Vizita e Vjosa Osmanit në Zagreb dhe nevoja e një aleance midis shqiptarëve dhe kroatëve!

Opinione

Vizita e Vjosa Osmanit në Zagreb dhe nevoja e një aleance midis shqiptarëve dhe kroatëve!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 12 tetor 2023 Në ora: 18:11
Foto nga vendi i ngjarjes, vizita e

Vjosa Osmani ishte për vizitë në Republikën e Kroacisë. Unë e pashë këtë vizitë si rrugën drejt konsolidimit të një aleance të natyrshme midis shtetit më të ri në Evropë dhe shtetit më të konsoliduar nga vlerat perëndimore në Ballkan! Por këtë përshtypje ma përforcuan disa elementë të kësaj vizite.

E para ka të bëjë me deklaratën e presidentit kroat, Zoran Milanoviç, lidhur me presionin e BE-së, që liderët kroatë të mos mbajnë lidhje me liderët e Kosovës, në rastin e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit.

Kjo deklaratë e tij, sipas së cilës “Borrell na kërcënon me masa ndëshkuese, nëse takohemi me përfaqësues të lartë nga Kosova”, është një rast i paprecedentë në historinë e Evropës së vlerave, pra në marrëdhëniet e saj me shtetet anëtare të BE-së ose shtete të treta. Por lehtësisht nga ky fakt mund të tërheqim disa arsyetime pse gjatë dekadës së fundit e ndoshta edhe më parë, nuk kishim një lidhje të ngushtë midis Shqipërisë e Kosovës nga njëra anë dhe Kroacisë nga ana tjetër.

Ne e njohim marrëdhënien e ngushtë midis presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Shqipërisë. Aq të ngushtë sa në çdo konflikt midis Kosovës e Serbisë, kreu i ekzekutivit shqiptar merr thuajse gjithnjë anën e Beogradit. Deklarata e zotit Milanoviç na kujton se kemi të bëjmë me një rrjet më të gjerë në përpjekjet për të ndaluar lidhjet e ngushta Titanë-Prishtinë-Zagreb. Derisa në pushtet erdhën Vjosa Osmani dhe Albin Kurti Borrellët e Brukselit nuk e kishin të vështirë ta parandalonin këtë lidhje. Vuçiç ishte aq i fuqishëm e potent mbi Ramën dhe Thaçin, sa ti urdhëronte ata të mos bënin asnjë aventurë diplomatike të këtyre lidhjeve. Me ardhjen e zotit Kurti dhe zonjës Osmani, duket se Vuçiç ka vënë në lëvizje lidhjet e tij me serbofilët e Europës. Joseph Borrell del se është njëri prej më të dobishmit prej tyre.

Nga ana tjetër, në stadiumet e Serbisë ultrasit e Aleksandër Vuçiç nuk thërrasin vetëm “Vdekje shqiptarëve”! Jo rrallë ata kanë thirrur “Ti vrasim shqiptarët, që kroatët të mbeten pa vëlla”! E përkthyer në gjuhën e moderuar kjo thirrje raciste e fashiste e serbëve do të kuptohej si përpjekje e shtetit të Serbisë që të punojë fort për të evituar një aleancë shqiptaro-kroate në Ballkan. Aleanca shqiptaro-kroate është arma më e fuqishme për izolimin e Serbisë dhe pamundësimin e realizimit të planeve të saj për zgjerim territoresh. Ndaj dhe Beogradi investon fort ta evitojë atë.

Në fakt ish-presidenti Tuxhman pati kërkuar në vitin 2003 të krijonte një front të përbashkët lufte kundër Serbisë së bashku me Kosovën. Për këtë qëllim ai asokohe erdhi për vizitë zyrtare edhe në Tiranë, ku madje tha se shqiptarët e kroatët kishin rrënjë të përbashkëta ilire. (Një deklaratë ahistorike). Megjithatë ai u përpoq që shqiptarët e Kosovës të ngriheshin në kryengritje kundër Serbisë e kësisoj të mundësonte lehtësisht mundjen e ushtrisë serbe në fushë-betejë. Ibrahim Rugova e refuzoi këtë propozim, për shkak se ai besonte që pasojat e një aleance të tillë do ti vuante Kosova, pasi që bashkësia ndërkombëtare nuk ishte gati të ndërhynte si në vitin 1999.

Ndërsa sot është krejt ndryshe. Një aleancë shqiptaro-kroate është jo vetëm produktive për të dy ose tri vendet tona. Ajo është e do të jetë e dobishme edhe për BE-në dhe NATO-n. Serbia duhet të rrethohet nga një aleancë e fuqishme e të gjitha vendeve, që atë e rrethojnë, në themelin e së cilës mbetet lidhja midis Tiranës, Prishtinës dhe Zagrebit. Vetëm në këtë mënyrë ajo do të detyrohet të njohë realitetin gjeopolitik të rajonit dhe ta pranojë atë, ndërkohë edhe të bashkëpunojnë e madje të integrohet në strukturat euro-atlantike.

Por së dyti, në vizitën e zonjës Osmani në Kroaci pamë dhe një simbolikë tjetër: - Presidentja e Republikës së Kosovës u fotografua në një poligon qitjeje në një fabrikë të prodhimit të armëve në Kroaci. Ndodhi kjo në të njëjtën ditë kur SHBA-të i dhuruan policisë së Kosovës dronë të rinj për kontrollin e territorit të vendit dhe kur në krye të KFOR-it u vendos një gjeneral-major turk. Masazhi i të gjitha këtyre akteve që duken si simbolike lidhet me faktin se gjithnjë e më shumë po gjen terren ideja e forcimit ushtarak të Kosovës. Edhe kjo po diktohet jo vetëm nga shpenzimet marramendëse të Serbisë për tu armatosur, por edhe me provokimet e saj në kufijtë e Kosovës. Nesër Beogradi mund të provokojë edhe në kufijtë e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Ndaj dhe Kosova po kërkon të forcohet ushtarakisht. Por jo e vetme. Në aleancë me miqtë e saj. Një ndër më të natyrshmit mik është dhe mbetet Kroacia. Vizita e presidentes në Zagreb është një sinjal pozitiv dhe i qartë për këtë. Sidomos pas aktit terrorist serb të 24 shtatorit të kaluar!

Tashmë Borrell do të duhet të mësohet me këtë aleancë të natyrshme! Në fund të fundit edhe aleanca e shqiptarëve me amerikanët bazohet në faktin se shqiptarët janë barriera më e fortë e ndikimit rus në Ballkan. Për të njëjtat arsye, pra ato të dobësimit të ndikimit rus, duhet rrethuar Serbia me aleatë të besueshëm të Perëndimit. Shqiptarët dhe kroatët mund ta realizojnë me sukses këtë! Madje mund ta detyrojnë Serbinë të shkëputet përfundimisht nga aleanca e saj me Moskën!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat