Policia e Kosovës, pagën e vet e meriton me dinjitet dhe më shumë se një deputet

Opinione

Policia e Kosovës, pagën e vet e meriton me dinjitet dhe më shumë se një deputet

Nga: Dedë Preqi Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 15:08
Autori Dedë Preqi

Në shenjë pakënaqësie dhe shtysa e nevojës për përmirësimin e kushteve më të mira, Njësite operative të Policisë së Kosovës, protestojnë para qeverisë së vendit, me ç’ rast protestat e tyre janë pa dyshim të drejta, përmes të cilave kërkohet plotësimi i nevojave të tyre, dhe sipas tyre nuk janë protesta që ndikohen nga asnjë rrymë politike, por duhet të merren në konsideratë dhe të gjendet një formë e përshtatshme dhe gatishmëria në realizimin e tyre.

Me ligjin e punës zyrtarët policor nuk kanë të drejtë të hynë në ndonjë grevë ekstreme, si shenjë pakënaqësie, por protestat e tilla të kësaj policie janë të drejta të tyre, të cilët kërkojnë paga minimale dhe kushte më të mira, që në realitet janë meritorë të denjë të kësaj shoqërie.

Policia e Kosovës, e ka treguar rrolin e vet dhe mbi të gjitha qëndrimi unik dhe organik i saj ndaj detyrave dhe përgjegjësive që i takojnë, dhe duke u nisur nga kjo epërsi e tyre, dhe duke depërtuar edhe më gjerë, deri në sakrificën e tyre të fundit, që e kanë paguar me jetë, në mbrojtje të integritetit territorial dhe ligjit të këtij vendi.

Ndoshta mund të thuhej se këtu mund të bëhet fjalë edhe për ndonjë shfaqje të asaj që ne e quajmë ndonjërin prej tyre me ndonjë sjellje jo normale, apo të tejkalume e normave dhe praktikave ligjore, të cilëve iu ka tërhequr vërejtja, por marrë në përgjithësi, policia e Kosovës, do të ishte ndër ato më të cilësuara dhe më të reformuara që ka një imazh të nivelit të lartë në rajon.

Prandaj, duhet ta pyesim vetën se ku qëndrojnë problemet dhe mos kënaqësitë e kësaj mase në shoqërinë tonë, ndaj secilës duhet të jemi vigjilent dhe të kemi një konsideratë të posaçme ndaj kushteve të tyre jo të mira dhe jo adekuate, për të cilat kjo shoqëri duhet të kujdeset dhe t’ua plotësojë në bazë të ligjeve dhe normave ligjore që u takojnë.

Sidomos Njësive Operative Policore, u është premtuar nga qeveria dhe Ministria e Brendshme, se do bëhet me ligj rregullimi i klasifikimit në koeficient dhe sikur janë vonuar dhe me ligjin e ri ato nuk janë ranguar aty ku duhet të renditen dhe praktikohen në një realitet të ri.

Opozita aktuale, PDK,LDK dhe AAK, e ngritur zërin e tyre, por në një farë mënyre më shumë të zhurmshme, në përkrahje të një rezolute për pagat e policisë së vendit, ndërsa nga pozita është kërkuar që kjo çështje të rregullohet me ligj, jo përmes rezolutave, të cilat janë me pretekste dhe kanë qëllime tjera dhe politike, të cilat nuk janë në dobi të kësaj shoqërie, por kanë efekte anësore.

Prandaj, pa marrë parasysh, është në pozitë apo opozitë, të merren parasysh kërkesat e policisë së Kosovës, dhe kushtet e tyre të përmirësohen, duke lënë anash animet dhe «dallaveret» politike dhe në veçanti të merret parasysh çështja e pagave të rrezikshmërisë, që do të thotë se nuk mund të kompensohet vetëm me pagë dhe me asgjë tjetër një kategori e tillë, por e cila do të ishte më meritore e kësaj shoqërie, dhe është më meritore paga e saj se paga e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat