Opozitës i janë verbuar sytë për pushtet

Opinione

Opozitës i janë verbuar sytë për pushtet

Nga: Dedë Preqi Më: 5 gusht 2023 Në ora: 13:17
Dedë Preqi

Të shikohet Kosova me syrin realist të një qytetari të thjeshtë, dhe të flasim pa paragjykime e anime politike, duket diçka e pa kuptimtë një gjendje e tillë e fatit të këtij populli, me ç’rast të bie në sy një mori ç’rregullimesh dhe harmoni politike në mes pozitës dhe opozitës, dhe sikur kjo energji po shpenzohet kot, duke vepruar në kuadrin e pa përgjegjshëm të njeriut të këtij vendi.

Sa ua patëm lakmi atyre, të cilët luftuan dje, për ta çliruar vendin nga okupatori shekullor serb, që disa prej tyre nuk e kursyen atë më të shtrenjtën edhe jetën që e dhanë për liri dhe pavarësinë Kosovës, kurse sot pas çlirimit të vendit, disa prej tyre po dallohen vet, se nuk ishin të atillë, që e luftuan armikun e këtij vendi, por sikur do të ishin bashkëpunëtor të okupatorit të këtij vendi, duke etiketuar njëri-tjetrin, jo si luftëtarë të UçK-së, por si «turist» në ketë luftë të lavdieshme.

Nuk ka të drejtë askush që ta mohoi luftën e UçK-së, sepse për t’ia vënë thëmelet e shtetit të Kosovës, ushtarët e UçK-së, u bënë kurban dhe i spërkatën me gjak thëmelet e shtetit të saj, prandaj Kosova dhe qytetarët e saj, në një kuptim më të ngushtë, të gjithë e kanë një emër të përbashkët, pa anime politike e fetare, me përjashtim të atyre, nga të cilët nuk ia deshtën të mirën Kosovës, as më herët dhe as sot.

Pse e thëmi këtë, nga të cilët po e vërtetojnë edhe vet, si të ashtuquajtur komandanta të luftës, në kohën e paqës i dhanë liri vetëvetës, me abuzue dhe me i keqpërdorë frytet më të çmuara të kombit, apo duke shkelur nëpër gjakun e tyre, kur përmes tenderave dhe mjeteve që u janë dedikuar për ndërtimin e lapidarëve dhe përkujtimoreve të tyre, dikush i ka keqpërdorur për përfitime materiale.

Duhet ta thëmi të vërtetën, se Kosova e pasluftës përmes pushteteve nën udhëheqjen e kësaj opozite të sotme, që i printe PDK, LDK dhe AAK, ky vend gjindej në një anarki dhe qeverisje të dhimbshme nën udhëheqjen pothuaj të një grupi grabitqarësh të thekur, të cilët u pozicionuan në aparatin shtetëror, dhe për këtë arsye shteti i Kosovës, e muar tatpjetëzën dhe nuk mundi të bënte hapa përpara dhe të fukcionojë si duhet si shtet dhe përmes njeriut të ndërgjegjshëm.

Duke ndodhur në këtë vorbull, Kosova degradoi në gjitha sferat e jetës, sepse këto grupe egoiste nuk u ngopën për 20 vite me radhë në pushtet përmes formave dhe menagjimeve të pa ndershme dhe korruptive, për deri sa vjen kryeministri Albin Kurti, në pushtet, të cilin e zgjodhi populli me një shumicë absolute, që përfaqëson mundësinë e një ndryshimi edhe pse nganjëherë me një befasi të frikshme, me faktin se mund të ketë një vullnet ndryshe nga të tjerët, për të kundërshtuar edhe miqtë ndërkombëtar të vendit tonë, nëse edhe këta nuk janë në harmoni dhe përkushtim të zbatimeve të ligjeve dhe Kushtetutës së këtij vendi.

Në këtë mënyrë, është e çuditshme se pse sot nuk e pranon kjo opozitë, për deri sa ishte vetë në pushtet, e vënë sot në dyshim këtë popull dhe kulturën e këtij shteti të ri demokratik, i cili popull, në rrethana të krijuara edhe kësaj dite po atakohet dhe ballafaqohet me kushte të dobëta ekonomike, sociale e politike, dhe por kohën e fundit po vuan edhe nga kundërshtarët e brendshëm të pa ndërgjegjshëm, që po e pengojnë zhvillimin e gjithmbarshëm dhe frymëmarrjen e lirë të këtij vendi.

Në këtë mënyrë populli i këtij vendi është më i dëmtuari, i cili po e humb besimin ndaj pushtetarëve të vet dhe mund të krijohet një kaos apo gjendje e pa dëshirueshme, përndryshe deri këtu, nuk është diçka normale në shoqërinë tonë demokratike, e cila në këtë kohë paqeje po e dëshmon hendekun e thellë të krizës politike dhe ekonomike të vendit, përshkak të zhveshjes nga dinjiteti dhe nga përgjegjësia që i takon vetë njeriut të këtij vendi.

Dhe kush i beson kësaj opozite, e cila sikurr ndonjëherë tjetër është më e pa pakuptimta deri në këto ditët e sotme, që nuk i ngjitët asnjë kauze në mbrojtjen e shtetit dhe zhvillimit të tij, dhe në këto ditë krize me Serbinë, e cila vetëm jep leksione negative kundër qeverisë Kurti, në emër të partive apo individëve të caktuar, duke e ndihmuar thellimin e krizës të kësaj shoqërie dhe shtetit tonë, dhe duke iu bërë krah i armikut të përbashkët përmes deklaratave të tyre me shantazhe dhe reagime nënçmuese ndaj qeverisë Kurti, e cila në realitet po mundohet të zbatojë ligjet e shtetit të saj sovran dhe të shtriej sovranitetin e vet në tërë këndët dhe pëllëmbët e Republikës së Kosovës.

Kosova ka njerëz dhe kuadro të forta e të talentuara në profesione të ndryshme, dhe nuk është e nevojshme që të thellohet kriza e kuadrit udhëheqës, që të mvaret shteti në njerëz që janë dëshmuar gjatë luftës, sepse koha e lirisë ka nevojë për njerëz tjerë, të cilët nuk kanë nevojë të përdorin forcën në Kuvendin e Kosovës, që të tregojnë muskujt e tyre dhe të rrahën me grushta dhe ofendime, por kanë nevojë të përdorin mendjen e shëndoshë, ndershmërinë dhe përgjegjësinë ndaj qytetarit dhe shtetit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat