Albin Kurti dhe Edi Rama - kalibri i liderëve tanë!

Opinione

Albin Kurti dhe Edi Rama - kalibri i liderëve tanë!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 6 tetor 2023 Në ora: 13:18
Albin Kurti, Edi Rama dhe Aleksander Vuçiq

Dikur përhapej përmes thashethemeve dhe formave tjera ideja se “Enver Hoxha ishte lider i kalibrit botëror”! “Dy luanë sot ka bota, një Azia e një Europa”, thoshte kënga e atëhershme! E njëjta gjë thuhej edhe në Jugosllavi për Josiph Broz Titon! Ishte një mënyrë për të ngrit kultin e individit deri në kufijtë e të paarritshmes! Një përpjekje për të ndërtuar një udhëheqës të pa zëvendësueshëm, deri në konstruktimin e idesë se “Pa udhëheqësin rrezikohet ekzistenca e atdheut dhe e kombit”!

Ndërsa në kohët e sotme, sidomos viteve të fundit, shohim plot shpallje publike në rrjete sociale dhe në publik, sipas të cilave p.sh “Edi Rama është lider i kalibrit botëror”! Ideja zhvillohet nga aktet formale të kryeministrit. Se p.sh në Shqipëri vitin e kaluar u bë samiti i Bashkimit Europian plus vendet e Ballkanit Perëndimor. Se Rama është i aftë të bëjë shoun e radhës në samitet euro-atlantike gjatë seancave të pushimit me liderët evropianë. Se Rama i mbyll sytë dikujt me të cilin ka konfidencë dhe liderët e tjerë qeshin e argëtohen me klounin tonë. Pikërisht këto akte militantët e Ramës i bëjnë të shpallin se kryeministri ynë është “lider i kalibrit botëror”, ose “lider global”, siç e quante para disa vitesh presidenti i Serbisë, Vuçiç.

Nuk dua të bëj asnjë paralelizëm midis Albin Kurtit dhe Edi Ramës. I pari është patriot i pakontestueshëm, i dyti liberal në kufijtë e perversitetit. Por nuk më vjen mirë kur dikush shkruan se “Albin Kurti është lider i kalibrit botëror”! Shqiptarëve nuk u duhen udhëheqës të këtij kalibri. Shqiptarëve u mjaftojnë liderët që mbrojnë me mençuri, maturi dhe politikë vlerash interesat e kombit e të atdheut tonë. Albin Kurti e ka dëshmuar veten si mbrojtës i aftë dhe i spikatur i interesave kombëtare. Edi Rama në çdo rast është dëshmuar si mbrojtës i interesave të armikut të Kosovës, Serbisë. Megjithatë bëhen përpjekje që të dyve t’u vihet nofka e “liderit të kalibrit botëror”. Më rrallë, por edhe për Vjosa Osmanin përdoret kjo narrativë.

A u bëjmë mirë liderëve tanë t’u thurim lavde të tilla?! Besoj se jo! Është e pamundur që një politikan shqiptar të konsiderohet lider botëror, kur ai nuk bën shtëpinë e tij. Kjo vlen sidomos për Edi Ramën. Por derisa Kosova është ende e pabërë, vetëm se ajo dëmtohet, nëse liderëve të saj u vemë emërtime të tilla.

Para 17 vitesh Kosova e kishte një lider të kalibrit rajonal e më gjerë në aspektin e vlerave që mbarti. Ishte Ibrahim Rugova. Megjithatë ai mori vlera përtej kombëtare, sepse diti dhe mundi t’u shërbejë me fanatizëm interesave të kombit të tij, interesave të Kosovës! E kam fjalën se kusht për ridimensionimin e figurave të mëdha të politikës është suksesi, arritja, realizimi i interesave kombëtare. Çdo përpjekje për ta hiperbolizuar figurën e gjithsecilit prej tyre është e dëmshme. Mbi të gjitha sjell dështimin e politikave në mbrojtje të interesave tona nacionale. Sa për Edi Ramën kjo nuk vlen, sepse kalibri i tij shkon gjithnjë në favor të Sorosit, Serbisë dhe çdo aktori që në cënim të interesave kombëtare garanton pushtetin e tij në Shqipëri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat