Tezat majtiste të Vjosa Osmanit përballë “Rugovizmit” të pretenduar të saj!

Opinione

Tezat majtiste të Vjosa Osmanit përballë “Rugovizmit” të pretenduar të saj!

Milaim Nela Nga Milaim Nela Më 31 dhjetor 2023 Në ora: 14:18
Ibrahim Rugova dhe Vjosa Osmani

Ndoqa intervistën e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhënë dje për televizionin Dukagjini.

Ka kohë që jam i zhgënjyer nga elaborimi i tezave të saj që janë krejt të kundërta me sfondin politik nga i cili ajo pretendon se vjen.

Ajo e thekson vazhdimisht që është "Rugoviste" por si mund të pretendosh për rugovizëm kur ajo flet vazhdimisht për kuota të përfaqësimit të grave në politikë.

Kuotat janë totalisht teza majtiste dhe nuk kanë lidhje me djathtizmin dhe konservatorizmin në politikë.

Dua ti kujtoj Zj Osmani se gratë intelektuale të politikës së LDK-se në vitet 90-të nuk erdhën aty në bazë kuotash apo katapultimesh se ishin femra dhe duheshin emancipuar gratë por erdhën aty se ishin të zonja të afta e më të afta se shumë burra të politikës.

Dua të kujtoj këtu zonjat Nekibe Kelmendin, Edita Tahirin, Besa Gaxherrin e shumë gra të afta që kanë lënë gjurmë në kohë shumë të vështira për Kosovën.

Më duhet ta them që katapultimi me zarf ambasadorësh i Atifete Jahjagës jo vetëm që nuk është emancipim i politikës kosovare por ajo është shembulli tipik i përdorimit që ju bëhet grave për punë të pista të burrave që qëndrojnë pas saj.

Gratë e zonja e çajnë rrugën e vet politike pa ndihmën e burrave bile duke garuar dhe fituar denjësisht me ta.

Duke qenë njeri me bindje konservatore të djathta kam qenë gjithmonë kundër kuotave në politikë dhe diskriminimit të çdo lloji përfshirë edhe atë pozitiv.

Kosova dhe çdo vend tjetër duhet të jetë vend i mundësive të barabarta. Katapultimet dhe kuotat nxjerrin jo në pak raste individë që nuk duhet të ishin aty. Gratë e kuotave me siguri ja zënë vendin burrave të aftë që do ta bënin atë punë shumë më mirë se ata.

Kosova është vend i vogël dhe ka nevojë që në postet dhe dikasteret më të rëndësishme të vendit të ketë njerëzit më të zot e këta mund të jenë në shumicë burra apo në shumicë gra. Me rëndesi është që këta individë të kenë arritur aty me meritë e jo me makinacione kuotash majtiste.

Margaret Theçer në Britaninë e Madhe nuk u bë Kreyministre e vendit të saj dhe një nga më të suksesshmet jo me kuota emancipuese por se ishte e zonja dhe i mundi rivalët e saj duke qëndruar në krye të një nga qeverive më të fuqishme të botës për plot 11 vjet!.

Afërsia e Zj Osmani me klanin majtist të "rilindjes" të Tiranës nuk ka asnjë lidhje jo vetëm me rugovizmin që ky klan e ka luftuar dhe përbuzur gjithmonë e këtu dua të kujtoj vizitën dhe qëndrimin fyes të Edi Ramës në Kuvendin e Kosovës.

Por fyerjen më të madhe Zj Osmani ja ka bërë emrit të Ibrahim Rugovës duke vizituar zyrën e Kryetarit të paligjshëm të Bashkisë së Tiranës e duke pranuar çelesin e kësaj bashkie çelës që soji i tyre ja kanë dhënë edhe Goran Bregoviçit kënduesit të hymneve antishqiptare.

Ajo vetëm kohet e fundit mori pjesë në një tubim të Edi Ramës kur dihet që Edi Rama është miku më i ngushtë i Aleksandar Vuçiçit dhe iniciativave në funksion të botës serbe në gadishullin ilirik.

Është shumë e rëndë që presidentja e Kosovës në një intervistë kaq të gjatë të mos gjejë pak sekonda të komentojë ngjarjet dramatike që po ndodhin në Shqiperi ku është arrestuar pa asnjë bazë juridike politikani dhe njeriu që ka bërë për Kosovën më shumë se askush tjetër në 33 vitet e fundit.

Ky gjest apo mungesa e reagimit është turp për zyrën e presidentit të Kosovës dhe personalisht për Vjosa Osmanin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat