Deklaratat publike të disa udhëheqësve shtetëror në Kosovë “se jemi duke punuar për interesa të popullit dhë qytetarëve”, janë mashtrim dhe floskulë politike!

Opinione

Deklaratat publike të disa udhëheqësve shtetëror në Kosovë “se jemi duke punuar për interesa të popullit dhë qytetarëve”, janë mashtrim dhe floskulë politike!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 3 janar 2024 Në ora: 16:02

Dalja para opinionit e disa pushtetarëve me deklarata të llojit diskursiv, "se ne jemi duke punuar për interesa të popullit dhe të qytetarëve tanë", thënë më së buti, janë një gënjeshtër obskurantiste, të cilës, mjerisht i besojnë vetëm naivët politik si dhe ata që nuk e dinë, se çdo parti politike për të ardhur në pushtet, diskursin dhe programin e saj politik e ndërton, kryekëput mbi parulla militante si dhe premtime boshe, siç kanë vepruar të gjitha partitë që kanë ardhur në pushtet pas luftës në Kosovë, përfshirë dhe këtë të fundit.

Dhe, ne si shoqëri kemi fakte dhe dëshmi të panumërta, se në 23 vitet e fundit në Kosovë, të gjitha garat për pushtet midis partive politike, si qëllim kryesor kanë pasur karrierizmin personal dhe afirmim partiak, dhe jo interesat e popullit dhe të qytetarëve, sepse e kanë ditur mirë se duke ardhur pushtet përmes "dorës" së tij do pasurohen brenda nate, dhe, ç'është më e keqja, ata këtë luftë për pushtet e kanë bërë, kinse në emër të interesave të popullit që nuk është aspak e vërtetë, ngase pushtetin e kanë bërë në dëm të popullit i cili ua ka dhënë votat që të bëhen pjesë e garës politike për pushtet.

Se, ishte kështu, dhe se ky egoizëm karrierist dhe gllabërues po vazhdon sot e kësaj dite, flasin me qindra raste të vjedhjeve masive të pasurive të Kosovës, e cila kishte dalë e shkatërruar deri në themel nga lufta me Serbinë, pastaj qindra raste të korrupsionit dhe keqpërdorimit brutal të resurseve ekonomike, siç ishte grabitja dhe shitja e të gjitha fabrikave të ndërtuara në vitet e 70-80-ta të shekullit të kaluar me çmime bizare dhe tepër të ulëta. Po ashtu, keqpërdorimi dhe vjedhja e parave publike, vjedhja e buxhetit të shtetit, hajnit e mëdha në tenderët publik dhe në projekte të ashtuquajtura "zhvillimore" afatshkurta, diskriminimi më antinjerëzor i klasës tonë punëtore shumë të varfër, e cila sot e kësaj dite nuk i gëzon të drejtat e saj ligjore dhe kushtetuese,madje e cila po vazhdon të diskriminohet nga tajkunët e pa shpirt dhe të pamoral njerëzor dhe kombëtar, një gjendje kjo tepër e rënd që i ka detyruar me mijëra të rinj tanë që ta braktisin Kosovën, ku vetëm brenda vitit që e lamë pas nga Kosova kanë ikur mbi 40 mijë veta..!?

Mbase, përveç ndërtimit dhe ri-harrnimit të dobët të një sërë rrugëve rajonale dhe lokale, posaçërisht nëpër fshatra, si dhe ndërtimit të atyre pak kilometrave Autostradë e shumë pak urave të reja mbi lumenjtë e Kosovës, e gjejmë në anën tjetër, se për 23 vite në liri nuk është ndërtuar asnjë fabrikë e re, qoftë në fushën e prodhimtarisë, qoftë në fushën e teknologjisë, energjetikës dhe industrisë, siç nuk është ndërtuar as edhe një projekt i madh kapital, apo të ketë pasur ndonjë investim nga kompanitë e huaja në fushën e ekonomisë, turizmit, bujqësisë, etj..!?

Kështu që, shifrat dhe faktet flasin vetë, se në 23 vitet e pas luftës, pranë dhjetëra e dhjetëra miliardave euro që kanë hyrë në Kosovë nga BE-ja, SHBA-të, nga fondet dhe bankat ndërkombëtare, pranë miliardave euro që kanë hyrë në Kosovë nga mërgimtarët tanë për çdo vit, pranë qindra e qindra miliona eurove të plaçkitura për 15 vite rresht nga mërgimtarët tanë në pikat kufitare të Kosovës për çdo verë, kinse për njëfarë sigurimi të veturave të tyre gjatë qëndrimit në vendlindje, si dhe pranë investimeve private në ndërtimtari, ekonomi familjare, bujqësi dhe turizëm, duke i sjellë shtetit shuma marramendëse tatimore dhe financiare, etj., për fat të keq, rezulton, se të gjitha qeveritë e Kosovës, përfshirë dhe qeverinë aktuale, ishin "investitorët" më të dobët në shtet-ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Në fakt, politikanët dhe pushtetarët e Kosovës, pa dallim, ishin dhe vazhdojnë të jenë përfituesit më të mëdhenj financiar në gjithë shoqërinë kosovare, në fakt ishin dhe janë konsumuesit më të mëdhenj të buxhetit shtetëror të Kosovës, e që thënë ndryshe, ishin dhe janë dështakët më të mëdhenj politik dhe qeverisës në Kosovë.

të tillë për faktin, sepse gjithë politikën e tyre partiake dhe klanore e kanë ndërtuar mbi interesat e tyre personale dhe familjare, dhe jo mbi interesa të popullit dhe qytetarëve të Kosovës, siç gënjenjë hapur, për shkakun më banal, sepse udhëhiqeshin nga ambiciet e sëmura karrieriste për të ardhur në pushtet, kur pozitat shtetërore i ëndërronin edhe në gjumë, andaj për ta realizuar këtë ëndërr të tyre jetësore, nuk zgjidhnin as mjet dhe as metodë, madje bënin edhe propagandë ideologjike në emër të patriotizmit dhe kombëtarizmit, duke e futur në përdorim perfid parullën subversive, "se ne jemi të vetmit që po punojmë për interesa të popullit dhe qytetarëve". Nihilizëm ky që kur zbërthen pak më thellë, del se deklaratat e tilla ishin mashtrimi publik, i cili popullit shqiptar në Kosovë i është bërë nga politikanë, realisht kvazi-kombëtarë, hileqarë, karrierist, inatçorë, hakmarrës, mos-mirënjohës e deri në falsifikim të vrazhdë të historisë së re të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat