Turniri i boksit në parlamentin shqiptar!

Opinione

Turniri i boksit në parlamentin shqiptar!

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 2 nëntor 2023 Në ora: 12:43
Kuvendi i Shqipërisë

Ishte vetëm çështje kohe se kur edhe në Shqipëri do organizohet një turnir i boksit në parlamentin shqiptar, i ngjashëm me atë të Kosovës.

Në parlamentin e Kosovës, mazhoranca dhe opozita i patën matë forcat e veta në disa lëmi: boks, karate, xhudo, sharje, ofendime, shkelmime, etj. kurse tash pak a shumë një turnir i ngjashëm u organizua edhe në Parlamentin Shqiptar.

Si duket parlamentarët nga Shqipëria xhelozuan për turnirin e vëllezërve nga Kosova dhe premtuan se do ua kalojnë atyre nga llojet e fushave sportive. Në Shqipëri si duket ishte përdorur edhe kantina e Parlamentit dhe gjithçka që ndodhej aty: pjatat, tenxheret, garuzhdat, tiganët, kazanët, lugët, pirunët, çekanët e drurit për shtypjen e mishit, kazanët e plehrave, saçet e flijave dhe gjithçka që ndodhej në kuzhinë.

Dita e turnirit ishte zgjedhur, ngase palët kurrsesi të pajtoheshin dhe të ecnin përpara. Rama pas vetes e kishte Rilindjen, patronazhistët, enveristët, PS, LP të Kosovës, PD të Kosovës, por pas tij qëndrojnë edhe shumë personalitete në Serbi, për të mos i cekur me emra se janë thuajse të panumërt.

Në anën tjetër ndodhej mazhoraca, po çka të thuhet për ta: ishin të paorganizuar, të ndarë dhe të përçarë. Ishte çudi se si në këto kushte e kishin pranuar duelin, por ndoshta edhe skishin rrugëdalje tjetër. Berisha kohë të gjatë është nën shënjestrën e tyre. Së pari nga Departamenti Amerikan ishte shpallur non grata, kurse tash u akuzua edhe nga SPAK.

Berisha me organizimin e këtij turniri shpresonte t´i mobilizonte masat në favor të tij dhe ndoshta të shpëtonte edhe nga ndjekja, që po i organizohet në këtë moshë të shtyrë.

Pra shikuar realisht ai s´kishte tjetër zgjidhje, ose të organizohej turniri në këto kushte dhe në këtë kohë të pa barabartë, ose do të pësonte fiasko dhe të dorëzohej përgjithmonë. Ky do të ishte rasti i tij i fundit. Prandaj nuk kishte kohë të mendonte, ishte i përgatitur për një turnir të tillë apo jo. Kushtet i diktonin rrethanat momentale.

Turniri nuk ishte i paralajmëruar, por mediat ishin prezentë si gjithmonë. Me rëndësi ishte që kamerat ta kapnin çdo insert. Regjia po thuaj ishte e përpunuar. Së pari do të fillonin me diskutime. Atmosfera do acarohej. Foltorja do bllokohej dhe aty do të rritej dinamika.

Sapo do të elektrizohej atmosfera do binte gongu për fillimin e turnirit. Së pari do nisnin sharjet, do ngritej zëri dhe do kalohej në një shkallë më të lartë. Do kërcitnin grushtet, shkelmat, shtyrjet dhe pastaj do kalohej në karate dhe xhudo.

Për t´ua kaluar vëllezërve nga Kosova nga kantina e parlamentit do të silleshin të gjitha armatimet. Nuk do vonoi dhe do fluturonin pjatat, lugët dhe pirunët.

Piktori nuk donte ta lëshonte rastin dhe ishte tërhequr në lozhën e parlamentit.  Atelienë e kishte marr me vete. I kishte përgatitur ngjyrat, pëlhurën dhe tërë ngjarjen donte ta pasqyronte, sikur nuk i mjaftonte transmetimi televiziv dhe prezenca e mediave.

 Si duket ngjarjen donte ta paraqiste nga një perspektivë tjetër, nga ajo e artistit. Mendonte se rast më të mirë nuk mund të zgjidhte. Një vepër e tillë mund ta afirmoi edhe më shumë në arenën ndërkombëtare. Atdheu vjen e shkon, por veprat mbeten të përjetshme./Mars – Rover (Satirë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat