Puna klerikale/ Imameske profesioni më primitiv në jetë

Opinione

Puna klerikale/ Imameske profesioni më primitiv në jetë

Nga: Zekrija Idrizi Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 16:38
Autori Zekrija Idrizi

Në jetë timen kam ushtruar detyrën baritore të një imami mysliman, në botën shqiptare të këtij besimi, së cilit i përkas familjarisht , ashtu plot 20 vite, por ama arrita te bindja që në atë mënyrë konzervative Zoti dhe komplet energjia e frymëzimi imi spiritual konzervoheshin e mbylleshin në pranga, përkatësisht përkufizoheshin, ta them metaforikisht, në një guaskë , në një objekt të akullt, ku shpirti përshkohej me pakëz frymë e dritë hyjnore, e, rrjedhimisht, me më shumë syefaqësi, hipokrizi e ritualizëm formal e joproduktiv në pikëpamje të përjetimit të një ekstazeje të mirëfilltë shpirtërore. Fillova ngadalë, me shumë shpirt „të transferoja" Zotin fillimisht brenda zemrës sime, mandej dhe kudo, në shtëpi, në natyrë dhe ngado në glob e univers. Kjo për arsye se, si besimtarë, nuk guxojmë të mbyllim Zotin vetëm në tempuj: xhami, teqe, kisha, sinagoga e manastire.

Nuk mohoj faktin që pikërisht këso periudhe, në këto faza spiritualiteti, unë përjetoja ndjesi nga më të larmishmet, por dhe nga më kontrastivet. Më shfaqeshin dy botëvështrime diametralisht të kundërta ballë besimit e bindjes sime fetare: dashuri e ekzaltim hyjnor, por edhe skepticizëm e rebelim teologjik. Në „bisedat" e mia të gjata e të mundimshme me Zotin, më janë shpërfaqur përsiatje, vegime e mendime që përplaseshin herë me: gjuhën e filozofëve, psikologëve, skeptikëve e agnostikëve..., e herë me: gjuhën thellësisht religjioze të profetëve, shenjtërve e mistikëve. Gjuhë këto që, ndonëse zhvilloheshin konfliktualisht, çonin esencialisht drejt përqafimit të dritës dhe dashurisë kulminante hyjnore, drejt Zotit, për t'u shkrirë në unison me Të…

Botëvështrime kontradiktore më shfaqeshin edhe në mes dy rrugëve: Hedonizmit dhe shpirtëroritetit. Fakt që preferoj të bëj edhe jetën e një bohemi, përkatësisht jetën e një endacaku i dhënë pas qejfeve të kësobotshme. Të jesh bohem do të thotë, të jesh artist. Fuqia që ngërthen arti në shpirtin e një bohemi e tejkalon fuqinë e mjerimit, pikëllimit dhe vetmisë morbide.

Kur zura n’ gojë punën baritore, më duhet të jem i sinqertë. Kisha ndjesinë se bëja punën e një varrmihësi, e një pastruesi kufomash dhe të një vdekjendjellësi të pështirë, i cili siguron kafshatën e gojës mbi vrragët e shpirtit dhe mbi kufomat e besimtarëve!!! Vallë, a ka mëkat më të rëndë se ky?!!!

Dorën në zemër, dy faktorë më kanë nxitur të ushtroj detyrën e imamit:

1. I pari, faktori ekonomik. Kurrë nuk do të kisha punuar si imam me vetdëshirë. Në fakt, në fillim, pas studimeve teologjike, kam punuar si referent i arsimit fetar në zyrat e Bashkësisë Islame në Shkup plot katër vite. Mandej, duke qenë se nuk kisha dhomë timen personale në familje si fëmija i shtatë më i vogli, për t'u bërë shtëpi qesh i detyruar të dalë në kurbet/mërgim për të punuar si imam në një xhami të shqiptarëve mërgimtarë. Praktikisht, në vitin 1997 u punësova imam në Berlin plot 9 vite. Mandej dhe 5 vite të tjera punova po imam nëpër xhami në Gjermani dhe Zvicër.

2. I dyti, faktori atdhetar/kombëtar. Në mbarëvajtjen e punës sime imamore më mbajti aspekti i atdhedashurisë. Paralelisht me ushtrimin e ritualeve fetare veproja aktivisht në rrafshin e aktiviteteve dhe organizimeve kombëtare. Në këtë rrafsh vizitoja rregullisht klubet dhe shoqatat shqiptare dhe mbaja kontakte të rregullta me veprimtarë të devotshëm kombëtarë, me intelektualë të profileve të ndryshme dhe me studentët tanë të universiteteve të ndryshme gjermane e zvicerane. Kështu, gjatë zhvillimit të luftërave shqiptaro-sllave në atdhe arrita me sukses xhaminë ta shndërroj në vatër shqiptare, në një klub kombëtar. Aty bashkëvepronim të gjithë shqiptarët pa dallim në ishin myslimanë, katolikë apo ortodoksë. Kështu veprova në Berlin, Bielefeld, Aachen, Cyrih, Luzern, Sant Gallen dhe Basel.

Pra, pikërisht aktivitetet kombëtare më mbanin aktiv edhe si imam nëpër xhami.

Tani, aktualisht, e them botërisht: nëse do të më emëronin si imam edhe në xhamitë e Mekës, Kairos o Bagdadit, unë nuk do të pranoja kurrsesi. Nuk do t'i lejoja vetes të mbyllem hermetikisht nën petkat (xhyben dhe çallmën) e një imami, e një kleri mysliman e të lozi rolin e moralistit e demagogut, duke i predikuar e ligjëruar botës e duke lënë fare mënjanë vetveten, personalitetin dhe moralin tim. Sa groteske po aq edhe tragji-komike është puna e një dërdëllonjësi që merret me llafazanëri mbi fenë dhe moralin, ndërkohë që vetë nuk i posedon, dhe që kryen punën e një pastruesi kufomash dhe të një varrmihësi, me ç'mënyrë siguron kafshatën e bukës dhe jetën në përgjithësi !!!

Pikërisht për këto arsye shumica dërrmuese e hoxhallarëve, imamëve, priftërve, shehlerëve, dhaskalëve, pastorëve, famullitarëve dhe rabinëve do të përfundojnë në shkallët e guvat më të errëta të skëterrës (xhehenemit) !

P.S.

Përfundimisht, pas shumë rropatjesh e sorollatjesh bohemiane e hamendësimesh skepticiste, më në fund arrita të çlirohem nga prangat e hermetizmi klerikal dhe të dogmatizmit konvencional teologjik, duke fituar kështu lirinë time absolute individuale.

Dorën në zemër, ka shumë pak imamë e hoxhallarë patriotë. Një pjesë e madhe e tyre o janë "drzhavni imamë" (imamë shteti), spiunë e bashkëpunëtorë të UDB-së, o janë argatë të djallit e të turko-arabo-ruso-sllavizmit.

** Pjesëz nga dorëshkrimi im "Monolog mbi monopolin religjioz"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat