Përherë investohet në zhdukjen e kujtesës kolektive gjithë shqiptare!

Opinione

Përherë investohet në zhdukjen e kujtesës kolektive gjithë shqiptare!

Nga: Hamdi Rafuna Më: 25 tetor 2023 Në ora: 12:06
Foto ilustrim

Në shumë mënyra, nocioni i vjetër norvegjez i trollëve na shpjegojnë, pse është i rëndësishëm një perceptim real i natyrës njerëzore, përballë veprimeve jo normale të njeriut me kafshën përbrenda vetvetes!

Kjo farë e trollëve ka lëshua rrënjë edhe në truallin e shqiptarisë. Këta nuk e tolerojnë dritën/realitetin, përderisa nëpërmjet aktiviteteve të tyre “qiellore”, mundohen të arsyetojnë përdhunimin e besimit të shqiptarisë.

Dihet se, për një derr t’ therur nga serbët në oborrin e një xhamie, detyroi fshatra të tëra shqiptare të marin rrugën e “shpëtimit” për në Anadoll!

Të zgjohesh sot nga kllapia shumë shekullore e këtij gjunjëzimi është përparim, është vetëdije e lartë, nuk është mëkat, por është rreze dielli që shndritë traditën e vjetër gjithë shqiptare, dhe njëkohësisht godet pa mëshirë simpatizuesin dhe avokatet e përdhunuesit!

Pse nuk kemi mbamendje kolektive si shqiptarë dhe si fetarë të traditës?

Pse fetë “tona” nuk luten për të madhërishmit tanë por vetëm për vlerat e hunit dhe t’konopit?

Kur njeriu bën mëkat ndaj vetvetes, të huajt dihet çka bëjnë për ty!

Sot, faltoret “tona” janë të mbushura me mëkate ndaj vendit dhe kombit, sepse “rrogëtarët trollë” bëjnë argatin për shefat të tyre me seli në Turqi, Arabi apo në dreq të mallkuar! Dje me dhunë, sot me para të pista janë ble shqiptarët!

Ne shqiptarët kemi mjaftë patriotë dëshmorë, heronj dhe fetarë, të cilët ishin të devotshëm për kombin, shtetin dhe vendin. Kush e ndalon sot, respektin dhe kujtesën e përjetshme për të gjithë këta pishtarë t ‘shqiptarisë? Është besimi fetarë ndryshe, që përbuzë dhunshëm kombin tonë!

Trollët, respektojmë, nderojmë dhe urojnë farën e huajë nëpër të gjitha llojet e shtëpive të perëndisë!

Kjo gropë, ky varr i thellë i harresës kolektive për shqiptarë, është hapur nga armiqtë e shqiptarisë!

Gropa duhet të mbyllet një ditë, kur nëpër shtëpitë e perëndisë, vetëdija kombëtare drejton lutjet në gjuhën shqipe nga frati, prifti dhe hoxha për të gjithë shqiptarët e devotshëm dhe shqiptarinë!

Kush lutet sot nëpër faltore për Skënderbeun, Mulla Idriz Gjilanin, Hasan Prishtinën, Fan Nolin, Nënën Terezë, Shtjefën Gjeqovin, Gjergj Fishtën, Ukshin Hotin, Baca Adem Demaqin, Ibrahim Rugovën dhe për të gjithë heronjtë e UÇK-së, të prirë nga i madhi Adem Jashari?

Të gjithë u shkrinë për kombin dhe shqiptarinë.

Mbamendja për këta kolosa të shqipes, po shlyhet nga truri i anadollakut, harresa vazhdon, sepse besimet “tona të dhunshme” bëjnë dhunë edhe ndaj lirisë dhe dritës së pishtarëve tanë.

Kujtesa kolektive, edukimi kolektiv i popullit tonë duhet të përparohet me ligj!

Për këtë duhet mençuri shtetërore, kohë, guxim, durim, trimëri dhe besim ndaj traditës tonë gjithë shqiptarë!

Secila do lëvizje pozitive për të mirën e kombit është e ngadalshme dhe sfiduese përpara cilës do pengesë.

Dhuna shekullore, terrori, skamja, sëmundjet, dhe luftërat për mbijetesë, na detyruan të humbasim rrugën në oborr, por edhe të veprojnë instiktiktivisht drejtë një procesi të vetëdijes personale dhe kolektive për të mbijetua! Ky fenomen gjenial është prezent edhe te kafshët.

Ky shembull i mirë mbrojtjeje dëshmon të bukurën e vetëdijes personale dhe kolektive.

Investimet kapitale si shoqëri, në përparimin e kësaj vetëdije kombëtare është detyrë mbi detyrat e secilës qeveri!

Si komb, është më e pranueshme të investohet në të drejtën tënde, por është e rëndë kur pa të drejtë dhe me dhunë edukon popullin tënd që të urrejë tjetrin popull! Serbosllavët favorizuan nëpër shekuj këtë të dytën.

Sot, kur miqtë tanë insistojnë që ne të bëjmë mëkat ndaj vetvetes, kombi e kupton si mëshirë ndaj armikut, dhe verbëri mentale ndaj kujtesës, vetëdijes dhe mbrojtjes tonë kolektive! Kështu edhe jemi dëmtue ndër shekuj, kështu vazhdojmë të dëmtohemi edhe sot nga trollët e turpit! Serbosllavët investuan në dëm të shqiptarisë, ndërtuan dhe përparuan ndjenjën e tyre kolektive që të na urrejnë, nuk zgjodhën mjete për të realizue planet e tyre shfarosëse dhe gjenocidiale!

Ndëshkuan edhe njerëzit e vetë, të cilët patën sa do pak ndërgjegje njerëzore!

Ende vuajnë nga këto ndjenja të një racizmi të kulluar, dhe nuk dihet se kur do të shërohen, apo s’do të shërohen fare!

Njeriu ynë, patriot shqiptar dhe më pas edhe fetar sipas bindjes vullnetare, nuk e ka të vështirë që të lutet edhe për të pa vdekshmit e shqiptarisë,

sepse shenjtëria e tyre shëndrit edhe pas vdekjes për të gjithë ata që ndjehen shqiptarë! Kam bindjen se shqiptaria ka nevojë për një besim mëmë që i do dhe respekton njerëzit dhe vendin e vetë!

Dt: 25.10.2023

Hamdi Rafuna

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat