Janë acaruar bishat! Duan gjak të freskët, për të mbuluar gjakun e vjetër!

Opinione

Janë acaruar bishat! Duan gjak të freskët, për të mbuluar gjakun e vjetër!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 30 gusht 2023 Në ora: 22:30
Nehat Shaqiri

Organizata e Veteranëve të Luftës, OVL-UÇK, është mirë të mbyllet pasi që kurrë nuk i ka përfaqësuar të gjithë veteranët, por vetëm disa njerëz dhe grupe të caktuara të cilët kanë qenë gjithmonë afër pushteteve, ku kanë përfituar prej tyre.

Po të ishte e kundërta, veteranët sot do t’i kishin kushtet më të mira. Nuk do të kishin ndodhë dhjetëra vetëvrasje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së për shkak të jetës së vështirë të tyre nëpër të cilën kaluan, kurse ata që ishin në krye të OVL-UÇK-së i bënë milionat.

Po mos të punoni krerët e OVL-së vetëm për vete dhe grupet e tyre, nuk do të lejonin të rritet numri i veteranëve, e dikush të përfitojë 5 mijë euro prej tyre, por do ta stoponin këtë të keqe, do të kërkonin buxhet më shumë për pensionin e veteranëve të vërtetë, për shokët e tyre të luftës, e që pas luftës nuk u interesuan kurrë për ta. Nuk do të kishte probleme me proteza për invalidët veteranë të UÇK-së.

Po të mendonte OVL-ja për veteranët, nuk kishte me ndodhë që shumë veteranë të mbledhin kanaçe rrugëve të Kosovës, të ‘hulumtojnë’ kontejnerët se çfarë ‘pasurie’ mund të gjejnë aty, por do të shkonin krerët e OVL-së derë me derë te secili veteran dhe të shikonin se në çfarë gjendje jetojnë ata, do duhej kujdes për ta, mirëpo kështu jetohet në Kosovë.

Thirru në emër të luftës, e bëj pasuri për vete, ndërto pallate me pishina, rrehja krahët veteranëve të vërtetë, e mbushe arkën miliona për vete!

Prandaj, këtyre nuk iu dhimbset rinia që po e lëshojnë Kosovën, ndryshe nuk kishin kërkuar miliona euro nga investitorët e huaj, sa ishin në Qeveri, e që asnjë nuk mundi të investojë në Kosovë, dhe pastaj shkuan në Serbi e Maqedoni investuan dhe punësuan mijëra punëtorë.

Këtyre u dhimsbet vetja që humbën miliona me ardhjen e Qeverisë Kurti, nuk arritën të zhvatin në tenderët e zakonshëm të tyre.

Prandaj, sot duan të vrasin kryeministrin e Kosovës, që nesër të vijnë prapë në pushtet e të ngrisin perandoritë e tyre të cilat kanë filluar t’iu shemben! Por, jo! Kot e kanë. Nuk do të zhvasin më, ngase një ditë, e mos qoftë e largët, të gjithë atyre që urdhëruan vrasje të kundërshtarëve politikë, të gjithë atyre që zhvatën Kosovën dhe u pasuruan, do t’iu vije fundi.

Të gjithë këta një ditë do të flasin prapa grilave të burgjeve, dhe pasuritë e tyre, pishinat në pallatet ‘mbretërore’ mund t’i shohin vetëm në fotografi nga burgu!

Andaj acarohen dhe duan vrasje, duan gjak të ri, sepse gjaku i derdhur pas luftës, i kundërshtarëve, ende nuk është ftohur dhe duan të mbulojnë njollat me gjakun e ri. Por jo, do të zbardhet gjithçka dhe kriminelët do të vdesin në burgje, aty ku edhe mund të pushojnë të qetë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat