Asgjë e re nga Ballkani Perëndimor

Opinione

Asgjë e re nga Ballkani Perëndimor

Nga: Merxhan Jakupi Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 16:35
Autori Merxhan Jakupi

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale të së dielës sw kaluar në Serbi, për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në kanë qenë shumë të rëndësishme, duke shpresuar se do të fitojnë forcat opozitare pro-evropiane. Ardhja e forcave të reja reformuese dhe pro-evropiane, do të sillte stabilitet në tërë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në Serbi. Vëzhguesit dhe deputetët e Klubit Social Demokrat të Parlamentit Evropian, si dhe vëzhguesja e Misionit të Parlamentit Evropian, Viola von Cramon ka komentuar se zgjedhjet e së dielës në Serbi kanë qenë irracionale, jo ferr, me parregullsi dhe vjedhje votash nga Partia Përparimtare Serbe.

Mbahet në jetë kursi i vjetër

Sipas interpretimeve dhe të të dhënave të prezantuara, zgjedhjet në Serbi janë konsideruar si një referendum i Aleksandar Vuçiqit, ku tre vjetët e fundit radhazi janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme. Dy dekadat e fundit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka vazhduar vijën dhe diskursin gjeostrategjik dhe gjeopolitik të mentorit të tij, Sllobodan Millosheviq. Vuçiq është njeri autoritar dhe monolit, që qeveris shtetin serb. Që nga shkuarja e Sllobodan Millosheviqit në Hagë, në Serbi nuk ka pasur demokraci, thotë akademiku serb, Vladimir Kostiq. Serbia është shtet i dështuar, që është kthyer në të kaluarën. Në Serbi akoma vazhdojnë të derdhin lot krokodili për Sllobën. Kriminelët e luftës konsiderohen hero, idhull dhe ikona të popullit serb. Në mitingje dhe fushata elektorale këndojnë këngë të vojvodëve, kriminelëve të luftës Mlladiq, Karaxhiq dhe këngë për Kosovën, si: “Në mot jemi në Prizren!”.

Aleksandar Vuçiq akoma vazhdon të lozë në dy karrige. Në vitin e fundit ka reflektuar disa ndryshime të vogla në politikën e jashtme, gjoja duke u distancuar ndaj Kremlinit dhe afrimit me BE-në, por shumica e elektoratit dhe e mazhorancës në Parlament janë ambivalentë pro-ruse. Boshko Jakshiq, një analist i politikës së jashtme, thotë se Vuçiq është një mjeshtër mashtrues e demagog, kinse është duke mbrojtur interesat dhe parimet e popullit serb. Shkrimtari dhe ish-nacionalisti serb, Vuk Drashkoviq, në një intervistë të mëhershme ka thënë një maksimë se “Si janë liderët, ashtu është dhe populli”. Serbët kanë nevojë për një lider si ish-disidenti dhe ish-presidenti i ndjerë çek, Vacllav Havel.

Dy spektrat e opozitës serbe

“Përveç liderëve, edhe populli serb është fajtor. Duhet të ndryshojmë mendimet. Serbët mbi 70 për qind janë të indoktrinuar nga pan-sllavizmi dhe ortodoksizmi rus, ndaj dhe serbët jo rastësisht e morën epitetin e “rusëve të vegjël” të Ballkanit. Ne serbët jemi duke importuar nga Rusia ortodoksizmin, pansllavizmin dhe nacional-patriotizmin”, thotë Drashkoviq.

Në Serbi, opozita është e ndarë në dy spektra: atë pro-perëndimor, fronti demokratik dhe Serbia kundër dhunës, në njërën anë, dhe e djathta populiste pro-rose, në anën tjetër. Vuk Jeremiq dhe Aleksandar Vuçiq kanë të njëjtën kauzë dhe estabilishment. Arkitektura dhe narrativi i tyre është shpërbërja e Bosnjës, mbështetja e frontit demokratik pro-rus në Mal të Zi dhe mohimi i identitetit të popullit malazez, si dhe i shtetit të pavarur malazez. Në fund, ndarja e veriut të Kosovës. Paradoksi dhe ironia është se edhe opozita pro-perëndimore është kundër njohjes së Kosovës. Uashingtoni dhe Brukseli mbështesin opozitën, ngase pas shkuarjes së Vuçiqit, mund të vinin në skenë forcat e djathta ultra-nacionaliste, unitariste dhe pro-ruse.

Deri vonë, protestat e opozitës kundër dhunës në Serbi janë duke vazhduar. Opozita ka hyrë në grevë urie, duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në kryeqytetin serb, Beograd. Sipas analistëve, edhe kësaj here Vuçiq do t’ia dalë që ta margjinalizojë opozitën e dobët dhe të përçarë, por ka zëra se opozita do të vazhdojë me protesta, ku mund të ndodhë skenari i ngjashëm për përmbysjen e Millosheviqit.

Analisti dhe profesori i Universitetit në Gracz të Austrisë, Florian Biber, sjell artikullin “Asgjë e re nga Ballkani Perëndimor”. Vuçiq do të vazhdojë me avazin e vjetër, duke qenë aktor brilant dhe manipulues i shkathtë. Vuçiq dhe partia e tij, së bashku me partitë ultra-nacionaliste pro-ruse, do të vazhdojë të mbetet promotor i destabilizimit të Ballkanit Perëndimor edhe në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat