Projekti që Milorad Dodik solli nga Moska për prezencën ruse në Ballkan! Pasojnë reagimet e ashpra

Opinione

Projekti që Milorad Dodik solli nga Moska për prezencën ruse në Ballkan! Pasojnë reagimet e ashpra

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 30 tetor 2023 Në ora: 15:58
Foto ilustrim

Milorad Dodik është njeriu më I fuqishëm i serbëve të Bosnjës në Republikën Srpska dhe anëtar i Presidencës Boshnjake, ku vendimet merren me konsensusin e tre përfaqësuesve etnikë, myslimanë, serbë dhe kroatë. Ai ishte para pak javësh në Kremlin dhe u takua me presidentin rus, Vladimir Putin. Tani, pas kthimit prej andej, ka shpalosur projektin serbo-rus në Ballkan. Në një intervistë për Sputnik-un rus, të transmetuar të shtunën e shkuar, Dodik thoshte se Serbia e Madhe duhet krijuar duke përfshirë brenda saj përveç Republikës Srpska, edhe Malin e Zi dhe Kosovën. Por ai rekomandon që kjo të arrihet përmes “mjeteve demokratike e masave politike dhe jo përmes luftës”! Këtë ai e konsideron si zgjidhjen e vetme “për paqe në Ballkan”! 

Sipas Dodik, në kohët e sotme po krijohet një konfigurim i ri i botës dhe këshillon që “serbët nuk duhet të gjenden në befasi”. Ndërkaq ai për Sputnik zbulon atë që ne e kemi thënë vazhdimisht, se “Vuçiç e ktheu çështjen e Kosovës e Metohisë në skenën ndërkombëtare përmes procesit të negociatave, por edhe përmes procesit të tërheqjes së njohjeve të Kosovës dhe Metohisë nga një numër i konsiderueshëm vendesh”! 

Kundër këtyre deklarimeve ka reaguar ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, e cila i konsideron ato si të papranueshme dhe të papërshtatshme. Podgorica i bën thirrje zotit Dodik “që të përmbahet nga retorika ekspansioniste dhe nacionaliste dhe të sillet politikisht dhe me përgjegjësi shtetërore, në frymën e marrëdhënieve miqësore, siç ushqehen nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina”. Por nuk kanë reaguar qeveria dhe diplomacia e Kosovës, e Bosnjë-Hercegovinës dhe as ajo e Shqipërisë. Mundet që qeveritë e këtyre vendeve të mos e kenë marrë shumë seriozisht deklaratën luftë-nxitëse të Milorad Dodik. Por e vërteta është se ai shpreh pikëpamjet ruse të krijimit të Serbisë së Madhe, me qëllim krijimin e kushteve për një prezencë më të madhe të Moskës në rajonin e Ballkanit. 

Kërkesat dhe projeksionet e Dodik shkojnë në dobi dhe arsyetim të planeve ruse në Ballkan. Kjo do të thotë se po dalin hapur në publik zëra, të cilët duan të rikonfigurojnë Ballkanin nga pikëpamja gjeopolitike dhe të pengojnë me çdo kusht zgjerimin e strukturave dhe aleancave auro-atlantike në rajonin tonë. Tashmë shefi i serbëve të Bosnjës ka marrë rol parësor dhe punon jo vetëm për shkatërrimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, por edhe të Malit të Zi, vend anëtar i NATO-s. Gjithashtu edhe të Kosovës së lirë e të pavarur. Kjo është arsyeja pse nuk duhet lejuar dhe nuk duhet pranuar në asnjë rrethanë asnjë projekt ndarjeje ose të krijimit të një etniteti serb me autonomi territoriale e ekzekutive në Kosovë. 

Prandaj dhe reagimi i të gjitha qeverive ballkanike, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut e të Shqipërisë, të cilat nuk përmmenden në këtë deklaratë provokuese e shkatërruese, është i një rëndësie të veçantë. Nëse Serbia do të ishte një shtet serioz në rrugën e integrimit europian, do të duhej gjithashtu dhe ajo të reagonte e të dënonte deklarata dhe projekte si ky. Por mesa duket dishepujt e krijimit të asaj që quhet “Bota serbe” janë në Beograd. Luftëtar i këtij projekti nuk është vetëm Dodik në Banja Luka. Janë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, si dhe bashkëpunëtorët e tij në krye të diplomacisë, ushtrisë dhe shërbimit sekret të Serbisë.  

Dodik dhe serbët në përgjithësi duket se shpresojnë në rikonfigurimin e ri të rendit botëror, në të cilin parashikojnë e madje janë të bindur se Rusia do të ketë rol shumë më të madh. Sipas tyre Kremlini është i aftë ta fitojë luftën në Ukrainë dhe se pas kësaj Moska do të ketë rol më të madh në KS të OKB-se e në forume të tjera ndërkombëtare. Ndërsa sa i përket zgjerimit të influencës ruse, ata besojnë se ky ndikim do të jetë shumë i madh në Ballkan. Një prezencë ruse në gadishull do të shtrihej si gjithnjë në hapësirën ku banojnë serbët. Ndaj dhe duhet krijuar Serbia e Madhe e koncepptuar sipas principit të Botës serbe. Kjo është arsyeja pse Dodik i ka projektuar kufijtë e Serbisë së Madhe në territoret e Malit të Zi dhe Kosovës, ku ka pakica serbe. Mali i Zi është jetik sidomos për Rusinë, sepse garanton daljen e saj në Detin Adriatik përmes Tivarit, Ulqinit apo qyteteve të tjera bregdetare.  

Dalja në Adriatik e Serbisë dhe përmes saj e Rusisë, bën që në këtë territor bregdetar të ndërtohet një bazë ushtarake ruse si ajo e Sevastopolit në Krime e me të të mbahet nën kërcënim Europa. Shkurt, kjo do të çonte në krijimin e një Europe të pasigurt dhe të rrezikuar nga potencialet ushtarake dhe bërthamore të Rusisë 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat