar dhe koncept zhvillimor, as afat-shkurt, as të mesëm dhe as afat-gjatë, duke jetuar sipas asaj idiomës së njohur; "jeto sot për nesër" !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat