A po ndikohet publiku nga opinionet e analistëve?

Opinione

A po ndikohet publiku nga opinionet e analistëve?

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 2 korrik 2023 Në ora: 10:30
Zejnullah Jakupi

Shumë gjatë është folur lidhur me ndikimin e mediave, politikës ndaj mediave dhe opinionit publik dhe publikut dhe anasjelltas.

Në një debat në Debat Plus TV-Dukagjini (qershor 2023) u tha se analistët guxojnë të flasin çfarë të duan, sepse ato ose ata nuk marrin vendime- pra nuk i dëgjo kush, ndërsa sipas tyre ata më kryesorët janë politikanët, qeveritarët, ata që ndikojnë mbi të tjerët, sepse „ata marrin vendime, e ne flasim kot s´koti“. A thua si ndikojnë këto mendime, analiza tek publiku? Sa ka mundësi që edhe qytetarët- publiku, të ndikojnë tek analistët dhe politikanët?

Përgjigjja nuk është e lehtë. Nga hulumtimet e deritanishme është vërtetuar se publiku konsumon informata, nga mediume të ndryshme, edhe nga kontaktet ndërperonale me politikanë dhe në bazë të tyre e formon mendimin e tij politik (ndër tjerash e krijon opinionin, bindjen politike edhe nga rrjetet e mediave sociale).

Në debatet në TV-të tona kemi zëra gjithashtu se analistët po sjellin shumë negativitet, dhe se janë të njeanshëm. Madje ka edhe teza se debatet ku ngritet toni i debatit eskalon në fyerje mes analistëve dhe shpie deri te rrahjet në studio, e kjo sjellje lë trauma tek publiku dhe do kenë pasoja afatgjata. Për më tepër, negativiteti i këtyre analistëve të medias ndikon negativisht jo vetëm tek qytetarët, por edhe tek politikanët. Dhe anasjelltas.

Ndikmet në trekëndshin; Media-politika-publiku

Po cilat janë teza më të njohura nga hulumtimet e efekteve mediatike?

a.) Ajo e varësisë (dependente) e cila thotë se mediet kanë supermaci ndaj politikës, e ndikojnë atë me pikëpamjet e tyre. Sipas saj, politika është bërë gjithnjë e më e varur nga media, veçanërisht nga televizioni. Si rezultat, madje arrihet deri në pikën, për ta shpallur masmedian një parakusht funksional për sistemet e tjera. Përpjekja e politikës për t'iu përshtatur logjikës mediatike, siç përshkruhet më sipër, përdoret në këtë paradigmë si dëshmi e një varësie të politikës nga media.

b.) Në të kundërtën, njihet teza e instrumentalizimit, e cila paraqet pozicionin diametralisht të kundërt prej të parës. Sipas saj, politika ka një epërsi mbi mediet dhe, politika (sistemi politik) përpiqet të bëjë instrumentalizimin e medias për qëllimet e veta, që do të thotë se media humbë autonominë e saj ndaj politikës. Profesionalizimi i politikës dhe marrëdhëniet me publikun, siç përshkruhet më sipër, vlerësohet ndër të tjera si dëshmi e ndikimit politik mbi mediet.

c.) Poashtu ekziston paradigma e ndërvarësisë, e cila supozon një marrëdhënie më simbiotike midis sistemit politik dhe sistemit mediatik dhe kështu zë një pozicion të mesëm midis dy pozicioneve ekstreme. Në ndryshim nga teoria e varësisë dhe teza e instrumentalizimit, teza e ndërvarësisë nuk supozon se sistemi politik është superior ndaj sistemit mediatik dhe as anasjelltas, por supozon ndërveprime komplekse midis dy sistemeve, të cilat bazohen në varësi të ndërsjella. Politikanët kanë nevojë që temat dhe kandidatët e tyre të prezantohen në media, ndërsa media, nga ana tjetër, mbështetet në informacionin e politikanëve. Në këtë kuptim, marrëdhënia media dhe politika, në fund të fundit, interpretohet si një shkëmbim brenda të cilit vlen motoja: “informacioni kundrejt publicitetit”.

Dhe e fundit d.) është ndikimi i publiku (audiencës) mbi medien dhe politikën.

Kjo teori sugjeron se jo vetëm media dhe politika por edhe publiku ka fuqinë për të caktuar axhendën publike, duke përcaktuar se cilat çështje janë më të rëndësishme dhe të diskutueshme në shoqëri. Ky koncept sugjeron se edhe publiku ka potencialin për të ndikuar në prezantimin e informacioneve dhe argumenteve të ndryshme të cilat mund të ndikojnë në perceptimin dhe vlerësimin e audiencës për një çështje të caktuar.

Publiku (audienca) mund të mësojnë dhe të modelojnë sjelljet e tyre duke përcjellë role dhe modele të prezantuara në media. Përmes identifikimit me personazhet dhe sjelljet e prezantuara, audiencat mund të përshtaten dhe të ndryshojnë sjelljet e tyre.

Preferencat e publikut manifestohen në mënyrën se si publiku përpunon dhe interpreton informacionin që vjen nga mediat. Ndër të tjerash janë përvojat, besimet dhe perceptimet e publikut (audiencës) ato të cilat ndikojnë në mënyrën se si ata (secili prej nesh) kuptojnë dhe vlerësojnë mesazhet e mediave dhe i detyrojnë mediet t´u përshtaten shijes së tyre.

Po ashtu është vlerësuar tutje që ndikimi i mediave është shumëdimensional dhe varion nga konteksti dhe audienca specifike. Studimet e vazhdueshme në këtë fushë janë të rëndësishme për të kuptuar më mirë efektet e medieve në shoqëri.

Formimi i opinionit publik

Në këtë kuptim duhet thuhen dy tre fjalë lidhur me formimin e opinionit publik, i cili është një proces kompleks që varet nga faktorë të ndryshëm. Këtu janë disa aspekte të rëndësishme që kontribuojnë në formimin e opinionit publik e këto janë a.) mediat, b.) ambienti shoqëror, c.) arsimimi, d.) përvoja idividuale dhe e.) zërat e interesit (OJQ-të, Partitë politike) etj. Shih më poshtë përshkrimin në detaje të faktorëve kryesorë:

1. Mediat masive luajnë një rol kyç në formimin e opinionit publik. Lajmet, artikujt e mendimit, programet televizive dhe mediat sociale ndikojnë në perceptimin e njerëzve për tema të caktuara. Mediat mund të zgjedhin, interpretojnë dhe prezantojnë informacione, gjë që ndikon në perspektivat dhe bindjet e publikut.

2. Ambienti shoqëror: Familja, miqtë, kolegët dhe rrjetet sociale kanë një ndikim të fortë në formimin e mendimit. Njerëzit kanë tendencë të përshtatin pikëpamjet e tyre me mjedisin e tyre të ngushtë dhe të marrin mendime nga persona të afërt.

3. Arsimimi dhe përvoja: Sistemet arsimore, përvojat dhe sfondi individual ndikojnë në pikëpamjen e një personi. Njerëzit me nivele të ndryshme arsimore, përkatësi kulturore dhe përvoja jetësore mund të kenë perspektiva të ndryshme dhe, si rrjedhojë, të zhvillojnë mendime të ndryshme.

4. Zërat e interesit dhe udhëheqësit e mendimit: OJQ-të, partitë politike, grupet e interesave dhe udhëheqësit e mendimit mund të ndikojnë aktivisht në opinionin publik. Përmes fushatave, lobimit, prezencave publike dhe ndërveprimit në mënyra të tjera, ata përpiqen të promovojnë qëndrime ose interesa të caktuara.

5. Vlerat dhe qëndrimet personale: Vlerat individuale, bindjet morale dhe përvojat personale gjithashtu luajnë një rol në formimin e mendimit. Njerëzit kanë tendencë të vlerësojnë informacionet dhe argumentet në bazë të bindjeve ekzistuese dhe të përshtasin mendimin e tyre në përputhje me to.

Fenomeni „Braqa Kariq“

Përfund dua t´i kthem edhe njeherë çështjes së analistëve. Analistët të ndryshëm flasin për punëdhënësin (dhe e mbrojnë atë), për të cilin nuk dihet prej nga financohet, pra, nënkupto, prej nga vijnë burimet e dyshimta financiare– siç po shpekulohet për Klankosovën dhe mediet e gazetarë tjerë në Kosovë. Një intervistë e Bogoljub Kariq (serb) me prejardhje nga Peja e dëshmon këtë për një TV serb. Në këtë intervistë z. Kariq tregonte se si ai po akuzohet nga qeveria serbe dhe nga Aleksandër Vuçiq se është një agjent amerikan se po i tradhton interesat serbe, ndërsa në opinion shqiptarë njihet si bashkëpunëtor i Sllobodan Millosheviqit. Z. Kariq thoshte në TV, në këtë intervistë, se ka popullaritet në popull dhe se e do popullin serb, se lufton për interesat serbe dhe i shikonte të gjithë njerëzit dhe rajonin të integruar në BE dhe, se sipas tij zhvillimi ekonomik është çelsi i vetëm i kësaj rruge të vështirë. Nga kjo intervistë ai tregoi se kishte bashkëpunim me amerikanë, sidomos kishte qenë në rolin e negociatorit për ta bindur Millosheviqin (1998/1999) që të mos lejojë të fillojë luftën në Kosovë. Z. Kariq tha gjithashtu se ja ka mundësuar Adem Demaçit intervistën e famshme në Beograd dhe tha gjithashtu se ka investuar në media edhe në Kosovë, se ka partner dhe natyrisht bashkëpunon dhe ka bashkëpunuar edhe me presidentin e Bjellorusisë A. Lukashenko. Në këtë prezantim ai tregohej se është një kosmopolitian, por vrehej gjithashtu se i ka cak interesat serbe, natyrisht e ka në zemër një Serbi të fortë me ndikimin në rajon dhe natyrisht të integruar në BE. Sipas tij, lobimi i suksesshëm mund ta ndryshojë pozicionin e Serbisë karshi Kosovës, por për momentin lobi shqiptarë në SHBA ka qenë dhe është më i fortë se lobi serb atje.

Çfarë po bëjnë, shkenca jonë, departamentet e gazetarisë në UP dhe universitetet tjera?

Shpejgimet që i dhamë më lartë janë alarmuese dhe theksojnë rëndësinë e ndërgjegjësimit të politikës, medieve por edhe konsumatorëve të medieve që të gjithë duhet parë nevojën për të qenë kritikë ndaj informacioneve që ofrohen për opinionin publik. Madje në kohë krizash mediet dhe politika, publiku unijësohen (rreshtohen) në një front të përbashkët për kauzën nacionale. E kur jemi te konsumimi i informacioneve, për të pasur një pamje të plotë dhe të drejtë të një çështjeje, është e rëndësishme që individët të kërkojnë burime të ndryshme të informacionit dhe të marrin parasysh ndikimet e mundshme të interesave të mediave në përmbajtjen që ata konsumojnë.

Është e rëndësishme të përmendet se teza e varësisë tek mediat është një ndër shumë teoritë dhe perspektivat që studiojnë marrëdhënien midis mediave dhe shoqërisë. Studiuesit dhe analistët ndërkombëtarë vazhdojnë të diskutojnë dhe të zhvillojnë tutje hulumtime të reja në këtë fushë për të kuptuar më mirë kompleksitetin e kësaj marrëdhënieje. Për fat të keq univerzitetet tona nuk po bëjnë shumë ose aspak në këtë drejtim. Për këtë ka një mori faktesh. Nuk kemi revista shkencore ku mund të ekplorohen teoritë e tilla, por edhe të bëhen hulumtime empirike të përhershme. Nuk kemi kuadro, nuk kemi financa as investime në këtë fushë ose nuk po duam të kemi, kjo është dilema.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat