Tahir Zemaj ishte trim i madh, komandantët e “Rognerit” e kishin zili

Opinione

Tahir Zemaj ishte trim i madh, komandantët e “Rognerit” e kishin zili

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 4 janar 2024 Në ora: 16:05
Kolonel Tahir Zemaj

I njohur për trimërinë dhe sukseset në luftë, Tahir Zemaj asnjëherë s’do e besonte se mund të vritej pas luftës. I vlerësuar dhe çmuar për strategjinë e tij, në veçanti në Betejën e Loxhës, pas lufte kolonel Zemaj u vra pabesisht bashkë me djalin e tij dhe kushëririn.

Tahir Zemaj atë ditë të ftohtë të 4 janarit nuk u shpëtoi plumbave të atyre që nuk e deshën orientimin e tij politik dhe për më tepër nuk kishin guxim t'i dilnin para njeriut trim që me sukseset e tija kishte ngjallur xhelozi dhe urrejtjet jo vetëm tek serbët.

Edhe në luftë kishte nga ata shqiptarë që e urrenin kolonelin për rreshtimin e tij në vijën institucionale të presidentit Rugova, koloneli nuk urrente dhe nuk krijonte ndasi, për atë Serbia ishte i vetmi armik për të cilën kapi armën.

Edhe pas 21 vite, vrasësit janë të lirë e shpresat për zbardhjen e rastit në fjalë janë tek Gjykata Speciale, edhe pse nuk heton ngjarjet pas vitit 2001, gjithsesi në kuadër të vrasjeve të tjera mund të zbardhet edhe ajo e Tahirit, mes bindjeve të forta se urdhërdhënësit janë të njëjtit si për Tahirin, Xhemajl Mustafën dhe të tjerët. Shpresat e vetme janë aty, ndryshe është shumë e vështirë që gjykatat në Kosovë të zbardhin këtë krim të trefishtë.

Kolonel Zemaj si askush tjetër ka arritur të jetë fitues i betejave, kurrë nuk e priste se do të vritej në befasi pas çlirimit, atëherë kur shpresonte dhe besonte se koha e luftës ka kaluar.

Sigurisht, se po të kishte drejtësi në Kosovë kjo vrasje do të ishte zbardhur, mungesa e saj ka mundësuar që vrasësit të jenë të lirë. Tahir Zemaj, do të prehet i qetë vetëm kur vrasësit të marrin dënimin e merituar, njeriu që i dha çdo gjë Kosovës meriton së paku të pushojë i qetë në tokën dardane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat