Kush do të dominojë me botën?

Opinione

Kush do të dominojë me botën?

Nga: Merxhan Jakupi Më: 13 nëntor 2023 Në ora: 11:04
Merxhan Jakupi

Henry Kissinger dhe Zbignjew Brezezinski, politikanë e diplomatë amerikanë, një ndër ekspertët dhe njohësit e politikës globale, njohës brilantë, në veprat e tyre kanë shkruar se bota pas luftës së ftohtë do të jetë multi-polare dhe se SHBA nuk do të jenë super fuqi dhe xhandar i vetëm. Rendi ri botëror multi-polar, ku si rival do të jenë Kina dhe India, ndërsa Rusia, Irani, Turqia e disa të tjera do të jenë fuqi rajonale. Bota në të ardhmen do të dominohet nga tre shtete kontinentale që kanë një ekuilibër të njëjtë demografik: Kina me 1.5 miliardë banorë, India gati po aq dhe bota perëndimorë me mbi 1 miliard.

Bota islame qeveriset nga regjimet autoritare 

Sipas diplomatit dhe studiuesit amerikan, Zbigniew Brezezinski, bota do të sundohet nga popujt e qytetërimit perëndimor të krishterë dhe popullit kinez budist-konfuçian dhe Hindu Sikët, që përbëjnë një të tretën e njerëzimit. Bota islame që ka të njëjtën demografi 1.8 miliardë, fatkeqësisht nuk do të jetë një fuqi globale. Arsyeja se pse bota islame nuk do të garojë me këto tri fuqi globale, është se për të qenë një super-fuqi duhet të kenë një gjeostrategji politike, ushtarake, ekonomike dhe ideologjike. Këtyre shteteve islame u mungojnë këto narrativë për të qenë fuqi globale. Henry Kissinger shkruan se Turqia, Irani dhe Indonezia, tre shtete islame, do të jenë fuqi rajonale.

Për luftën mes Izraelit dhe Hamasit, më së shumti kanë reaguar qeveritë e Ankarasë dhe Teheranit përballë qeverisë së Benjamin Natanjahut. Arsyeja se pse këto shtete kanë ngritur zërin dhe kanë qenë kritikë të ashpër ndaj luftës, është se Irani dhe Turqia janë fuqi rajonale gjeostrategjike dhe gjeopolitike në rajon e më gjerë. Shtetet arabe janë të përçara në aleanca, nën regjime totalitare, despotike dhe autokrate. Në luftën e fundit mes Izraelit dhe Hamasit, popujt arabë nuk kanë qenë asnjëherë kaq të zhgënjyera, të frustruara dhe të revoltuara nga regjimet dhe liderët. Mbretërit e regjimeve arabe kanë pasur presion të madh nga populli, intelektualët dhe opozitarët. Këto regjime kanë frikë nga revolta dhe retorika e përsëritjes së pranverës arabe, shkruan një disident egjiptian. Është një paradoks e ironi kur sheh demonstrimin dhe tërheqjen e ambasadave nga shtetet, siç janë Afrika e Jugut, Brazili, Bolivia dhe shtete të tjera.

Populli i zhgënjyer nga regjimet arabe 

Regjimet arabe në luftën mes Izraelit dhe Hamasit do të ndryshojnë gjeostrategjinë, diskursin dhe agjendën politike, shkruan diplomati libanez, Mihail Sharif. Regjimet arabe janë të zhgënjyera dhe të frustruara më së shumti nga SHBA dhe BE, ndërsa nga lufta mes Izraelit dhe Palestinezëve më së shumti kanë përfituar Kina dhe Rusia. Shtetet e Gjirit Persik dhe shtetet e tjera arabe do t’ia kthejnë shpinën SHBA-së dhe botës perëndimore, ndërsa në të ardhmen do të lidhin aleanca me shtetet e lindjes, si me Kinën, Risinë dhe BRIKS-in.

Shtetet arabe, pas luftës mes Izraelit dhe Palestinezëve nuk do jenë siç kanë qenë. Grupi i disidentëve, intelektualëve, poetëve dhe figurave të artit të shteteve arabe, sipas shkrimeve në disa revista dhe media, shtron nevojën për një union të 22 shteteve arabe. Fillimi i pranverës arabe që në fund pësoi një fiasko dhe tragjedi, ishte inspiruar nga shembja e murit të Berlinit dhe bashkimit të shteteve evropiane. Dështimi i pranverës arabe ishte se lidershipi dhe elita politike nuk kishte një front të përbashkët demokratik. Sipas tyre, një bashkim i shteteve arabe, një mostër dhe projekt si të BE-së, ndoshta për këtë periudhë do të dukej utopike dhe absurde, por bota arabe ka një popullsi të re. Gjeneratat duan ndryshime dhe nuk do të tolerojnë regjimet diktatoriale, despotike dhe tiranike.

Rinia arabe është e joshur nga bota demokratike perëndimore. Të rinjtë vishen me xhinse, dëgjojnë rrap muzikë dhe janë imitues dhe konsumues të qytetërimit perëndimor. Nisma dhe promotori i unionit të shteteve arabe është Liga Arabe. Popujt arabë janë më kompakt, homogjenë dhe ekziston një komb, një gjuhë dhe një fe. Bashkimi evropian ka pasur shumë sfida, me shumë popuj, kultura dhe divergjenca fetare, por në fund ka arritur t’i bashkojë popujt evropianë.

Arritja e Unionit të shteteve arabe në të ardhmen do të mund të zgjeronte shtetet islame, me Turqinë, Iranin, Pakistanin, Afganistanin, Indonezinë dhe Malajzinë. Me bashkimin e shteteve arabe dhe islame, bota do të ishte më stabile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat