Njohja “de facto” e Kosovës/ Serbia midis shpresës së fitores ruse në Ukrainë dhe dështimit të saj!

Opinione

Njohja “de facto” e Kosovës/ Serbia midis shpresës së fitores ruse në Ukrainë dhe dështimit të saj!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 2 nëntor 2023 Në ora: 09:52
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Të gjitha lëvizjet politike, gjeopolitike e gjeostrategjike të Serbisë në lidhje me aleancat e saj kushtëzohen nga pesha e Rusisë në ekuilibrin botëror. Lufta në Ukrainë e shkurtit 2022, të cilën Vladimir Putin e nisi si ndëshkim kundër qeverisë pro-perëndimore të Volodymyr Selesnskyt, e ka çoroditur deri diku politikën dhe diplomacinë serbe. Fitorja ose humbja e Rusisë në këtë vend është gjithashtu fitore ose humbje e Serbisë. Balanca që Beogradi përpiqet të mbajë midis Perëndimit dhe Moskës në fakt ka për qëllim shpërndarjen e reve dhe mjegullës që qëndron në rezultatin e kësaj lufte.

Nëse Serbia sigurohet se Rusia e fiton luftën, atëherë rruga e saj drejt integrimeve euro-atlantike është e bllokuar. Është vetë ajo që do ta bllokojë këtë rrugë, sepse do të rizgjedhë aleancën me Rusinë. Nëse ndodh e kundërta, pra humbja ruse në Ukrainë dhe për këtë Aleksandër Vuçiç bëhet i vetëdijshëm, ai do të adresohet te fituesit perëndimore. Shkurt Serbia ende nuk është e bindur plotësisht se kush është humbësi dhe kush fituesi në luftën e Ukrainës. Ndërsa konflikti i egër dhe i befasishëm midis Izraelit dhe Palestinës ka shtuar dozat e pa përcaktimit dhe amullisë serbe.

Udhëheqësit serbë, të cilët kanë lidhje të afërta dhe të ngushta me Kremlinin dhe presidentin Putin, janë më optimistë për fitoren ruse e për pasojë edhe më të vendosur në qëndrimet e tyre anti- perëndimore. I tillë u dëshmua para pak ditësh lideri i serbëve të Bosnjës, Molirad Dodik, i cili u deklarua për Serbinë e Madhe, brenda së cilës do të ishte jo vetëm Kosova, por edhe Republika e tij Srpska në BH dhe Mali I Zi. Por thonë se oreksi vjen duke ngrënë. Për pasojë, nëse vërtet do realizohej ëndrra e Dodik, atëherë do të vinin në radhën e gllabërimit serb edhe Maqedonia e Veriut dhe pjesa tjetër e Bosnjë-Hercegovinës, përveç territorit të banuar me kroatë. Nëse realizohet kjo dhe deri atëherë Edi Rama do të jetë në pushtet, atëherë edhe Shqipëria do të bëjë atë që kishte nisur të bënte në vitet 1946-1948, pra të shndërrohej në këtë rast në një Republikë të Gjashtë, të Jugosllavisë së Re. Të bindur në fitoren ruse janë edhe shumica e politikanëve serbë, një pjesë e madhe e diplomatëve, klerikëve ortodoksë, akademikëve e profesorëve në Serbi.

Por presidenti Aleksandër Vuçiç është ende i papërcaktuar. Ai jeton midis shpresës për fitoren e Rusisë në Ukrainë dhe frikës së dështimit të saj. Është në një dilemë të papërcaktuar e plot të panjohura, me dritë-hije që herë errësojnë shpresën e fitores dhe herë tjetër krijojnë optimizëm për fitoren e Vladimir Putin. Ndërsa politikanët e diplomatët e tjerë serbë besojnë te fitorja e Moskës kundër Kievit për shkak të fuqisë bërthamore të Rusisë, Vuçiç e di se këto armë janë thjesht mjet presioni me zero mundësi për t’u përdorur. Prandaj dhe presidenti i Serbisë bën kujdes.

Në këto Kushte Aleksandër Vuçiç ka vendosur që ta “zhagitë” marrëveshjen e paqes me Kosovën. Ndaj u thotë jo kërkesave të Ursula von der Leyen, kancelarit Scholz e presidentit Macron për njohjen de facto të pavarësisë së Kosovës. Ai bën një lloj llogarie aritmetike: - Nëse unë e njoh de facto Kosovën dhe Rusia fiton në Ukrainë, atëherë do të vështirësohej rikthimi në idenë e konceptin e mosnjohjes! Do të kishim më shumë vështirësi që të vepronim për ndarjen e Kosovës! Kjo llogari kauzale është dilema e presidnetit të Serbisë. Ai nuk dëshiron të ngutet. Prandaj dhe shpalli zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen bashkë me zgjedhjet lokale, më 17 dhjetor të këtij viti.

Nëse presidenti i Serbisë këmbngulë në mos-njohjen e Kosovës, kjo do të thotë se ai ende shpreson te fitorja e Rusisë në Ukrainë. Ndërkohë që konfliktin në Lindjen e Mesme e sheh si një mundësi më shumë për këtë fitore ruse. Por unë jam i sigurt se nuk do të ndodhë që Rusia të mbajë të pushtuar as edhe një m2 territor ukrainas. Madje ka vënë në pikëpyetje edhe Krimenë, e cila me shumë gjasa do t’i kthehet Ukrainës. Rusia është e lodhur nga lufta shumë më tepër sesa Ukraina. Sa më shumë të zgjasë ajo, aq më shumë Rusia do të lodhet dhe do të humbasë. Në këto kushte Serbia kot që shpreson në ndonjë mrekulli si ajo e pas Luftës së Parë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, që të bëhet pjesëtarë e koalicionit fitues. Humbjen ruse në Ukrainë ajo do ta zbusë vetëm me pranimin e kushteve të Perëndimit për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat